E Diel, 1 Nëntor 2026

“21 janari”, 14 gëzhojat, jo të armëve të Gardës

Nga hetimet e Prokurorisë, rezulton se 14 gëzhoja armësh nuk janë nxjerrë nga armët e Gardës së Republikës, çka do të thotë se demonstratë ka pasur edhe persona të armatosur.

Gjatë asaj kohe, u sekuestruan 51 automatikë, nga të cilët kishin dalë rreth 117 plumba, gëzhojat e të cilëve u gjetën në vendin e ngjarjes.

Në materialin zyrtar të Prokurorisë së Tiranës, shkruan “Panorama”, nuk jepet asnjë sqarim se kujt i përkasin gëzhojat në fjalë dhe cila mund të jetë arma që i ka qitur ato.

“Rezulton e provuar se gjatë zhvillimit të tubimit është ushtruar dhunë nga shumë pjesëmarrës me mjete të forta rrethanore të rrezikshme për jetën dhe shëndetin; po kështu, pas përfundimit të demonstratës, ka rezultuar se kanë mbetur të vrarë tre demonstrues.

Gjatë hetimeve paraprake ka rezultuar se vdekja e këtyre shtetasve gjatë demonstratë ka ardhur si rezultat i goditjes me armë zjarri, pasi secili prej tyre ka marrë nga një plumb. Pas sekuestrimit të të gjitha armëve të përdoruara nga efektivët e Gardës së Republikës në ditën e demonstratës për ruajtjen e institucionit të Kryeministrisë, ato i janë nënshtruar ekspertimit balistik. Sipas konkluzionit përfundimtar të aktit të ekspertimit balistik, nr. 1022, datë 08.02.111, rezulton se nga 131 gëzhoja të gjetura në vendngjarje, brenda rrethimit të Kryeministrisë dhe kryesisht në pozicionet ku ishin vendosur rojet e Gardës së Republikës, 117 prej tyre janë qitur nga 51 automatikë 9mm të sekuestruar te Garda.

Prokuroria ka sekuestruar te Garda, ashtu siç është thënë, edhe të paktën 29 pistoleta, por në dokumentin e akuzës për “grupin e zjarrit” nuk përmendet që 14 gëzhojat që nuk kanë dalë të automatikëve t’u përkasin pistoletave. Aktualisht, me kërkesë të prokurorisë, disa pistoleta të Gardës, gëzhojat dhe serveri i kamerave të Kryeministrisë, janë analizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por në dokumentin në fjalë nuk përmendet ndonjë fakt sa u përket gëzhojave dhe ekspertizave të armëve. Mister ka mbetur edhe vrasja e Aleks Nikës dhe Faik Myrtos, predhat e të cilëve janë gjetur në kufoma, por nga ekspertizat nuk janë përputhur me armët e Gardës së Republikës”. /Start/

                                                                                             2011-12-28 09:54
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›