E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda letër Turqisë për Aldo Baren

 

TIRANE - Togat e zeza të Krimeve të Rënda vendosën dje nisjen e letërporosive të reja në Ankara, për t'i "hapur rrugë" gjykimit në këtë gjykatë për të akuzuarin si kreu i Bandës së Lushnjës, Aldo Bare. Në këto letërporosi, Bares do t'i kërkohet konfirmimi për gjithçka në lidhje me procesin e tij në Shqipëri. Seanca e radhës, ku pritet të jenë kthyer përgjigjet e letërporosive, u caktua në datën 21 tetor. Ditën e djeshme është zhvilluar seanca ndaj Bares, e para seancë në radhë pas veçimit të dosjes në ngarkim të tij nga i akuzuari tjetër i bandës, Enver Dondollaku. Një pesëshe gjyqtarësh të Gjykatës së Tiranës, të deleguar nga KLD te Krimet e Rënda, posaçërisht për këtë çështje, të kryesuar nga gjyqtarja Fatmira Hajdari, kanë filluar seancën për gjykimin e Bares, të njohur edhe si Alfred Shkurti. Të pranishëm në seancën e djeshme kanë qenë edhe familjarë të të pandehurit Bare. Të pyetur nga gjykata, ata mohuan që njoftimi i gjykatës për fillimin e procesit gjyqësor të pjesëtarit të tyre të familjes të kishte mbërritur në adresën e tyre. "Nuk na ka ardhur asnjë njoftim i gjykatës. Kemi ardhur sot në seancë të njoftuar vetëm nga lajmet e publikuara në media", është përgjigjur një prej familjareve të të pandehurit.  Në vijim gjykata vendosi dërgimin e letërporosive të reja në burgun e Ankarasë, ku Bare qëndron i arrestuar që prej arrestimit të tij në tetor të vitit 2005. Në letërporositë, Bares i kërkohet të konfirmojë nëse do të gjykohet në mungesë, nëse pranon pesëshen e gjyqtarëve të caktuar për gjykimin e tij, nëse kërkon apo jo avokat, si edhe nëse lejon kërkesën për gjykim të shkurtuar. Dosja në ngarkim të Aldo Bares te Krimet e Rënda u veçua nga ajo e Enver Dondollakut më 29 maj 2009, kur kjo gjykatë pranoi gjykimin e shkurtuar por këtë të fundit.                                   ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›