E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krijohet Unioni Fiskal

Të hënën, më 30 janar, pothuaj të gjithë shefat e vendeve anëtare të BE’së do ta miratojnë marrëveshjen e re për krijimin e një Unioni Fiskal. Gjermania është e bindur se gjithçka do të shkojë lehtë. Por, çka është në fakt Unioni Fiskal?

Në samitin e fundit të BE’së, në dhjetor 2011, kancelaria Merkel deklaroi se marrëveshja e vendeve anëtare të BE’së – përveç Britanisë – paraqet një mësymje drejt zgjidhjes permanente të krizës së borxheve.

Ndërkohë, brenda një afati rekord për BE’në, është arritur pajtimi për tekstin e Marrëveshjes, ndonëse ai nuk përmban të gjitha kërkesat e kancelares Merkel e presidentit Sarkozy. Gjithashtu, pakti do të përmbyllet pa Britaninë e Madhe, e cila ka vënë veto ndaj tij, ngase kryeministri britanik Cameron i frikësohej humbjes së sovranitetit buxhetor të vendit. Dhe vërtet, Pakti Fiskal parasheh dënime automatike në të ardhmen në rast të deficiti të lartë në buxhetet e shteteve. Veç kësaj, do të aplikohet edhe frenimi i borxheve, një veprim ky që në afat të gjatë do të ndikojë në përpilimin e buxheteve më të balancuara.

Meqë Gjermania këtë lloj freni e ka të inkorporuar në Kushtetutë, Merkel i mohon akuzat se tani po mundohet t’ua imponojë vendeve tjera synimin e saj.

“Asnjë shtet s’mund t’i imponojë tjetrit rregulla në këtë fushë. Por, ne duhet të diskutojmë bashkërisht, e jo vetëm të shikojmë e të themi se çdokush do të veprojë si duhet. Ne jemi të gatshëm të mësojmë nga të tjerët. Kjo s;ka lidhje me dominancën. E fakti që ne tani jemi të mëdhenj nuk është faji jonë”, thekoi Merkel.

Përveç frenimit të borxheve, gjegjësisht rregullave për uljen e deficitit dhe për ekonomizimin e borxheve, rregulloret e Unionit Fiskal nuk janë aq të ri.

Komisari evropian i Ekonomisë, Olli Rehn, deklaroi se 99 përqind e rregulloreve të paktit tashmë vlejnë në BE. Por, tani duhet që e tëra të ritheksohet edhe njëherë.

“Në thelb, Pakti Fiskal paraqet obligimin për disiplinë buxhetore përmes parlamenteve nacionale të shteteve anëtare të BE’së. Ky është thelbi i tij. Por, Pakti do të mbijetojë pra së gjithash nëpërmjet rregullave dhe ligjeve ekzistuese”, sqaroi Rehn.

Në të ardhmen, vetëm shtetet që anëtarësohen në Paktin Fiskal do të marrin ndihmë nga pakoja e shpëtimit të Eurozonës, ndërsa hyrja në fuqi e Marrëveshjes pritet brenda vitit, përmes ratifikimit në parlamentet nacionale – edhe ky është një afat rekord për BE’në.

Por presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, tërheq vërejtjen se përmes Paktit Fiskal nuk do të duhej të krijoheshin institucione të reja, të cilat do të mund të ishin konkurrencë e struktura të përbashkëta ekzistuese. “Marrëveshja e re ndërkombëtare duhet ta respektojë sistemin juridik, si metodat dhe institucionet e Bashkimit Evropian. Fundja, ai duhet të jetë më shumë evropian, e jo më pak”, shprehet Barroso.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›