E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Krijuesit e magjepsur të filozofisë”

09/08/2010 Vepër e rëndësishme për 12 filozofët më të shquar të të gjitha kohërave

“Të krijosh, do të thotë të vrasësh vdekjen”

Romein Rolland

Në historinë e çdo kombi ekzistojnë krijuesit e vlerave njerëzore. Këta në kohën e tyre vlerësohen si individë të meritueshëm. Ndodh që shoqëri pasardhëse edhe ua mohojnë vlerat. Megjithatë, pas një kohe u bëhet rivlerësim dhe vihen sërish në vendin që u takon, sepse shoqëria përparon me vlerat e çdo krijuesi. Një ndër këta krijues është edhe dr. Murteza Luzha, për të cilin, gjatë hulumtimeve dhe hartimit të monografisë voluminoze “Luzha dhe lezhjanët gjatë shekujve XVI-XX-1”prej 616 faqesh, gjeta në Bibliotekën Universitare të Prishtinës, në librin e Tahir Berishës, “Emra që nuk harrohen”, këto të dhëna: profesor, ordinar i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, doajen i filozofëve të Kosovës, veteran i arsimit të Kosovës, publicist, kritik letrar dhe përkthyes i parë në gjuhën shqipe i tetë veprave filozofike, ndër të cilat edhe “Politika”dhe “Kategoritë” të Aristotelit, “Bazat e etikës” e Vuko Paviceviqit, “Leksikoni i filozofëve” i Danko Gërliqit, e të tjera. Dr. Murteza Luzha është edhe autor i tri veprave filozofike: “Mendimi humanist i Engelsit”, “Shqyrtimet filozofike”, si edhe “Krijuesit e magjepsur të filozofisë”. Vepra e tretë më ka lënë mbresa të pashlyeshme. Më ndihmoi të zgjeroj edhe më horizontin tim në fushën e filozofisë dhe të shkencave sociale. Nga ky libër po shënoj disa mendime që, sipas meje, e pasurojnë kulturën filozofike shqiptare, e cila ka e do të ketë shumë nevojë edhe në të ardhmen për të tilla vepra.

Së pari, megjithëse në moshë të thyer, tetëdhjetekatërvjeçare, në shpirtin e autorit ende rron “zjarri i ndezur” për dije, për dituri gjithnjë e më të gjerë që nga lashtësia e gjer në këtë kohë moderne. Edhe sot, si në moshë të re, edhe më me përkushtim lexon, studion dhe shkruan. Ai e kupton dhe e zbaton parimin se dija nuk vjen vetë; atë kërkoje duke studiuar e vepruar; shkruaj për vete dhe për të tjerët. Dituria nuk ka fund, por duke studiuar i afrohesh fundit, siç thotë fjala e urtë: “Çon një kashtë dhe të dalin gjashtë”. I dituri kurrë nuk thotë: “Di boll”, por vijon pa ndërprerje gjithë jetën. Ky është edhe një model shumë i mirë edhe për shumë intelektualë të tjerë si në Kosovë dhe në Shqipëri.

Së dyti, ndjeva edhe më shumë kënaqësi, kur e lexova me vëmendje këtë libër. Mendova me vete: “I lumtë mendja dhe dora!” Ai me të vërtetë e zbaton fjalën e urtë të Romein Roland: “Të krijosh, do të thotë të vrasësh vdekjen”. Dhe autori i librit me punën studimore dhe krijuese që bën edhe tani, ia “thyen vdekjes kryet” dhe i thotë: “Plaç!”

Unë kam mbaruar studimet për histori, për gjuhë dhe letërsi shqipe. Por ato ishin vetëm çelësa për të hyrë në bibliotekën e madhe të dijeve. Studiova për thellim jo vetëm në këto fusha, por u përqendrova edhe në fushën e filozofisë, të etikës e të psikologjisë. Veçanërisht kam studiuar historinë e filozofisë që nga Lindja e Lashtë dhe gjer në ditët e sotme, natyrisht, për aq kohë dhe mundësi sa kam pasur. Po leximi i vëmendshëm i librit “Krijuesit e magjepsur të filozofisë”, më dha shumë mësime edhe tani në pleqëri. Aty ka studime, analiza, sinteza, interpretime dhe konkluzione praktike nga 12 filozofët më të shquar të të gjitha kohërave, prej 2500 vjetësh e këndej.

Veçanërisht më tërhoqën vëmendjen: 1. Aftësia e autorit “për të bluar dhe gatuar” mendimet e Platonit, Senekës, Tomas Morit, Erasmo Rotërdamit, Kantit, Hegelit, Kirkegardit, Marksit, Nicës, Bertrand Rasellit, Ernest Blohut dhe të Erih Fromit. Është një punë madhore dhe e mundimshme. Jo vetëm se janë lexuar veprat e tyre, shpesh jo të lehta për t`u kuptuar, por janë studiuar me seriozitetin e një dijetari të përgjegjshëm për veprën që merr përsipër t`ua japë lexuesve të shumtë të filozofisë dhe të sociologjisë, por edhe të fushave të tjera, jo për ta shitur për fitim, çka duket shumë sot në letërsinë që botohet herë-herë pa kurrfarë përgjegjësie. As për lavde, por thjesht si një profesor e mësimdhënës, synon t`u japë një përvojë të tij të tjerëve, për ata që kanë nevojë.

2. Paraqitja e qartë, e saktë, e shkoqur e përmbajtjes, të ballafaquara me të kundërtat, që është kusht për të arsyetuar dhe arritur në përfundime bindëse, është një veçori e spikatur e këtij libri mbi 300 faqe. Gjithë kjo me një gjuhë të pasur e të pastër shqipe, nganjëherë me fraza të gjata, por të kuptueshme.

3. Interpretimi i koncepteve filozofike të Erih Fromit mbi shkaqet e luftërave, duke i parë realisht në Kosovë në fundshekullin e kaluar, është bërë me kujdes, vërtetësi, përgjegjësi dhe mirëargumentuar.

4. Kjo vepër filozofike ka edhe karakter të theksuar didaktik (mësimor). Ajo jo vetëm jep dije të qarta, por është edhe model se si mund të studiohet, çfarë dhe si të mësohet, si të dallojë të rëndësishmen nga më pak e rëndësishmja, si edhe të mbahen shënimet e duhura, për çka të gjithë studentët e çdo fushe kanë mangësi të theksuara. Ajo synon të japë pra edhe çelësin se si duhet hapur dera e shkencës. Nga libri del edhe konkluzioni i mirënjohur se filozofia nuk është prodhim i fantazisë abstrakte dhe i sallave akademike, por është përgjithësim teorik dhe i bazuar në praktikë, në jetën e gjallë, në një kohë e hapësirë të caktuar, por që e kalon kohën dhe vendin. Kështu ajo bëhet udhëheqje për veprim, është si një dritë për të parë më mirë e më larg gjithnjë duke qenë pararojë e shkencave të tjera. Kështu njeh veten, shoqërinë, jetën ku ndodhesh, nga vjen e për ku shkon. Bëhet një mësuese e dobishme për jetën.

Kur unë po studioja letërsinë e huaj, kisha mijëra faqe romanesh, dramash, tragjedish për të lexuar, konspektuar dhe përgatitur. Ishte e pamundur të arrihej brenda kohës që kishim për provim. Me gjithë zemër e kam falënderuar Nolin e madh e i kam uruar jetë të gjatë (ishte gjallë) për introduktat (parathëniet, hyrjet) në fillim të veprave të Shekspirit, që më lehtësoi shumë kuptimin e shpejtë të veprave të përkthyera prej tij. Këtë fat do të ketë edhe kjo vepër e dr. Luzhës. Nga ai që ka pasuri intelektuale ka të mirë gjithkush. Ajo nuk tretet si buka, as si trupi i njeriut në dhe. Ajo është dhe mbetet kurdoherë pasuri e të gjithëve.

Shoqëria e sotme ka arritur këtë stad zhvillimi pikërisht sepse e ka thithur e përpunuar dijen e brezave të shkuar. Edhe dr. Luzha ka vepruar kështu. Çdo intelektual ka pasuri dijesh. Është në të mirë të tij dhe të shoqërisë t`ia lënë të shkruara kësaj bote. Koha, si gjyqtarja e pagabuar, nuk pushon së situri edhe dijet e çdo kohe; të vlefshmet i pronëson, të tjerat i lë mënjanë. Brezat pasues qëndrojnë si mbi supet (dijet) e brezave të mëparshëm, shohin më larg, më shumë dhe më qartë, prandaj vazhdimisht krijojnë, prodhojnë e përparojnë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›