Kreu i SHISH, Pollo: Bahri Shaqiri u ndikua nga politika

Ministri për Inovacionin, Genc Pollo
Deputeti socialist, Erjon Braçe, nuk kursen kritikat dhe ndaj të vetëve, sa i takon vlerësimit që i bëhet punës së Bahri Shaqirit në krye të SHISH.
Në adresën e tij në Facebook, Braçe e cilëson kulturë të ulët faktin e mosvlerësimit të punës së një zyrtari shtetëror nga askush. Si nuk e pati kurajën, edhe nga ata që ndëshkuan me llafe shkarkimin, një shqiptar që të vlerësonte punën dhe shërbimin e drejtorit dhe institucionit?! Kjo është kultura sunduese në Shqipëri!, shprehet Braçe në adresën e tij në rrjetin social Facebook. Më tej, ai shpreh keqardhje se me gjithë kontributin e Bahri Shaqirit në funksionimin e Shërbimit Informativ dhe vlerësimin që partnerët ndërkombëtarë kanë për të, ai mbetet një ish-zyrtar shtetëror i papunë. Ambasadori amerikan Arvizu vlerësoi dje punën dhe shërbimin e ish-drejtorit të SHISH, Bahri Shaqiri, shkarkuar rrufe nga Sali Berisha dhe Bujar Nishani. Në fakt, në mënyrë të vazhdueshme Departamenti Amerikan i Shtetit ka vlerësuar transformimin, rolin, punën e SHISH-it pas 1997-s, veçmas në luftë kundër terrorizmit, celulave që zunë rrënjë edhe këtu. Por Bahri Shaqiri prej një jave është i papunë. Besoj jashtë çdo segmenti të administratës së këtij shteti do të mbesë. Është traditë shqiptare: shërbëtori i shtetit flaket, i partisë promovohet!, shkruan Braçe në adresën e tij. AKUZAT Ndërsa ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë, Genc Pollo, sulmoi dje ish-kreun e SHISH se ka bashkëpunuar me opozitën për ngjarjet e 21 janarit, duke fshehur informacionet që kishte në lidhje me përgatitjet që u bënë për atë protestë para godinës së Kryeministrisë. Gjatë një interviste për Ora News, Pollo tha se informacionet ishin në zyrat e SHISH, ndërsa drejtori i shërbimit u shpreh se nuk ka asnjë përgatitjeje për dhunë në protestë. Nëse themi se drejtori i SHISH ka pasur ndikime të paduhura në jetën e brendshme politike, ka pasur edhe nga 2005 e këtej. Pavarësisht nga puna e mirë që është bërë për sigurinë kombëtare, pavarësisht nga bashkëpunimi me agjencitë e huaja të vendeve aleate, të gjithë ne duhet të kujtojmë se drejtori i SHISH para 21 janarit ka thënë se nuk ka të dhëna se do të ketë përdorim dhune. Ndërkohë që shërbimi është i pajisur me oficerë, me agjentë, me miliona të shpenzuara dhe, çka e bën më të rëndë, është fakti se drejtorët e Shërbimit kanë sjellë informacion se po përgatitet dhunë, ndërsa raportimi zyrtar është se nuk do të ketë dhunë, këtu ka mungesë luajaliteti, ka një problem të cilësisë së shërbimit jo në raport me një parti të caktuar, por me kushtetutshmërinë e vendit dhe me përgjegjësinë që ka ndaj ekzekutivit. Këto fakte nuk raportohen dhe kur ndërrohet drejtori, bëhet një zhurmë e madhe dhe tymnajë, u shpreh Pollo. Sipas tij, informacioni se si do të zhvillohej protesta e 21 janarit qarkullonte në ambientet publike gazetareske, ndërsa kreu i SHISH nuk e kishte.
Balla: I detyrueshëm konsultimi me SHBA
Sekretari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar dje se drejtori i ri i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, nuk plotëson kriteret e besueshmërisë për transmetimin e informacioneve te klasifikuara. Deputeti i PS-së, Taulant Balla, thekson se zgjedhja e Likës duhet të ishte kryer në konsultim me Ambasadën Amerikane, njësoj si në vitin 2004, kur u zgjodh ish-kreu i SHISH, Bahri Shaqiri. Konsultimi me SHBA-të, sipas socialistëve, është i detyrueshëm për shkak të anëtarësimit në NATO. Zëvendësimi i kreut të SHISH pa një konsultim paraprak me partnerin tonë të madh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konfirmon synimet e errëta të Sali Berishës për ta rivendosur këtë shërbim të inteligjencës në shërbim të pushtetit. Dua të kujtoj se emërimi i drejtorit të larguar, zoti Shaqiri në vitin 2004, u krye në konsultim të plotë me Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë. Ky konsultim është i detyrueshëm për shkak të angazhimeve dhe detyrimeve që burojnë nga të qenët vend anëtar i NATO-s. Zëvendësuesi i zotit Shaqiri nuk plotëson kriteret e besueshmërisë së mbajtjes dhe transmetimit të informacioneve të klasifikuara, deklaroi Balla.