E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i PDSH-së sqaron propozimin e ri

Lideri i opozitës shqiptare në Maqedoni, përkatësisht kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Mendu Thaçi, ka sqaruar me detaje se ç‘përfaqëson ideja e hedhur nga ai për një "marrëveshje të re" mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Thaçi, gjatë një interviste për televizionin "Alsat", deklaroi se "dy janë shtyllat kryesore që përbëjnë këtë marrëveshje, e para është vendimmarrja, e cila duhet të jetë me konsensus, E kam lënë krejtësisht të hapur si opsion, që së bashku të vendosim se si do të arrihet kjo vendimmarrje konsensuale. Parlamenti dy dhomash, përfaqësia e barabartë 30 deputetë shqiptarë, 30 maqedonas, ose senati ku gjithashtu përfaqësia do të jetë e barabartë. Kjo është një vendimmarrje që përdoret në shtetet perëndimore, si Belgjikë, Zvicër, por edhe në SHBA, ku shtetet që e përbëjnë atë, pavarësisht nga numri i popullsisë së tyre, përfaqësohen në senat me nga një senator. Shtylla e dytë është buxheti i shtetit, i cili duhet të ndahet proporcionalisht. Nëse shqiptarët e Maqedonisë kontribuojnë në buxhetin e shtetit përmes tatimeve të ndryshme, me 30% ato duhet të kthehen te shqiptarët për zhvillimin dhe perspektivën e tyre që nisin që tek arsimi, shkenca, kultura shëndetësia e kështu me radhë". Ndërkaq, në lidhje me çështjen e gjuhës shqipe, apo edhe simboleve kombëtare, Thaçi propozon që kjo çështje të përcaktohet përfundimisht. Kështu, sipas Thaçit: "Gjuha shqipe duhet të jetë gjuhë zyrtare në Maqedoni me të gjitha parametrat që ka gjuha maqedonase. Principi i funksionimit të kësaj marrëveshjeje duhet të jetë ky: shteti flet me dy gjuhë, jo qytetari flet dy gjuhë. Çështje të tjera të Marrëveshjes së Ohrit, të cilat janë dhënë pjesërisht, duhet të rikthehen në aspektin e statusit politik dhe juridik, vendimmarrjet e brendshme, funksionimi i institucioneve duhet të bëhet me mekanizmin e konsensusit". Ndërsa për negociata që Shkupi po i kryen prej vitesh me Greqinë për çështjen e emrit, Thaçi theksoi se "mendoj se Greqia me plot të drejtë e ka vendos atë ‘stopping‘ ndaj kësaj politike ekspansioniste që ka kjo qeveri dhe përfundimisht ky problem do të zgjidhet vetëm nëse lëshojnë pe maqedonasit, grekët nuk kanë ndërmend të lëshojnë pe. Duhet të sqarojmë edhe diçka tjetër, që për kohë të gjatë është munduar të fshihet ngase problem është vetëm emri jo është problem identiteti. Grekët asnjëherë nuk do të pranojnë që afër tyre do të jetojnë një grup njerëzish që do të tentojnë të përvetësojnë gjithçka".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›