Kufiri detar me Greqinë ekziston dhe njihet nga OKB
Prof. Dr. Ksenofon Krisafi
Njoftimi që u dha këto ditë për nismën e qeverisë greke për shpalljen në mënyrë të njëanshme të kufijve të saj detarë dhe për depozitimin e aktit përkatës me koordinatat ndarëse, ka të bëjë me kufijtë që ndajnë ujërat territoriale, ‘shelfin kontinental’ dhe Zonën Ekonomike Ekskluzive dhe eventualisht zonat speciale. Duket se bëhet fjalë për ato kufij që nuk kanë problem për t’u përcaktuar, për hapësirat detare që nuk kanë përballë apo në krah të tyre territore detare që iu përkasin shteteve të tjerë. Sepse në rastin e këtyre të fundit, në zbatim të ‘Konventës për të Drejtën e Detit’, të ‘Montego Bay’, të vitit 1982, si dhe të akteve të tjerë të së ‘Drejtës së Detit’, lypsen të përcaktohen me marrëveshje midis shteteve të interesuar. Kjo situatë ka të bëjnë me kufijtë e saj me Shqipërinë, Libinë, Egjiptin, Turqinë etj, të cilat nuk mund të përcaktohen dot në mënyrë të njëanshme as nga Greqia dhe as nga shtetet përballë saj të përmendur më lartë. Ato caktohen vetëm me marrëveshje midis tyre, siç ka bërë Greqia p.sh. me Italinë apo Shqipëria me Italinë. Vendosja dhe shpallja e kufijve detarë në rastet e këtyre shteteve, përfshirë këtu edhe Greqinë pa marrëveshje, do të përbënte shkelje të normave dhe parimeve bazë të së ‘Drejtës së Detit’ dhe të ‘Drejtës ndërkombëtare’. Pra, është e drejta e saj që, me anë marrëveshjesh, të përfunduara në kushtet e përcaktuara nga legjislacioni i brendshëm i saj dhe i shteteve përkatës, si dhe nga ‘Konventa e Vjenës’ e vitit 1969 “Për të Drejtën e Traktateve”, duke respektuar parimet e rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare si barazinë sovrane, paprekshmërinë territoriale, mospërdorimin e mashtrimit, presionit, kërcënimit etj, pa prekur natyrisht interesat e shteteve të tjerë, të këtë të qartë kufijtë e vet detarë. Sa i përket kufijve me Shqipërinë, deri më sot, në kushtet e mungesës së një marrëveshjeje bilaterale, ato janë të përcaktuara nga vendimi i ‘Konferencës së Londrës’ i vitit 1913 dhe protokollet e Firences të viteve 1913 dhe 1925 si dhe nga aktet e brendshme të të dy shteteve. Kufiri detar shqiptaro – grek, në një pjesë të tij, ka qenë dhe është i përcaktuar nga pala greke. Me Ligjin 230/1936, në vitin 1936 e kishte vendosur gjerësinë e ujërave të veta territoriale në 6 milje detare. Kurse sipas Protokollit të Firences së vitit 1925, në hapësirën detare që shtrihet nga piramida 79/III, kufiri detar ndjek perpendikularen që fillon prej saj dhe vazhdon në zonën e kanalit të Korfuzit në vijën e mesit midis dy brigjeve. Sikurse Shqipëria ka pranuar në heshtje gjerësinë e ujërave territoriale greke në masën e 6 miljeve, ashtu edhe Greqia, në të njëjtën mënyrë ka pranuar gjerësinë prej 12 miljesh detare të shpallur nga shteti shqiptar dhe përcaktimin e vijës së kufirit detar në zonën e Kanalit të Korfuzit tek mesi i tij. Asnjëherë nuk rezulton që të ketë pasur kontestim prej qeverisë greke, përkundrazi është njohur dhe respektuar kjo gjerësi, madje edhe në dokumente zyrtare. Është kjo arsyeja pse them që kufiri shqiptaro-grek në detin Jon është ai që ka qenë, që është njohur dhe është respektuar nga të dyja palët. Prandaj, besoj se Greqia nuk mund të shpallë në mënyrë të njëanshme kufij detarë në zonat me Shqipërinë dhe as të kërkojë të shfrytëzojë pasuritë e ‘shelfit kontinental’ në hapësira të tilla. Nëse do të veprohet në këtë mënyrë, atëherë autoritetet kompetente shqiptare duhet të angazhojnë specialistët përkatës që t'i studiojnë me vëmendje për të parë në se ato cenojnë apo jo kufijtë e Republikës së Shqipërisë.