E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen 6 persona në dy operacione, akuzohen për vjedhje

Tiranë

Gjashtë persona janë vënë në pranga nga policia, pasi akuzohen për vjedhje makinash dhe mallrash. Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, policia e Tiranës njoftoi se të dyshuarit janë ndaluar në dy operacione të ndryshme, ndërkohë që të tjerë janë nën hetim në gjendje të lirë. Të dyshuar për akuzën e “vjedhjes”, efektivët e komisariatit numër 4, në Tiranë kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasve Shaban Miftari, 38 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Paskuqan, Erlis Nikolli, 18 vjeç, lindur në Lezhë dhe banues në Tiranë, si dhe Sh. M., 16 vjeç, lindur në Lushnjë dhe banues në Tiranë. Sipas policisë, arrestimi i tyre u krye pasi u dokumentua tërësisht implikimi i tyre në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ku dyshohet se kanë kryer disa vjedhje. Sipas policisë, më 26 dhjetor 2008, vjedhjen e pasqyrave të mjetit tip “Benz”, me targa TR 3829 L, më 22 dhjetor 2008, vjedhjen e pasqyrave të mjetit tip “Benz”, me targa TR 6949 M. Gjithashtu, po hetohet në gjendje të lirë B. L., 45 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë. Po dy ditë më parë, nga specialistët e seksionit Kundër Vjedhjeve të Automjeteve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Mondi Suka, 30 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Zhej të rrethit Laç, Dardan Hazizi, 21 vjeç, lindur dhe banues në Milot të rrethit Laç, si dhe Dorian Idrizi, 20 vjeç, lindur në Lezhë dhe banues Tiranë. “Arrestimi i tyre u krye pasi u kapën flagrancë në orën 21:00, në “Rrugën e Dibrës”, pranë Medresesë, duke vjedhur një sasi malli nga karroca që po transportonin dy kinezë”, - njoftuan burime zyrtare policore, duke shtuar se “pas kësaj, janë bërë veprimet procedurale. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar malli i vjedhur si dhe makina tip “Golf” ngjyrë gri me targë LA 1760 A, me të cilën dyshohet se kanë lëvizur autorët. Materialet për të shtatë personat i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës, nën akuzën e “vjedhjes në bashkëpunim”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›