E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i PS-së: “Korrupsioni qeveritar po degradon ekonominë e vendit”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka shprehur dje shqetësimin për falimentimin e ekonomisë së vendit. Duke iu referuar raportit të FMN-së, Rama deklaroi se deficiti buxhetor pritet mesatarisht të shkojë 6% në vit dhe borxhi publik të shkojë drejt 70%.
“FMN-ja thotë se deficiti buxhetor në vitin 2009 ishte 7.4%, më i larti në një 10 vjeçar, duke e influencuar llogarinë korrente me 15% të prodhimit të brendshëm bruto ose ndryshe të pasurisë së këtij vendi. Borxhi publik kërceu në 60% të GDP, kjo është shifra zyrtare”, - u shpreh Rama. Sipas tij, përgjegjëse për rrënimin e ekonomisë së vendit është korrupsioni qeveritar që pasuron vetëm disa persona. Rama iu referua rastit të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila sipas tij, mbipaguan veten nga buxheti shtetit duke marrë 35 mijë lekë dieta në ditë sikur jeton në Shkodër. “Vetëm në një ditë kryetarja e kuvendit merr 350% të shtesës që ju bë pensioneve për një muaj, ose 10 mijë përqind të shtesës që përfiton një pensionist në ditë”, - deklaroi Rama. Ai sqaroi se gjendja e rifinancimit tani është më e rëndë, sepse të ardhurat nga privatizimi kanë shteruar, ndërsa financimi i deficitit buxhetor nga huamarrja e brendshme po lë jashtë dhe pa likuiditet sipërmarrjen private në mënyrë të rënduar. “Zhvillimi tepër i ulët i kreditimit të ekonomisë dhe rritja e ndjeshme e kredive të këqija, thotë FMN-ja, kanë ulur ritmet ekonomike dhe kanë fryrë rrezikun. Projektimet e qeverisë për të ardhurat kanë optimizëm të tepruar. Zvarritja në marrjen e masave dhe ngurrimi për të dhënë ilaçin e duhur, duke zbatuar recetën e duhur, jo vetëm që nuk ka gjasë ta nxjerrë ekonominë nga kriza, por vetëm e thellon sëmundjen që ka ekonomia jonë, duke e çuar drejt gjendjes së pashërueshmërisë. Pashërueshmëri do të thotë falimentim. Falimentim do të thotë një kosto e stër rritur, jo vetëm mbi të tashmen e familjeve shqiptare, por edhe mbi të ardhmen e tyre. Krejt e pamerituar dhe krejtësisht për shkak të paaftësisë dhe të babëzisë së atyre që qeverisin sot”, - u shpreh Rama.

24 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›