Kapet në Durrës me 700 kilogramë drogë në kamionçinë
Policia ka arrestuar Redi Furxhin, ndërsa saktëson se droga ishte nisur për në Itali. I riu nuk ishte munduar as të fshihte pakot e narkotikut që transportonte
Nuk dihet ende se si kishte menduar Redi Furxhi të kalonte 7-8 kuintalë hashash me anë të një kamionçine për në Itali, por ai ia kishte dalë të mbërrinte nderi në pikën e kontrollit të antidrogës në portin e Durrësit. Burime nga policia thonë se 24-vjeçari kishte bërë vetëm një mbulim minimal të narkotikut dhe duket se ka menduar të përfitojë nga rrëmuja dhe kalimet masive në port.
Zbulimi
Policia tha se 24-vjeçari Furxhi ishte nisur të hipte makinën në një traget të linjës. Gjithçka ka qenë normale dhe makina duket ka pasur një mbulesë mbi ngarkesën me drogë. Ka qenë vetëm një rastësi, por edhe fakti që numri i kontrolleve është shumëfishuar në këto kohë në port, që policia ka mundur ta zbulojë atë. Ndërsa duhej të kalonte në pikën e kontrollit të antidrogës, atij i kanë bërë shenjë të ndalojë dhe agjentëve u është dashur vetëm pak punë për të zbuluar se ngarkesa që ai kishte në kamionçinë ishte hashash. Policia tha se i riu nuk ishte shqetësuar ta maskonte ngarkesën, duket nga besimi se do mund të kalonte duke iu shmangur kontrollit.
Hetimi
Vetëm duke numëruar pakot, policia tha se mund të ishin 700 deri në 800 kilogramë lëndë narkotike e llojit kanabis-sativa, e cila është sekuestruar menjëherë. Operacioni ishte ende në vazhdim në orët e vona të mbrëmjes, ndërsa policia tha se po merrte në pyetje të riun e ndaluar, si dhe po hetonte për të zbuluar pjesë të tjera të rrjetit. Sipas policisë, mjeti me targa AA 078 CC po tentonte të kalonte drejt Italisë përmes tragetit të linjës Durrës-Bari, dhe u ndalua pak para se të hipte në traget. Duket se destinacioni i drogës ishte Italia, edhe pse nuk ka asgjë të qartë nëse ajo do të ndalonte në jug, apo do të vazhdonte të lëvizte më lart në shtetin fqinj. Policia beson se ndodhet në gjurmët e një grupi të rëndësishëm dhe hetimet po kryhen me kujdes. Hetimet ndërkohë pritet të zbardhin edhe furnizuesit e kësaj sasie jo të zakonshme narkotiku.