Kreu shtetëror i ndarë për çështjen e emrit
Në Maqedoni kontesti i emrit të vendit ka thelluar ndarjet dhe konfliktet në kreun shtetëror të vendit, presidentit Branko Cërvenkovski dhe kryeministrit Nikolla Gruevski.
Kryeministri Nikolla Gruevski në një fjalim drejtpërdrejt për mediat mbrëmë ka drejtuar akuza në adresë të presidentit Branko Cërvenkovski dhe ka sqaruar pozicionimet e qeverisë lidhur me çështjen e emrit.
“Maqedonia është në fazën përfundimtare të ciklit të bisedimet që po udhëhiqen në OKB-së me ndërmjetësim të Metju Nimic dhe këto bisedime janë të rëndësishme për Maqedoninë”, theksoi kryeministri Gruevski.
Sipas tij, këto bisedime nuk janë për të bërë karrierë politike dhe të promovohet si lider i ardhshëm opozitar.
Gruevski ka pyetur publikisht presidentin Cërvenkovski se çfarë do të përfitojë ai nga përhapja e energjisë negative dhe rritjen e tensioneve për çështjen e emrit dhe çka do të fitojë shteti?
Ai paralajmëroi se referendumi do të jetë procesi i fundit që ka të bëjë me çështjen e emrit, ku qytetarët do të shprehin zërin e tyre.
Presidenti i shtetit, Branko Cërvenkovski dy ditë më parë i bëri thirrje kryeministrit Gruevski që të jetë më i përgjegjshëm, më serioz dhe të jetë në nivelin e sfidave lidhur me procesin e ardhshëm për çështjen e emrit.
“Për të qenë president apo kryeministër, nënkupton të sillen vendime, madje të jenë ato edhe të rënda”, deklaroi presidenti maqedonas, duke shtuar se Maqedonia po rrezikon procesin e anëtarësimit në NATO dhe BE, në rast se tërhiqet nga procesi për gjetjen e zgjidhjes së shpejt për emrin.
Presidenti Branko Cërvenkovski sot do të udhëtojë për një vizitë zyrtare në Bruksel ku janë paraparë takime me sekretarin e Aleancës Veriatlantike, Jap de Hop Shefer, përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, Havier Solana dhe evrokomisionerin për zgjerim Oli Ren. (INA)