Bulqizë, spitali 3 muaj pa medikamente
BULQIZE - Prej tre muajsh spitali i Bulqizës nuk ka ilaçe për shkak të dështimit të tenderimit. Sipas drejtorit të shëndetit publik për Dibrën, Adrian Bitri, shkak i kësaj situate është pjesëmarrja e pamjaftueshme e firmave tenderuese. Afro 60 mijë banorë të rrethit Bulqizë duhet të presin zhvillimin e tenderit apo zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të këtij komisioni me firmat farmaceutike konkurrente, që ata të mos blejnë gjithçka me lekë në dorë. As spitali dhe as qendrat shëndetësore në këtë rreth nuk të ofrojnë asnjë shërbim. Të afërmit e pacientëve janë të detyruar të sigurojnë gjithçka privatisht. Pasojat do t‘i vuajnë pacientët që kurohen në këtë spital, por më e rëndë gjendja do vijojë të jetë për fëmijët, pasi në këto ditë me temperatura të larta, numri i atyre që vijnë pranë spitalit është në rritje, dhe prindërve do t‘u duhet që edhe fashat, alkoolin dhe shiringat t‘i blejnë në farmacitë e qytetit. Mjekët thonë se situata është tejet alarmante, pasi në kushte të tilla spitali nuk plotëson as standardet e një qendre shëndetësore, jo më të një spitali që u shërben rreth 60 mijë banorëve që ka rrethi. Por ajo që është vërtet alarmante është fakti, se kjo gjendje do të vazhdojë dhe për disa muaj dhe nuk dihet se kur do të përfundojë. Anulimi i tenderit të dytë do të shtyjë edhe për disa muaj të tjerë furnizimin me medikamente të spitalit të Bulqizës. h.p