Kreu i PS, Rama: Kjo rrugë e çon vendin në falimentim

Ndryshimet në buxhet janë kthyer në një fushë beteje shifrash dhe parashikimesh mes dy kampeve politike. Aty ku shumica në pushtet trumbeton një kuadër masash të nevojshme për përballimin e situatës ekonomike, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka nënvizuar ecjen e pakthyeshme në qorrsokakun e një krize që, sipas tij, paralajmëron falimentimin e plotë ekonomik. “Kemi arritur një borxh publik të frikshëm për vende me ekonomi të ngjashme me ne. Borxhin e kemi 2 herë më të madh sesa kapacitetin që manifestojmë sot për të mbledhur të ardhura. Merreni me mend se çfarë do të thotë kjo për një familje që konsumon 2 herë më shumë borxh sesa ajo që ka si të ardhur. Fund, falimentim ekonomik i garantuar”, tha ai në atë që mund të quhet si rezymeja politiko-ekonomike e ndryshimeve në buxhetin e shtetit. Përmasa e kësaj grope që theksohet nga opozita verifikohet, sipas saj kudo, madje edhe në elemente të jetës së përditshme së qytetarit: te çmimi i energjisë, te fatura e ujit, te shërbimi shëndetësor, apo edhe te vlera e ndihmës sociale për 96 mijë familje në nevojë. Në këtë kuadër, kreu i PS-së ka renditur një sërë shifrash konkrete që cekin thuajse të gjithë gamën e problemeve ekonomike dhe sociale në vend, e cila mëton t’i përcjellë gjithsecilit mesazhin e thjeshtuar të asaj se çfarë pritet të ndodhë sipas selisë rozë. “Kriza është reale dhe nuk është një fantazi apo kokëndjellje opozitare. Buxheti i rishikuar vetëm e thellon krizën ekonomike të familjeve shqiptare. Siç u provua edhe dje, kjo gjendje e rëndë ka një shkak madhor. Ky shkak është korrupsioni i oborrit të pushtetit që ka kapur tërë shtetin. Opozita në mënyrë të qartë e ka treguar të vërtetën për situatën ekonomike të vendit qysh prej fillimit të vitit 2009. Ne i kemi paralajmëruar me kurajë dhe kthjelltësi pasojat që kanë filluar të ndihen sot në kockën e ekonomisë reale të familjeve e të sipërmarrjeve shqiptare”, shtoi Edi Rama. Mjafton ky paragraf për të kuptuar se paralajmërimi i opozitës po riciklohet si pjesë e natyralizimit të përgjegjësisë, si domosdoshmëri në komunikimin politik. Konkretisht, shifrat e detajuara të ligjit të ri për buxhetin, janë vlerësuar nga Rama si konfirmim i shqetësimeve të hershëm të PS-së, që si të tilla dëshmojnë për atë që zakonisht njihet si “opozitë konstruktive”. Përtej analizës së shifrave, një aspekt i rëndësishëm, qoftë edhe në pikëpamje politike apo sociale, ka qenë ripërsëritja e kreut socialist, e vullnetit për të rishikuar privatizimet e fundit që qeveria po u bën aseteve ushtarake. Duke iu referuar vendimeve të fundit të Ministrisë së Mbrojtjes, Rama ka bërë të qartë se mjediset në fjalë përfaqësojnë investime të rëndësishme potenciale për sektorin e turizmit, që për këtë arsye zgjojnë nevojën e verifikimit shtesë. “Njerëzit duhet ta kenë mirë parasysh se nuk janë kazerma dhe reparte të shkatërruara, por janë troje, shumë troje dhe në shumë pika strategjike, jo thjesht ushtarakisht, por për turizmin në këtë vend, të cilat janë futur në rrugën e tjetërsimit, në funksion të duarve të njëjtave që po tjetërsojnë gjithçka nga pasuria jonë publike... Një gjë është e sigurt, ne do t’u rikthehemi të gjitha këtyre procedurave, ashtu sikundër do të bëjmë transparencën e të gjitha akteve të tjetërsimit të pasurisë publike në të gjitha këto vite. Jo për të zhbërë gjithçka, po për të bërë çdo gjë që është bërë në mënyrë korruptive dhe nga e cila është përfituar, jo publikisht, por privatisht në dëm të interesit publik”, u shpreh Edi Rama.
#