E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimi i rrugës, ndryshime në policinë kryeqytetase

Gazeta Shqip

Drejtori i Policisë së Tiranës propozon lëvizjen e të gjithë shefave të komisariateve

Rritja e frikshme e krimeve të rrugës ka bërë që policia e kryeqytetit të lëvizë të gjithë shefat e komisariateve, por vala ka kapur edhe nëndrejtorin e Policisë së Tiranës për Rendin dhe Sigurinë Publike. Burimet policore bëjnë të ditur se drejtori aktual, Bernarnd Çaushaj, ka vendosur të ndryshojë gjashtë kryekomisarët që drejtojnë këto komisariate, ndërkohë që një prej tyre pritet të emërohet nëndrejtor. Sipas të dhënave të besueshme pranë personelit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, emrat e personave që lëvizin dhe vendet ku do të shkojnë janë dërguar në zyrën e drejtorit të përgjithshëm dhe nga momenti në moment pritet zyrtarizmi i tyre.

Ndryshimet

Sipas të dhënave paraprake, jozyrtare mësohet se Erzen Breçani, shefi i Komisariatit Nr. 2 në Tiranë, është liruar nga kjo detyrë dhe është emëruar zëvendësdrejtor për rendin në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Ndërkohë, vendi i tij është zënë nga Gjelosh Prendi, i cili mbante funksionin e shefit të Komisariatit Nr. 1 në Tiranë. Ndërkaq, vendi i Prendit pritet të zihet nga shefi i Komisariatit Nr. 4 në Tiranë, Lulzim Shala, i cili prej kohësh është diskutuar që do të largohet nga Komisariati Nr. 4. Ndërsa në krye të Komisariatit Nr. 4 pritet të shkojë zëvendësdrejtori aktual i rendit, Gazmend Hamitaj, pasi në vendin e tij emërohet Breçani. Gjithashtu, veç këtyre është propozuar edhe një rokadë tjetër. Shefi i Komisariatit Nr. 3 në Tiranë është propozuar të lirohet nga detyra aktuale dhe të emërohet Drejtor i Kufirit dhe Migracionit për Tiranën, kurse Sajmir Boshnjaku, që mban këtë post, pritet të emërohet në një tjetër detyrë. Ndryshimet mësohet se kanë prekur edhe dy komisariatet e tjera, nr. 5 dhe nr. 6. përkatësisht në Kamzë dhe në Kombinat. Dy shefat aktualë, Dritan Lamaj dhe Agron Sulshabani pritet të marrin dy detyra paralele, ndërkohë që në vendet e tyre është propozuar të vijnë shefi i Komisariatit të Malësisë së Madhe dhe shefi i Komisariatit të Policisë së Vlorës. Edhe në këto struktura, jashtë policisë së kryeqytetit pritet të ketë ndryshime të tjera, por ende nuk dihet se kush do të jetë në vendet e lëna vakante. Këto lëvizje mësohet se vijnë me motivacionin për përmirësimin e punës dhe veçanërisht për parandalimin e krimit të rrugës. Ato mendohet se janë propozuar pas një diskutimi mes drejtorit të policisë së Tiranës dhe drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj, i cili është edhe autoriteti për të firmosur për to.

Krimi i rrugës, ndryshime në policinë kryeqytetase burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›