E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krijohet dega e PS në Janitsa, Majko: Të ndryshojmë mentalitetin

JANITAS- Emigrantët shqiptarë në Janitsa, qyteti më i madh i prefekturës së Pellës, kanë krijuar degën e PS-së në këtë qytet. Ata kanë pritur me duartrokitje ish-kryeministrin Pandeli Majko, Sekretarin për Rininë në PS Erion Veliaj, kryebashkiakun e Korçës, Niko Peleshi dhe kryetaren e bashkisë së Burrelit, Adelina Farrici, që kishin ardhur nga Shqipëria posaçërisht për të marrë pjesë në këtë ceremoni. “Kështu nuk vazhdohet më nuk vazhdohet më dhe nuk është çështja që me votë të ndryshohet një palë me një tjetër, por të ndryshohet një mentalitet, i cili mos të na tregojë me gisht në Europë. Sepse realisht ju të parët dhe shumë e shumë të tjerë edhe në Shqipëri edhe jashtë saj kanë treguar se ne nuk jemi të ndryshëm nga të tjerët”,- deklaroi ndër të tjera Majko. Ndërsa Sekretari për Rininë, Erion Veliaj u shpreh se i gjithë projekti ynë për të ndryshuar realitetin në Shqipëri quhet Rilindje Shqiptare. 

“Ndoshta e mbani mend nga librat e historisë, por rilindja e parë që ne mbajmë mend kur fituam pavarësinë para 100 vitesh nuk filloi nga njerëz që jetonin në Shqipëri, rilindësit shqiptarë para 100 vitesh jetonin të gjithë jashtë. Arsyeja pse e them këtë është se në qoftë se ne kërkojmë një rilindje shqiptare pas 100 viteve pavarësi, arsyeja pse bëjmë një koalicion me emigrantët shqiptarë është shumë e thjeshtë”,- tha Veliaj.
(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›