E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i pistoletave, priten arrestime në Kosovë

ARMËT/ Në dëshmitë para oficerëve të policisë gjyqësore të arrestuarit kanë rrëfyer emrat e shitësve

Trafiku i pistoletave Kosovë-Shqipëri mund të shtojë numrin e personave të arrestuar në Kosovë. Dy persona të arrestuar rreth një javë më parë në Kukës për trafik të pistoletave “Mini Blow” deklaruan se armët i kanë blerë në Kosovë, duke treguar edhe emrin e shitësit. Ndërkohë, bëhet e ditur se policitë e të dy vendeve po bashkëpunojnë për identifikimin e personit, emri i të cilit ka dalë nga marrja në pyetje e të pandehurve. Bëhet e ditur se hetimi ndaj dy kuksianëve i ka kaluar Prokurorisë për Krimet e Rënda. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se po hetohet në drejtim të kreut të trafikut të armëve Kosovë-Shqipëri, ku dyshohet se është një person i konsideruar si “VIP” i krimit në Kosovë dhe është në kërkim nga policia kosovare. Me 13 tetor në Fushë-Dukagjin të Kukësit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Kreshnik Muja, 25 vjeç dhe Fatri Germizit nga Kukësi, të cilëve iu gjetën në automjetin e tyre me targa të Kosovës, 5 pistoleta të tipit “Zastava” dhe “Mini Bloë”. “Pistoletat i kemi blerë në Kosovë. Kemi tentuar t’i shesim në Shkodër, por nuk kemi mundur, kështu që deshëm t’ia kthenim personit që ia blemë”, mësohet të kenë pohuar pas marrjes në pyetje të pandehurit. Viti 2007-2008 ka qenë vit i sukseshëm për policinë shqiptare, por edhe për Shërbimin Policor të Kosovës në goditjen e grupeve të trafikut të armëve nga Shqipëria në Kosvë e anasjelltas. Janë 8-9 grupe të trafikut të armëve Kosovë-Shqipëri e anasjelltas që janë arrestuar nga policia shqiptare gjatë kësaj periudhe. Madje, këto grupe janë etiketuar nga drejtësia shqiptare si pjesë e rrjetit ballkanik të trafikut të armëve, ku një pjesë e tyre, sidomos pistoletat e prodhimit turk, kanë si destinacion përfundimtar Italinë apo Greqinë, ku shiten kundrejt një çmimi disa herë më të lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›