E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthimi te Parlamenti,dosja pa autor në polici

 

Trazhgim Sokolaj

Prokuroria delegon në polici për mungesë autori dosjen penale të ngjarjes së ndodhur pak ditë më parë përballë Parlamentit të Shqipërisë, ku një automjet shpërtheu nga eksplozivi. Një javë pas ngjarjes, grupi i hetimit pohon se nuk ka persona të dyshuar për krimin, ndaj të cilëve mund të vazhdojë ndjekja penale. Shpërthimi me eksploziv në automjetin fuoristradë, me targa TR 3838 M, në përdorim të Benard Ujkajt, 48 vjeç, ish-drejtor i Inspektoratit Urban në Bashkinë e Tiranës duhet të hetohet në rrugë operative nga policia, deri në identifikimin e autorëve të dyshuar të ngjarjes. Burime të prokurorisë së kryeqytetit thanë se kanë marrë në shqyrtim të gjitha materialet e hetimit, përfshi raportin e vendit të ngjarjes, disa ekspertiza mbi lëndën plasëse të përdorur si dhe deklarimet e dëshmitarëve dhe vetë përdoruesit të automjetit. "Nga shqyrtimi i këtyre provave nuk është arritur të identifikohet autori i veprës penale. Ngjarja po hetohet me akuzën e "shkatërrimit të pronës me eksploziv", thanë burimet nga Prokuroria. Sipas tyre, organi i akuzës ka lënë disa detyra për plotësim nga policia, me qëllim zbulimin e autorëve të ngjarjes. Për këtë shkak dosja është rikthyer në policinë e Tiranës ndërsa veprimet po kryhen në bashkëpunim me Prokurorinë e kryeqytetit. Sipas hetuesve, raporti i vendit të ngjarjes që përfshin këqyrjen e automjetit, si dhe provave të tjera të gjetura aty, nuk përmban elementë me vlerë identifikuese siç janë shenjat e gishtave apo gjurmët e ndryshme. Dëshmitarët e pyetur nga policia dhe prokuroria, kryesisht punonjës lokalesh dhe biznesesh pranë vendit të ngjarjes, por edhe kalimtarë që u ndodhën përballë Parlamentit, nuk kanë arritur të japin përshkrime identifikuese për autorët e ngjarjes. Nga ana tjetër, Benard Ujkaj, i cili të nesërmen e ngjarjes u thirr për t'u pyetur në polici, nuk ka përmendur emra personash me të cilët mund të jetë në konflikt. Ai ka thënë se gjatë kohës që ka qenë shef i Inspektoratit Urban në Bashkinë e Tiranës ka pasur përplasje me persona të ndryshëm por kjo ka ndodhur për zbatimin e ligjit. Përdoruesi i fuoristradës "Cuv Hover", që rezultonte në emër të kompanisë "Galaxi Motors Palace", ka mohuar që ngjarja të kishte shkak konflikte apo mosmarrëveshje të tij personale. Shpërthimi ndodhi javën që shkoi më 15 korrik, rreth orës 23:00 të mbrëmjes, në kohën që makina ishte parkuar dhe pranë saj nuk kishte njeri. Si pasojë e ngjarjes u dëmtuan edhe disa mjete të tjera përreth objektivit të shpërthimit, si dhe disa objekte private, ndërsa policia tha se po heton konfliktet e ish-zyrtarit të Bashkisë Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›