Kreu i PS Rama ne Londer takim me Blair
Kryetari i PS, Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Londër, zhvilloi një takim me ish kryeministrin Britanik Tony Blair. Bashkëbiseduesit u ndalën në situatën politike dhe ekonomike në Shqipëri. Kreu Rama, nga ana e tij, e njohu ish kryeministrin britanik me programin për një “Rilindje Shqiptare” dhe prioritetet e qeverisjes së majtë pas 23 qershorit. Një temë e rëndësishme e bisedës ishte propozimi i Partisë Socialiste për taksimin e ndershëm, si dhe sistemin universal shëndetësor, bazuar në eksperiencën e suksesshme britanike.
“Një takim i shkëlqyer me Toni Blerin, njeriun që transformoi përgjithnjë të majtën europiane, njeriun që mbetet sot e gjithë ditën një pikë referimi për të gjithë ne dhe njeriun me të cilin ramë dakord që të punojmë nga afër pas 23 qershorit për të ndërtuar qeverisjen dhe për të realizuar programin tonë për një “Rilindje Shqiptare”. Me Toni Blerin dhe me skuadrën e tij ne do të kemi në krah një partner jashtëzakonisht të rëndësishëm me një eksperiencë unike dhe me të gjitha këshillat e duhura për të ndërtuar një proces qeverisës të suksesshëm dhe për të bërë realitet programin tonë të Rilindjes Shqiptare”, u shpreh Rama. Kreu i PS kërkoi mbështetjen e Blair dhe ekspertizën e tij për qeverisjen e pas 23 qershorit, ftesë e cila u pranua me nga ish kryeministri britanik.