E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur ftesa për NATO, ngjall veç dëshirë për revansh

Përshëndetje. Nga shtypi po sjell si gjithmonë, analizën që mendoj se përmbledh më së miri situatën politike të ditës. Ju falënderoj për rubrikën dhe mundësinë që na jepni:

“Kryeministri, Sali Berisha, paralajmëroi dje mundësinë e heqjes së imunitetit për prokurorët dhe gjykatësit në kuadrin e një beteje të hapur, në të cilën ai duket se është përfshirë me sistemin e drejtësisë. I mbetur keq nga presioni ndërkombëtar për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe ekspozimi dhe më i keq që bëri në rezistencën për të mos i hequr imunitetin zotit Mediu, kryeministri po përpiqet ta banalizojë këtë çështje. Ai ka dalë me tezën e re që askush të mos ketë imunitet.

Me këtë tezë populiste Berisha po përpiqet të aplikojë teorinë “Pas meje, kiameti”. Duke zhveshur drejtësinë nga imuniteti, ai në të vërtetë realizon mos heqjen e imunitetit të politikës. Nëse drejtësia ka një pushtet, ai është imuniteti që ajo ka përballë pushteteve të tjera nga mosndërhyrja e tyre. Me heqjen e imunitetit të prokurorëve apo gjykatësve ne kemi një sistem drejtësie të pambrojtur përballë klientëve më të mëdhenj të korrupsionit që janë zyrtarët e lartë të shtetit.

Kjo përpjekje në të vërtetë është nga ana tjetër dhe një lëvizje e tij e re politike me shumë rrisqe. Në situatën në të cilën është sot, Berisha duhet të jetë shumë luajal dhe shumë i besueshëm për të mos qenë i dyshimtë. Ftesa për në NATO dhe anëtarësimi i pritshëm kanë rritur shumë jo vetëm vëmendjen dhe kushtet politike, por dhe vëmendjen ndaj detajeve të sjelljes politike të Berishës. Me gjestin e djeshëm në konferencën për shtyp dhe sjelljen gati diskriminuese ndaj atij që ai e quan “pushtet” të presidentit Topi mbi drejtësinë, ai nuk ka më thuajse asnjë aleat në nismat që shpall.

Kështu, përpjekja për të ndryshuar ligjin për prokurorinë te çështja e imunitetit dhe iniciativat për të kontrolluar gjykatat me komisarë, janë përpjekje politike që nuk e çojnë te konsensusi, por te debati dhe lufta politike. Duke qenë të tilla, dhe nëse ato nuk bëhen të rrezikshme për vendin, nuk bëhen efektive për Berishën. Nëse ai ngelet i pambështetur në iniciativat e veta dhe nëse opozita dhe ndërkombëtarët bëhen bllok me sistemin e drejtësisë dhe ia kundërshtojnë, atëherë ai nuk ka fituar asgjë politikisht. Përkundrazi, ai ka humbur besimin dhe ka shtuar telashet për një vend në prag të anëtarësimit në NATO.

Anëtarësimi në NATO shihet nga shumë dyshues për Berishën si një rast i ri për revansh ndaj institucioneve. Ashtu siç ndodhi pas marrjes së ftesës për në NATO, kur qeveria bëri shumë hapa prapa nga arroganca, shumë kritikë perëndimorë të Berishës dyshojnë se kjo gjë mund të përsëritet. Gjestet që ai bën me drejtësinë, janë sinjali i parë negativ. Frika e tij për të hequr imunitetin e tij para drejtësisë, e bën edhe më të dyshimtë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›