Krim i dyfishtë në Tiranë, ekzekutohen nënë e bir
Flutura e Elton Deliu janë ekzekutuar në banesë. Policia: 32-vjeçarit të njohur si trafikant droge, iu bë atentat 3 vjet më parë për prishje të pazareve të drogës
Krim i dyfishtë pas Presidencës në kryeqytet, ekzekutohen nënë e bir brenda në banesë. Ngjarja e rëndë është shënuar pasditen e djeshme, kur persona ende të paidentifikuar nga policia kanë qëlluar për vdekje në banesën e tyre shtetasit Flutura e Elton Deliu. Nga të dhënat e para mësohet se gruaja ka vdekur në vend, ndërsa i biri ka humbur jetën gjatë transportit për në spital. Dy viktimat dyshohet të jenë qëlluar disa herë me pistoletë, pasi 32-vjeçari ka pasur 6 plumba në trup dhe 5 në kokë. Por, breshëria ndaj të riut nuk ka mjaftuar për atentatorët, pasi plumbat nuk janë kursyer edhe për nënën e tij, e cila ka mbetur e vdekur në vend nga një plumb që ka marrë në kokë. Vrasja dyshohet të jetë bërë me pistoletë me silenciator. Hetimet e para hedhin dyshimet për një vrasje me motiv hakmarrjen, duke dyshuar se krimi i dyfishtë që ka pasur si objekt 32-vjeçarin Elton Deliu, të ketë ndodhur për larje hesapesh. Këto dyshime të policisë, sipas hetimeve, bazohen në të shkuarën e Deliut, i cili ka precedentë të mëparshëm penalë. 32-vjeçari i njohur me pseudonimin “Kuqi” njihet si ndër trafikantët e drogës në kryeqytet dhe i ndaluar pak muaj më parë për këtë vepër penale. Sipas të dhënave të policisë, ndaj këtij shtetasi është përgatitur një atentat 3 vjet më parë në qendër të Tiranës dhe shkak ka qenë prishja e pazareve të drogës. Megjithatë, policia e kryeqytetit ka ngritur dy pista hetimi për këtë vrasje, përveç asaj të hakmarrjes, edhe pistën e krimit në familje.
Ngjarja
Ngjarja ka ndodhur në orën 15:00, në rrugën që të çon te Garda, afër Fakultetit Juridik, te një pallat afër ish-pub “Moulinos”, sot një pikë lotosh sportive. Sipas policisë së Tiranës, në katin e pestë të pallatit, ku banonte familja Deliu, u gjet e vdekur gruaja, Flutura Deliu, 53 vjeçe, dhe i plagosur në gjendje kome, djali i saj 32-vjeçar, Elton Deliu. Në banesën ku u krye krimi, po sipas të dhënave të para hetimore, mësohet të jetë gjetur edhe gruaja e viktimës Elton, e cila ishte shtatzënë. Pas mbërritjes së grupit hetimor në vendin e ngjarjes dhe ekspertimit të banesës ku ndodhi krimi i dyfishtë, ekspertët kanë mundur të japin një dinamikë fillestare për ngjarjen. E rëndësishme konsiderohet edhe dëshmia e gruas së viktimës 32-vjeçare, të cilës atentatorët ia kanë kursyer plumbat. Nga hetimet e para mësohet se nëna e Elton Deliut është gjetur e vdekur në shtratin e dhomës së saj, kurse në dhomën tjetër, djali me plagë të rënda në trup. Ai u dërgua për në spital, por gjatë rrugës ndërroi jetë për shkak të plagëve të shkaktuara nga të shtënat e shumta të pistoletës në kokë dhe trup. Nga hetimet paraprake, dyshohet se një person i vetëm ka hipur në katin e pestë të pallatit dhe ka hyrë në banesën e familjes Deliu, ku edhe ka hapur zjarr me një armë të llojit pistoletë dhe më tej është zhdukur me shpejtësi për t’i shpëtuar ndjekjes së mundshme policore. Por, zyrtarisht policia tha se po heton dy pista për ngjarjen, jo vetëm atë të një atentati për hakmarrje të mundshme, por dhe mundësinë e krimit në familje. Nga të dhënat policore, del se Elton Deliu njihej në zonë me emrin “Kuqi”, i identifikuar nga policia si i dyshuar për përfshirje në trafik të lëndëve narkotike.
Viktima Deliu u kap me pistoletë 2 muaj më parë
Viktima para disa muajsh ishte ndaluar nën dyshimet për trafik droge, por u la i lirë më vonë, pasi një sasi pluhuri për të cilën policia aludoi se ishte heroinë, konkludoi se ishte përzierës. Policia e kryeqytetit shoqëroi dy shtetas, pasi i kapi në posedim të një pistolete dhe pas shoqërimit për në polici, në banesën e njërit prej tyre u sekuestruan 4 kg e 250 gramë përzierës heroine. Shtetasit e ndaluar ishin 32-vjeçari, Elton Deliu dhe 23-vjeçari, Fatjon Kuçaj. Sipas policisë, ka qenë një taksist që ka denoncuar dy të rinjtë, pasi ka konstatuar se njëri prej tyre kishte një pistoletë. Arrestimi i tyre u krye në afërsi të bulevardit “Zogu i Parë”. Pistoleta iu gjet Deliut, i cili u ekzekutua pasditen e djeshme nga persona ende të paidentifikuar. Përzierësi është gjetur në banesën e Kuçajt, pasi u ndalua nga policia.
Atentati i parë ndaj Deliut
Në qershor të vitit 2005, shtetasit Kildi Kodra e Erald Bakalli dhanë urdhër për ekzekutimin e shokut të tyre, Elton Deliu, për prishje të pazareve të drogës. Atentati dështoi dhe policia vuri në pranga dy atentatorët, Elvin Spahillari e Endri Cali, ndërkohë që disa muaj më pas, RENEA arrestoi edhe dy porositësit e krimit, Bakallin e Kodrën. Sipas policisë së kryeqytetit, por edhe një vendimi të gjykatës që ka marrë formën e prerë, konflikti mes Deliut dhe shtetasve Elvin Spahillari e Endri Cali, ka filluar kohë para ngjarjes. Qershorin e vitit 2005, Kodra, Bakalli, Cali e Spahillari i kishin përgatitur një atentat Deliut, i cili më parë kishte qenë miku i tyre. Bandat janë përleshur me armë zjarri, teksa Deliu lëvizte me një mjet tip BMV, ngjyrë të zezë, e u ndoq nga dy makina, njëra “Benz Slloun” me targa DR 2572 C e një tjetër “Benz” me targa TR 0072 J, ngjyrë jeshile. Automjetet janë përballur në rrugën “Ramazan Shijaku”, në afërsi të “Rrugës së Barrikadave” ku dhe qëlluan me armë zjarri. Spahillari e Cali, duke u ndihmuar edhe nga Kodra e Bakalli, kanë gjuajtur në drejtim të Deliut për ta ekzekutuar. Ky i fundit u është kundërpërgjigjur kundërshtarëve të tij me të njëjtën mënyrë, e më pas përplasi mjetin e tij në një mur dhe pasi e kapërceu atë, u largua në këmbë.