E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimi komunist, në ekstremin e tij

Diskutimet për aprovimin e ligjit mbi dosjet të premten e shkuar treguan edhe njëherë sesa e vështirë është për klasën e sotme politike të trajtojë krimet e diktaturës komuniste edhe tetëmbëdhjetë vjet pas rënies së saj. Këtë klasë e lidhin shumë fije me regjimin më kriminal në historinë e Shqipërisë.

Qarqeve të ndryshme të së majtës nuk iu intereson hapja e dosjeve e arkivave në tërësi dhe dënimi i krimeve të komunizmit, sepse, me pranimin e çfarëdolloj drafti ligjor, partitë e majta do të bëheshin çorap. Ato janë streha e ish-zyrtarëve që kryenin krime apo që jepnin informacion për të ngritur padi të rreme.

Nuk është çudi që, sa herë në Shqipëri hapen probleme të tilla si dënimi i krimeve, denoncimi i kriminelëve dhe spiunëve, dëmshpërblimi i ish-viktimave të komunizmit, partitë e majta në bllok kundërshtojnë dhe largohen si nga parlamenti, ashtu dhe nga të ashtuquajturat “bisedime”. Ndoshta këtu ka nevojë për një shpjegim të veçantë: të gjitha partitë që votojnë kundër hapjes së dosjeve janë të majta.

Më kujtohet viti 1994, kur në parlamentin shqiptar diskutohej ligji mbi statusin e ish-të përndjekurve politikë. Për ironinë e fatit, një ish-ministër i Brendshëm i diktaturës, deputet atëherë e deputet edhe sot, me paturpësinë më të madhe hodhi baltë mbi figurën e mijëra ish-të përndjekurve duke i akuzuar “spiunë”.

Të strehuar nëpër partitë satelite të Partisë së Punës, këta njerëz të paskrupullt dhe sigurisht dhe pa moral kanë guximin të vendosin apo të përpiqen të vendosin mbi të ardhmen tonë. Ata shkruajnë nëpër gazeta, flasin nëpër televizione të ndryshme, predikojnë dhe kërkojnë të na mbushin mendjen se janë njerëz të denjë dhe me përgjegjshmëri politike për ta çuar Shqipërinë përpara.

Në fakt, ata që dikur ishin vegla të diktaturës, kush me hir e kush me pahir, përderisa nuk e pastrojnë ndërgjegjen duke pranuar krimin e duke kërkuar falje, sot janë thjesht të pacipë përtej imagjinatës – deri në kufij kriminalë.

Pas publikimit të shkrimit tim në “TemA” dy javë më parë, mendova se ish-dëshmitarja kundër në gjyqin tim, Adriana Civici-Kovaçi, do të kishte përgjegjësinë minimale të qytetarisë dhe të moralit që të jepte dorëheqje nga posti që mban në LSI, parti-bijë e PS dhe mbesa e PPSH. Ajo duhet të kërkonte falje publikisht në një organ shtypi – ndoshta te gazeta, ku ka akses pa kufi edhe pas zbulimit të saj si dëshmitare në një gjyq politik - ku edhe mund të justifikohej për atë që ka bërë 28 vjet më parë.

Ajo jo vetëm që nuk e bëri këtë, por edhe vazhdoi të shkruajë te “Panorama”, duke u përpjekur të bindte lexuesin se është një person me “përgjegjshmëri politike dhe një qytetare e ndershme”.

Duket se paturpësia nuk ka kufi. Këta njerëz po sillen sikur janë të gatshëm t’i rifusin edhe njëherë në burg ish-at e tyre, bashkëshortët apo bashkëshortet etj.

Kjo është një nga arsyet, pse duhen hapur urgjentisht dosjet, por ka edhe të tjera. Duhet të njohim të vërtetën, duhet të studiojmë pjesën e errët të ndërgjegjes së shoqërisë sonë, duhet të dimë kush është kush, duhet të çlirohemi nga krimi, duhet të falim ata që e meritojnë faljen, duhet të mënjanojnë nga jeta publike ata që meritojnë të dalin nga jeta publike dhe të dënojmë – qoftë edhe pas vdekjes së tyre – ata që kanë bërë krime. Fëmijët tanë duhet të rriten në një shoqëri, ku përpara drejtësisë merr secili të vetën.

Shumëkush mund të thotë se të gjithë këtë e bëjmë për t’u hakmarrë kundrejt atyre që na bënë të vuajmë, por e kanë gabim. Kanë kaluar 18 vjet nga ardhja e sistemit pluripartiak dhe demokratik dhe nuk ekziston asnjëherë dhe në asnjë rast që një ish-i përndjekur apo i burgosur politik ose ndonjë familjar i të pushkatuarve politikë të jetë hakmarrë. Ne nuk kërkojmë hakmarrje, ne nuk funksionojmë sipas kanuneve primitive. Ne thjesht kërkojmë drejtësi për të mirën e gjithë shoqërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›