E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakra e Cërrikut, gazetari në gjykatë: Si e njoh ngjarjen

Dëshmia Besim Dybeli: Para ngjarjes populli sulmoi komisariatin, kam takuar edhe të plagosurit

Procesi gjyqësor për zbardhjen e masakrës së Cërrikut në vitin 1997 ka vijuar dje me pyetjen e gazetarit Besim Dybeli, i cili ka shpjeguar për plot një orë të gjithë informacionin që ka servirur për publikun në atë kohë. Dybeli është pyetur nga prokurori Anton Martini për ngjarjen e majit të vitit 1997 dhe, nga ana tjetër, Dybeli tha se në atë kohë jetonte në Cërrik, ndërsa ditën që ka ndodhur ngjarja ka qenë në qytetin e Elbasanit, pasi atje ishte qendra e punës. “Atë ditë si zakonisht isha duke shkuar për në punë. Kur mësova për ngjarjen u nisa direkt për në Cërrik dhe vajta në shtëpi. Më pas kam dalë në qytet për të parë se çfarë ishte bërë. Pasi zbrita nga furgoni në Cërrik gjatë rrugës për në shtëpi kam parë një tank, nga i cili po dilte tym. Më vonë dola sërish nga shtëpia dhe shkova në shesh për të parë ngjarjen dhe kam takuar qytetarë për të marrë vesh ndonjë informacion. Mësova se kishte pasur një përplasje dhe kishte të vrarë e të plagosur”, tha Dybeli, duke shtuar se një ditë para se të ndodhte ngjarja është tentuar që të digjej posta e policisë dhe ai bashkë me disa persona të tjerë kanë tentuar që të bllokonin dhe të mbanin turmën që të mos prishej posta e policisë. “Për sa i përket ngjarjes, më pas kam mësuar se kishte ndodhur një përplasje mes forcave të Policisë së Shtetit dhe popullit. Në shkrimin tim që kam bërë në atë kohë, kam përfshirë edhe numrin e personave të vrarë dhe të plagosur, por tani nuk më kujtohet sesa ka qenë numri i tyre. Kam arritur që pas kësaj ngjarje të marr në pyetje dy të plagosur, me njërin prej tyre jam takuar në ambulancën e Cërrikut. Kam takuar edhe një person tjetër në një banesë pallati. Në momentin e intervistës kishte edhe dy persona të tjerë, të cilët ishin në mbrojtje të të plagosurve. Më vonë mësova se te pallati përballë Kinoklubit kishte armë dhe një antitank. Mendoj se kjo ngjarje ka ndodhur për shkak të mentalitetit kolektiv për përfaqësuesit politik, por mund të jetë edhe armatosja e njerëzve me precedentë penal, të cilët shfrytëzuan një moment dobësie të shtetit”, vijoi Dybeli, duke shtuar se shtetasin Fatos Suvarria e njihte para se të vendosej në krye të Policisë së Elbasanit dhe mbase ndryshimi i tij mund të ketë qenë edhe një ndër shkaqet që çuan në këtë ngjarje. “Nga të pandehurit njoh Llazar Bicen, Meti Bozin dhe Skënder Canin si bashkëqytetarë. Ditën para se të ndodhte ngjarja, kur u tentua të digjej posta e policisë, mbaj mend që së bashku me mua për të mbrojtur policinë kanë qenë edhe Llazar Bicja me Meti Bozin. Luan Prenga ka qenë ish-punonjës i Policisë së Shtetit, herën e dytë që e kam takuar ka qenë në një miting të PD-së që po bëhej në Elbasan. Unë isha në rolin e gazetarit, ndërsa ai më tha se kishte ardhur aty thjesht për kureshtje. Ditën që kam intervistuar Luan Prengën, ai ishte i plagosur në një banesë pallati dhe atë ditë persona të armatosur kanë tentuar që të futeshin brenda dhe unë i pengova, nuk i lashë që të godisnin Luan Prengën. Për sa u përket shkrimeve të mia në gazetë, informacionet janë siguruar nga personat që kam pyetur”, përfundoi Dybeli. Më pas kanë dëshmuar Behar Gjevori mjek anestezist në spitalin e Elbasanit, i cili ka treguar se punonin me dy brigada me turne prej 24 orësh. Për sa i përket ditës së ngjarjes ka qenë mjaft e ngarkuar dhe ka pasur shumë të plagosur dhe të djegur. Plagët e këtyre personave ishin të shkaktuara nga armët. Ai tha se detyra e tij ishte që të shoqëronte për në spitalin e Tiranës ata persona që ishin në gjendje më të rëndë. Ka dëshmuar edhe mjeku kirurg Bujar Turxhëri, i cili pohoi të njëjtat fakte. Në seancë ka dëshmuar edhe Bashkim Dulja. Ai tha se ditën e ngjarjes ka qenë në Tiranë në spital. Më tej shtoi se pasi ka ndodhur kjo ngjarje e kanë marrë në orën 10 të natës dhe e kanë çuar në polici. Aty e kanë rrahur dhe ka nënshkruar një deklaratë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›