E Shtunë, 31 Tetor 2026

Terror me armë në Gjirokastër, vetëplagoset



GJIROKASTER- I dehuri terrorizon me kallash banorët e qytetit, e më pas vetëplagoset nga pakujdesia. Ngjarja ndodhi dje në mes të ditës në qytetin e Gjirokastrës, në lagjen “Manalat”. Sipas dëshmitarëve, 64- vjeçari, Besim Mamo, ishte kthyer dje në shtëpi rreth orës 13:00 në gjendje të dehur. Ai ishte ngjitur në katin e dytë të banesës dhe prej andej kishte marrë një armë automatike, të cilën e mbante pa leje. Më pas, ai ka dalë në tarracën e shtëpisë duke qëlluar në ajër me breshëri. Banorët e lagjes janë detyruar të futen të gjithë nëpër shtëpitë e tyre, pa guxuar të dalë asnjëri, pasi arma përdorej në mënyrë të pakontrolluar nga 64- vjeçari. Sipas policisë, Mamo, plagosi veten në mënyrë aksidentale në momentin që po zbriste shkallët drejt portës hyrëse të banesës. Policia e gjeti Mamon të plagosur dhe menjëherë e transportuan atë për në spital. Por plagosja ishte mjaft e rëndë, pasi plumbi i kishte përshkuar nofullën, ndaj kirurgët vendosën që të transportohej me helikopter për një ndërhyrje më të specializuar në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Policia sekuestroi armën automatike model “56”. p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›