Vrau biznesmenin se nuk ra dakord me përqindjen
Ishte bërë pishman për çmimin me të cilin e kishte dhënë tokën dhe kërkonte më shumë. Mosmarrëveshjet kishin kohë që kishin nisur. Policia, kërkim banesave të të afërmve të të dyshuarit
Pazari mbi përqindjen që i takonte në ndërtimin që po bëhej në tokën e tij ka qenë arsyeja e konfliktit mes Adnan Gorit dhe biznesmenit Ardian Dervishi, që ai e ekzekutoi këtë të fundit dje pasdite në Vlorë. Burime nga policia e qytetit thanë se kishin shoqëruar 10 persona dhe marrë në pyetje disa të tjerë për të zbuluar vendndodhjen e Gorit.
Motivet
Policia ka zbardhur edhe arsyet e sherrit që ndodhi pak para vrasjes dhe që besohet se është motiv i saj. Sipas bluve, Gori i ka besuar tokën 52-vjeçarit dhe ky do të ndërtonte aty një kompleks pallatesh në këmbim të një përqindjeje që merrnin pronarët. Sipas burimeve të policisë dhe grupit hetimor, vrasja e 52-vjeçarit ka ndodhur pikërisht sepse palët nuk kanë rënë dakord mbi këtë përqindje. Sipas policisë duket se Gori nuk ka qenë i kënaqur me marrëveshjen e arritur më herët dhe ka kërkuar më shumë në pallatet që po ndërtoheshin buzë rrugës transballkanike. Të njohur të viktimës sqaruan gjithashtu se ai ka pasur një biznes të tijin për shitjen tullash, si dhe së fundi do të ndërtonte një godinë pallati së bashku me persona të tjerë, për këtë qëllim kishin blerë dhe sipërfaqen e tokës nga Gori, i cili më pas është bërë pishman për përqindjen e përfituar dhe ka kërkuar më shumë përqindje pallati për sipërfaqen e dhënë për ndërtim.
Ngjarja
Autori dhe viktima kanë replikuar disa herë me njëri-tjetrin edhe para ditës së djeshme për mosndarje të kënaqshme të përqindjes së apartamenteve. Pasditen e së dielës Gori i ka kërkuar takim në telefon viktimës dhe më pas e kanë lënë në rrugën transballkanike, aty ku kishte biznesin viktima. Gjatë bisedës Gori ka kërkuar përqindje më shumë, ndërsa viktima i ka thënë se ka marrë përqindjen që i takon, madje siç thonë dëshmitarë, ai i ka thënë se ka marrë edhe më shumë sesa i takon. Ata kanë replikuar ashpër disa minuta me njëri-tjetrin dhe më pas kanë filluar të shahen mes tyre; në gjaknxehtësi e sipër autori ka nxjerrë armën tip pistoletë dhe ka qëlluar në drejtim të 52-vjeçarit duke e lënë atë të plagosur rëndë, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes me shpejtësi me makinën e tij. I plagosuri është dërguar në spitalin rajonal, por edhe pse i është nënshtruar për disa orë ndërhyrjes kirurgjikale, mjekët nuk kanë mundur t’i shpëtojnë jetën.
Policia po punon për kapjen e autorit të vrasjes së 52-vjeçarit. Në qytet, që prej natës së kaluar janë ngritur disa postblloqe, si edhe në rrugët nacionale ku kontrollojnë gjithë lëvizjet e automjeteve dhe të personave. Ndërkohë, blutë kanë kryer kontrolle në disa banesa të të afërmve të autorit të vrasjes, jo vetëm në qytet, por edhe në fshatrat e Vlorës.