PDK peticion Papës: Berisha na vodhi votat
Partia Demokristiane i ka dërguar dje një peticion Vatikanit, ku e vë në dijeni për qëndrimin e Kryeministrit Berisha ndaj komunitetit katolik në prag të vizitës së tij në Itali. Në peticionin informues të përgatitur për Selinë e Shenjtë, theksohet se z.Berisha ka ndjekur një strategji eliminuese ndaj Partisë Demokristiane dhe nëpërmjet aktit të shëmtuar dhe të dënueshëm të vjedhjes së votës, pengoi përfaqësimin e kësaj partie në Parlament në zgjedhjet e fundit politike që u mbajtën më 28 qershor të këtij viti. "Z.Berisha dhe partia që ai kryeson gjatë gjithë këtyre viteve ka ndjekur të njëjtën politikë përjashtuese dhe eliminuese ndaj demokristianëve shqiptarë, duke i krijuar probleme serioze përfaqësimit të komunitetit katolik dhe të filozofisë politike kristiane në skenën politike shqiptare", shkruhet në këtë peticion. Në të përmendet edhe fakti se komuniteti katolik ishte komuniteti më i persekutuar nga regjimi komunist, sepse vlerësohej si ura më e fuqishme lidhëse midis Shqipërisë dhe kulturës së vlerave perëndimore. Kjo politikë diskriminuese e ndjekur nga z.Berisha ka krijuar shqetësime të vazhdueshme për përfaqësimin normal politik dhe pjesëmarrjen në ndërtimin e një demokracie të qëndrueshme të mbështetur mbi vlerat kristiane dhe europiane", vijon deklarata.