Dule: Kongresi i PBDNJ-së mblidhet brenda dhjetorit
Kriza politike në vend, ndryshimet në statusin e "Omonias", organizimi i Kongresit të jashtëzakonshëm dhe një sërë çështjesh të tjera ishin objekti i një takimi të përbashkët mes të zgjedhurve të kësaj organizatë dhe PBDNJ-së. Dule dhe Bollano ia kanë kushtuar takimin e djeshëm përgatitjes së dy ngjarjeve të rëndësishme për profilin e tyre politik. Ndërkohë që Bollano nuk e ka parë të arsyeshme të raportojë për të rejat e takimit të tij të ditëve të fundit me lobin grek në Amerikë, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, foli për platformën e përgatitjes për 10 dhjetorin dhe Kongresin e partisë që kryeson. Aktiviteti që është duke u përgatitur për 10 dhjetorin në Tiranë, sipas Dules, do të jetë një vështrim i zhvillimeve të derisotme, me sloganin "Integrimi dhe minoriteti". Referuar situatës së vështirë politike që përjeton Shqipëria, posaçërisht për bojkotin e institucioneve nga PS, Dule tha se kjo është një situatë e kapërcyer dhe se duhet të kapemi fort pas objektivit strategjik, që është integrimi europian i vendit. Dule ka vlerësuar se në kushtet kur struktura të rëndësishme të BE-së janë shprehur pozitivisht për situatën tonë, do të ishte fatkeqësi që klasa jonë politike të mos i përgjigjet asaj me të njëjtin temp, por të vazhdojë të veprojë e fragmentarizuar. Në këtë kuadër, Dule ka kujtuar atë që tha se PBDNJ ka kërkuar prej kohësh: kompromisin historik.
Th.Nika
Th.Nika