Bashkëpunëtorët e Berishës, të ardhura nga qiratë dhe bonot e thesarit
Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Gjergj Lezhja, merr të ardhura nga 4 zyra në Selanik dhe 3 dyqane në Tiranë
Fatjona Mejdini
Bashkëpunëtorët e Kryeministrit Berisha që punojnë me të në Këshillin e Ministrave përfitojnë të ardhura të konsiderueshme brenda një viti. Kjo duket qartë nga një analizë e deklaratave të tyre të pasurisë, të depozituara për vitin 2011 pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Këto të ardhura nuk vijnë vetëm nga pjesëmarrja e këshilltarëve të Kryeministrit në borde të ndryshme, por dhe investimi në bono thesari, si dhe nga qiratë e shumta mbi objekte që kanë në pronësi. Një shembull i mirë për përfitime të konsiderueshme nga qiratë është dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Gjergj Lezhja, i cili ka dhënë me qira brenda një viti katër zyra në Selanik të Greqisë dhe tre dyqane në Tiranë. Katër apartamente të lëshuara me qira deklaron dhe ish-kreu i Partisë Aleanca Demokratike, aktualisht këshilltari i Kryeministrit Berisha, Neritan Ceka.
Lezhja
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Gjergj Lezhja, deklaron se për vitin 2011 ka arritur të përfitojë 7400 euro dhe pak më shumë se 1 milion lekë nga pronësia mbi katër zyra në Selanik dhe tre dyqane në Tiranë. Po kështu, Lezhja deklaron se disponon të ardhura të kënaqshme nëpër banka, kur thekson se depozitat e tij dhe të bashkëshortes, kapin shifra si 80 mijë euro, 12 mijë euro, 35 mijë euro dhe 18 mijë euro.
Ceka
Ish-kreu i PAD-së, Neritan Ceka, deklaron gjithashtu se përfiton të ardhura të konsiderueshme nga qiratë e apartamenteve të tij. Përveç pagës si këshilltar i Kryeministrit Berisha dhe honoraret si anëtar i bordit të institutit arsimor ISAAT, Ceka bënë publike dhe të ardhurat që merr nga qiratë e 4 apartamenteve. Kështu nga këto qiradhënie, Ceka përfiton një vit 4200 USD, 4800 euro dhe 480 mijë lekë.
Asllani
Këshilltari i Kryeministrit Berisha për pushtetin vendor, Ylli Asllani, përveç përfitimeve që ka nga disa objekteve me qira të dhëna në qytetin e Gjirokastrës përfiton të ardhura vjetore dhe nga bonot e thesarit të investuara pranë Bankës së Shqipërisë. Ylli Asllani thekson se ai ka një vlerë prej 52 mijë eurosh të investuara në bono thesari dhe po kështu bashkëshortja e tij si pasojë e trashëgimisë ka investuar pak më shumë se 12 milionë lekë në bono thesari. Asllani thekson se përfiton të ardhura përveç pagës në Kryeministri dhe nga pjesëmarrja e tij në Këshillin Mbikëqyrës të Portit Sarandë, Këshillin Mbikëqyrës të Ujësjellësit Lushnjë dhe Këshillit Administrativ i Universitetit të Vlorës.
Kosovrasti
Këshilltari i Berishës, Njazi Kosovrasti, i cili ka përfaqësuar dhe Partinë Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka investuar gjithashtu në bono thesari. Në emër të bashkëshortes, Kosovrasti merr përfitime nga 8.2 milionë lekë të investuara në bono thesari. Ai gjithashtu disponon dhe një depozitë bankare prej 2.5 milionë lekësh dhe merr të ardhura mujore si anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe po kështu anëtar i Këshillit të Qarkut.
Milo
Këshilltari i Kryeministrit për Ekonominë, Petraq Milo, ka paguar disa këste parash për zgjerimin e pasurive të tij të paluajtshme për vitin 2011. Kështu ai theksoi se për blerjen e një toke ka paguar një këst prej 182 mijë lekësh dhe rreth 9 mijë euro i ka shpenzuar për apartamentin në Vlorë. 1 milion lekë të tjera Milo i ka paguar për rikonstruksionin e një shtese të bërë në banesën e tij. Ai thekson se të ardhurat e mbetura nga bonot e thesarit i kapin vlerën e 182 mijë lekëve.
Shpenzimet
Këshilltari i Berishës për Territorin, Flamur Kuçi, ka marrë një kredi prej 25 mijë eurosh për blerjen e një makine dhe ka harxhuar 37 mijë euro për blerjen e një apartamenti.
Bashkëpunëtorët e Berishës, të ardhura nga qiratë dhe bonot e thesarit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip