E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjaken rrugët, humbin jetën aksidentalisht 5 të rinj



Shkak i aksidenteve, sipas ekspertëve, shpejtësia tej normave të lejuara e automjetit dhe përplasja me një automjet tjetër

Përgjaken akset rrugore qysh në orët e para të mëngjesit, shënohen pesë viktima. Aksidentet vdekjeprurëse kanë ndodhur në aksin rrugor Fushë-Krujë –Vorë dhe atë Korçë – Pogradec. Viktimat janë të gjithë të rinj, të moshave respektivisht 19, 23, 25, 26 dhe 28 vjeç. Katër viktimat e para të aksidentit ishin emigrantë në Itali që ktheheshin për festat e fundvitit në shtëpitë e tyre, por pa mundur të kenë fatin të takojnë të dashurit e familjarët e tyre. Për shkak të shpejtësisë tej normave të lejuara, sipas burimeve policore, katër të rinjtë dolën nga rruga dhe u përplasën me reklamat që ndodheshin anës rrugëve. Vdekja për disa ka qenë e menjëhershme, ndërsa për pjesën tjetër rrugës për në Spitalin Ushtarak. Grupi i ekspertëve ka mbërritur menjëherë në vendngjarje për të zbardhur shkaqet, ndërkohë që për disa orë puna e tyre vijoi me identifikimin e viktimave. Sipas burimeve zyrtare policore, aksidenti fatal me katër të vdekur që ndodhi mëngjesin e djeshëm, ka ardhur si pasojë e daljes nga rruga të automjetit të markës “Reno” me targa të huaja VZ 66 YK, me drejtues 28-vjeçarin Lorenc Pirra. Policia e Tiranës tha se për ngjarjen që ndodhi rreth orës 07:00 të mëngjesit, në segmentin rrugor Fushë-Krujë – Vorë në afërsi të vendit të quajtur Ura e Gjolës, hetimet vazhdojnë. Aksidenti i rëndë automobilistik, sipas burimeve policore, solli si pasojë vdekjen e katër të rinjve, përkatësisht të moshave 28, 26, 25 dhe 19 vjeç. Nga përplasja e automjetit “Reno”, pas daljes nga rruga, kanë gjetur vdekjen e menjëhershme, vetë drejtuesi i mjetit Lorenc Pirra, 28 vjeç, lindur e banues në Durrës, si dhe pasagjerët që ndodheshin në këtë mjet Orient Muça, 25 vjeç, lindur e banues në Durrës, i cili gjeti vdekjen përgjatë rrugës për në Spitalin Ushtarak Tiranë, Ilir Haxhi, 26 vjeç, lindur e banues në Durrës dhe Redi Pina, 19 vjeç, gjithashtu lindur e banues në Durrës. Grupi i posaçëm hetimor i përbërë nga ekspertë automobilistikë, tha se po vazhdojnë të punojnë në drejtim të sqarimit të plotë të kësaj ngjarje të rëndë aksidentale. Ekspertët në vendngjarje bënë të ditur se “paraprakisht dyshohet se shkak i këtij aksidenti të rëndë automobilistik të jetë humbja e kontrollit të drejtimit të mjetit dhe shpejtësia tej normave të lejuara”. Sipas ekspertëve në vendngjarje, fillimisht automjeti ka dalë nga rruga përgjatë kthesës në Urën e Gjolës dhe është përplasur më pas me mbajtësen e një reklame. Ndërkohë që një tjetër aksident ka përgjakur aksin rrugor Korçë – Pogradec, duke shënuar viktimën e pestë. Për pasojë humbi jetën një i ri 23-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur në mesditë në aksin rrugor Korçë – Pogradec, pranë fshatit Pirg. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje për të identifikuar viktimën. Trupi i pajetë i përket 23-vjeçarit Fatos Kaloshi nga Peshkopia, i cili ishte duke udhëtuar me mjetin tip “Benz” me targë TR 6887 R, të drejtuar nga Genti Lela. Burime nga policia bëjnë të ditur se makina e drejtuar nga Lela është përplasur me një kamion me targa të Turqisë. Drejtuesi i mjetit është ndaluar menjëherë nga forcat e policisë si shkaktari kryesor i aksidentit. Efektivat e policisë së Korçës filluar hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, ndërkohë që pritet edhe ekspertimi i plotë auto-teknik i mjeteve.

Viktimat e aksidenteve

Lorenc Pirra, 28 vjeç nga Durrësi

Orjent Muça, 25 vjeç, nga Durrësi

Ilir Haxhi, 26 vjeç, nga Durrësi

Redi Pina, 19 vjeç, nga Durrësi

Fatos Kaloshi, 23 vjeç, nga Peshkopia

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›