Krimet e Rënda larg atentatit ndaj policit, dyshime mbi motivet personale
Dosja për plagosjen me plumb në kokë të policit rrugor, Naim Hyska, i kalon Prokurorisë së Tiranës, duke zbehur hetimet për një atentat ndaj detyrës. Dëshmitë e personave nga Vlora, asnjë të re mbi të dyshuarin
Tiranë Tentativa e vrasjes së punonjësit të policisë rrugore, Naim Hyska, nuk është klasifikuar si ngjarje për shkak të detyrës. Të paktën, hetimet e para tregojnë se atentati me armë zjarri ndaj 46-vjeçarit mund të jetë bërë për motive personale. Ky fakt konfirmohet edhe nga burime pranë policisë, të cilat thanë se materialet për këtë ngjarje, së bashku me dëshmitë në vendin e ngjarjes i janë referuar Prokurorisë së Tiranës. Burime të rezervuara thonë se nën hetim janë të gjitha pistat, përfshi edhe atë të një atentati për shkak të detyrës, por informacione e mbledhura deri tani e kanë orientuar hetimin drejt konflikteve të mundshme personale të efektivit të policisë rrugore, Naim Hyska. Kjo është edhe arsyeja përse dosja penale e hapur për këtë çështje i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës dhe jo Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila ka kompetencën për hetimin e ngjarjeve ku objekt atentati janë ndër të tjera dhe punonjësit e policisë. Edhe pse ngjarja është klasifikuar si “vrasje e mbetur në tentativë”, Krimet e Rënda, si organ i specializuar në hetimin e rasteve të ngjashme nuk janë angazhuar fare në këtë çështje. Edhe ditën e atentatit, i pranishëm në vendngjarje ishte një prej prokurorëve të gatshëm të Prokurorisë së Tiranës. Në raste normale, sikundër parashikon edhe kuadri ligjor apo objekti i punës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, një ngjarje e tillë duhet të hetohej nga ky institucion. Neni 79 pika c, që është objekt direkt i punës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, thotë shprehimisht se vrasja në rrethana të tjera cilësuese ndaj deputetit, gjyqtarit, prokurorit, avokatit, policit, ushtarakut, nëpunësit publik, gjatë detyrës ose për shkak të saj, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura, hetohen nga kjo prokurori. Edhe pse në rastin konkret, objekt i atentatit ka qenë një punonjës policie, dhe për më tepër të dhënat e para e lidhën ngjarjen me detyrën e tij, sërish dosja nuk ka kaluar te Krimet e Rënda. Kjo sipas burimeve argumentohet me faktin se një ndër pistat kryesore që po hetohet për këtë atentat janë edhe konflikte të mundshme personale të oficerit të policisë rrugore. Në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për këtë ngjarje, policia ka shoqëruar rreth 20 persona, të cilët mund të kenë informacione për atentatin ku mbeti i plagosur rëndë punonjësi i policisë, Naim Hyska. Burime pranë policisë së kryeqytetit bëjnë me dije se të shoqëruarit, mes të cilëve familjarë dhe miq të Hyskës, janë pyetur rreth ngjarjes për të siguruar informacione të mundshme mbi autorët e dyshuar të atentatit. Personat e shoqëruar janë nga qytetet e Vlorës dhe Tiranës, ndërkohë që mësohet se të shoqëruarit nga qyteti bregdetar kanë lidhje me një ngjarje të ndodhur në vitin 1998, ku në një operacion policor të drejtuar nga Hyska mbeti i vrarë një person. Por edhe kjo pistë, sipas hetimeve nuk ka sjellë asnjë të dhënë të re, dhe për këtë arsye dosja do të vazhdojë të hetohet nga Prokuroria e Tiranës, derisa grupi hetimor të sigurojë të dhëna që do të lidhin atentatin me detyrën si punonjës policie të 46-vjeçarit.
Hyska në gjendje të rëndë, ende pa dëshmi
Naim Hyska u qëllua katër ditë më parë me plumb në kokë nga një person i paidentifikuar vetëm pak metra larg banesës së tij. Në momentet e ngjarjes, efektivi i policisë ishte në automjetin e tij së bashku me djalin 11-vjeçar, i cili ka parë gjithë ngjarjen e rëndë. Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e 46-vjeçarit mbetet e rëndë, pasi ai duhet t’i nënshtrohet një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale. Kjo është edhe arsyeja që vetë objektivi i atentatit nuk ka dhënë dëshminë e tij, që mund të çonte në identifikimin e autorit. Në cilësinë e dëshmitarit është edhe djali i tij 11-vjeçar, që për shkak të tronditjes së rëndë është nën trajtimin e psikologëve dhe kujdesin e familjarëve përgjatë këtyre ditëve.