Rama: “PS-ja nuk do të bashkojë votat me LSI-në për të rëzuar draftin për SHISH-in”
Eneida Jaçaj
Duket se për kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama nuk do të ekzistojë asnjëherë asnjë marrëveshje politike me armikun e tij të përbetuar, kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Kryesocialisti Rama dje në një bashkëbisedimin me gazetarët deklaroi se opozita nuk do të bashkojë votat me Lëvizjen Socialiste për Integrim për rrëzimin e ligjit të ri për SHISH-in. Ndër të tjera, Rama u ndal në krizën ekonomike, ku sipas tij, korrupsioni po pasuron qeveritarët dhe po varfëron qytetarët shqiptarë. Përsa i përket transparencës së zgjedhjeve, lideri i opozitës i kujtoi kryeministrit Sali Berisha se PS-ja nuk heq dorë nga hetimi i fletëve të votimit. Rama i është përgjigjur edhe akuzave të ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti për përdorim të lëndëve narkotike. Rama e siguroi atë se nuk përdor lëndë narkotike, pasi ka 7-8 vjet që dhuron gjak.
Deklarata
Kreu i PS-së ka shprehur shqetësimin se kalimi i draftit për SHISH-in do të cenonte marrëdhëniet me NATO-n dhe SHBA-të. Ai i ka bërë thirrje qeverisë ta tërheqë menjëherë këtë projektligj. “Ne nuk bashkojmë votat me askënd. Ne votojmë ashtu siç e shohim ne të arsyeshme në bazë të parimeve dhe vlerave që na bëjnë të quhemi Partia Socialiste e Shqipërisë. Pastaj se kush janë të tjerët që mbajnë të njëjtin qëndrim, ky nuk është as problemi dhe as detyrimi ynë. Sigurisht, që jemi të kënaqur që ai projekt mizerabël që cenon interesat e vendit, që cenon interesat dhe partneritetin strategjik me NATO-n, cenon po njësoj interesat e partneritetit me SHBA-të, ku mori edhe përgjigjen e merituar, të cilën do ta marri edhe më të fortë në rast se kryeministri do të vazhdojë kokëfortësisht të këmbëngul, për arsye shumë të errëta për miratimin e atij projekti ogurzi jo thjesht për vendin, por edhe për marrëdhënien e vendit me NATO-n dhe SHBA-të”, - u shpreh Rama.
Transparenca
Lideri i opozitës i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha të mos vonojë transparencën e zgjedhjeve, nga ku nuk përjashtohen fletët e votimit. “E gënjen mendja Sali Berishën! E gënjen mendja këtë pushtet se do ta zvarrisë çështjen e krizës politike që kërkon zgjidhje duke e lënë pa zgjidhje, e duke menduar se zgjidhja është te shtyrja sa më shumë e transparencës. Kjo vetëm shton kostot e keqqeverisjes dhe padyshim dhe kostot politike të atyre që kanë zgjidhur njësoj si me ekonominë edhe me krizën politike recetën e gabuar”, - u shpreh Rama. Më tej, Rama nuk ka nguruar t’i përgjigjet edhe akuzave të ministrit Prifti për përdorim të lëndëve narkotike. “Unë kam shtatë ose më shumë vite që jap gjak rregullisht dhe sipas ligjit çdo dhurim gjaku për ata që kanë nevojë është nën monitorimin e rreptë të strukturave të shtetit”, - u shpreh Rama.
Topalli: “Vendimi i GJND-së për Kosovën është një vendim historik”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti dje në takim delegacionin e Grupit për integrim të Kuvendit të Kosovës, përbërë nga përfaqësues të komunitetit serb, boshnjak, goran etj në Kosovë. Ajo përshëndeti vendimin e GJND-së për pavarësinë e Kosovës. “Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është padyshim një vendim historik. Ai vendim bëri legale atë që ishte reale. Pavarësia e Kosovës ështe e pakthyeshme. Kjo u rikonfirmua në ndihmë të paqes dhe vullnetit të përbashkët për një jetë më të mirë të të gjithë popujve në Ballkan. Me këtë vendim inkurajues kjo Gjykatë sanksioni të drejtën e pavarësisë së Kosovës, duke hapur një epokë të re”, - theksoi Topalli. Nga ana e tij, kryetari i Grupit për integrim, Branisllav Grbiç tha se :
“Ju falenderojmë për gjithçka që keni bërë për Kosovën dhe për përfaqësuesit e komuniteteve të ndryshme të Kosovës, pasi krahas integrimit europian, integrimi i brendshëm është shumë i rëndësishëm”. Më tej, biseda u fokusua në bashkëpunimin konkret mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës si dhe mes komuniteteve të ndryshme për forcimin e raporteve, jo vetëm institucionale por edhe njerëzore.
24 Korrik 2010