E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e 6-vjeçarit: Serumi në spital

 

Fëmija 6 vjeç nga fshati Leminot i Korçës, i cili u pickua nga gjarpri të dielën e kaluar ka vdekur nga pakujdesia e mjekëve. Në këtë rezultat ka dalë dje stafi i mjekëve, të cilët konfirmuan se në farmacinë e spitalit ka pasur serum antivipera. Pas skandalit të vdekjes së të miturit Viktor Balliu, dje drejtuesit e qendrës spitalore në Korçë zhvilluan një mbledhje urgjente, e cila ka zgjatur për disa orë. Në këtë mbledhje është analizuar rasti i fëmijës së pickuar nga gjarpri, si dhe veprimet e mjekëve, të cilët kanë qenë në punë ditën e diel, kur ka ndodhur edhe ngjarja. Në këtë mbledhje u nënvizua se serumi antivipera, i nevojshëm për t’u përdorur si antidot tek fëmija i helmuar, disponohej në farmacinë e spitalit. Shefi i pavijonit të kirurgjisë Bujar Isaku, u shpreh se në kartelën e 6-vjeçarit është shkruar: “Serumi antivipera nuk disponohet në farmacinë e spitalit”. Por Isaku nënvizoi më tej për gazetën se pas kësaj ngjarjeje është verifikuar gjendja në farmaci nga ku është konstatuar se ky serum, që përdoret për helmimet e forta, disponohej. Mjekë e infermierë të tjerë pohojnë nën zë se djali kur ka ardhur në urgjencën e spitalit nuk ka qenë në gjendje aq të rëndë. Sipas tyre, vonesa e dhënies së ndihmës shëndetësore ka ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së tij. Kur mjekët kanë parë se gjendja e fëmijës kishte kaluar mundësitë reale të shpëtimit nga ana e tyre, atëherë ata vendosën ta dërgojnë në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Por veprimet e tyre të vonuara sollën edhe vdekjen e fëmijës në mes të rrugës për në spitalin e Tiranës. Mësohet se mjekët që ishin të dielën në punë dhe që i kanë shërbyer fëmijës kanë qenë kirurgët Ladi Ballço, Landi Çule dhe reanimatori Ilir Milo. Por asnjëri prej tyre nuk ka pranuar dje të japë një prononcim, duke e quajtur të mjaftueshëm deklaratën e shefit të Pavijonit të Kirurgjisë Bujar Isaku. Burime nga mjekët që ishin dje të pranishëm në mbledhje bënë të ditur se gjatë analizës u fol për përpjekjet që bënë mjekët roje të ditës së diel, për ta shpëtuar djalin nga vdekja, ndërsa faji apo përgjegjësia e tyre u kaluan heshturazi. I pyetur nga gazeta drejtori i Qendrës Spitalore, Gjergji Denasi, u shpreh se sot do të konkludojnë rreth përgjegjësive konkrete nëse ka të tilla. “Mund të them me bindje se helmimi i 6-vjeçarit nga gjarpri ka qenë i fortë”, u shpreh Denasi. Një ditë më parë ai pranoi se serumi antivipera ndodhej në farmacinë e spitalit. Krahas punës së Drejtorisë së Qendrës Spitalore për të analizuar rastin konkret të vdekjes së vogëlushit, dje janë parë në mjediset e spitalit edhe prokurorë të Korçës. Tani është e qartë se personat që i shërbyen djalit janë dy kirurgë, një mjek reanimator disa infermierë dhe farmacistja roje. Mes tyre është edhe përgjegjësia e faktit që serumi disponohej dhe nuk iu afrua fëmijës së helmuar. Për të zbardhur të vërtetën dje pasdite ka filluar edhe marrja e tyre në pyetje nga organi i prokurorisë.

Vogëlushit i jepet lamtumira e fundit, familja: Të hetohet
KORÇE - Në fshatin Leminot, vogëlushit Viktor Balla iu dha dje lamtumira e fundit. Prindërit e tij nuk mundën t’i shpëtojnë jetën djalit për 8 mijë lekë. Të alarmuar ditën e ngjarjes ata e nisën menjëherë 6-vjeçarin në spital. Por aty ata nuk gjetën gatishmërinë e stafit të mjekëve për t’i shpëtuar fëmijën. Madje ata i kërkuan familjes së varfër Balla, që të shkonin e ta blinin serumin antivipera në një nga farmacitë private të qytetit. Të gjendur të papërgatitur ata u dorëzuan para mjekëve. Familjarët kishin dalë të alarmuar me fëmijën dhe nuk kishin marrë para me vete. Pas vdekjes së fëmijës gjatë rrugës për në Spitalin Ushtarak të Tiranës, prindërit e 6-vjeçarit të vdekur akuzuan publikisht mjekët, të cilët kishin neglizhuar, duke mos i dhënë viktimës serumin që do t’i shpëtonte atij jetën. Familja Balla kërkoi edhe dje që drejtësia të çojë para përgjegjësisë mjekët. Ata këmbëngulin se djali i tyre ndërroi jetë vetëm për një serum, që ndodhej në spital, por mjekët refuzuan t’ia injektonin. Vogëlushi ishte nisur bashkë me të vëllain të dielën e kaluar për t’u larë në rezervuarin e fshatit. Por gjatë rrugës, teksa po kalonin në një arë me jonxhë, gjarpri e ka pickuar atë në këmbë. Mungesa e mjekimit ndikoi që ai të mos i mbijetonte dot helmit vdekjeprurës.

Godo kërkon informacion për ngjarjen

Pas skandalit të publikuar në media, ku fëmija 6 vjeç i pickuar nga gjarpri ndërroi jetë nga pakujdesia e mjekëve, ka reaguar ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Burime nga spitali i Korçës bënë të ditur se Godo ka kërkuar dje informacion të imtësishëm nga Drejtoria e Qendrës Spitalore të Korçës. Ndërsa sot pritet të  mbërrijë me urdhër të saj një grup ekspertësh nga Tirana për të verifikuar nga afër ngjarjen dhe për të evidentuar përgjegjësitë personale dhe kolektive në këtë spital. Grupi i ekspertëve mësohet se do të jenë nga dikasteri i shëndetësisë. Pasi të kenë marrë informacionin e duhur, ata do ta raportojnë atë sërish tek zyrtarët e Tiranës nga ku më pas pritet të merren edhe masa konkrete për stafin e mjekëve, të cilët nuk i dhanë vogëlushit serumin antivipera, por iu kërkuan prindërve të tij ta blinin atë në farmacitë private në qytet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›