E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtarizohen ndryshimet në qeveri, pritet dekretimi

Dje u zyrtarizuan ndryshimet në qeveri. Kabineti ‘Berisha’ 4 do ketë disa arnime, siç dhe ishte paralajmëruar. “Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berisha, i propozoi Presidentit të Republikës, zotit Bamir Topi, në bazë të nenit të 98.1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, emërimin në postin e zëvendëskryeministrit të zotit Genc Pollo dhe lirimin e tij nga posti i ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

Gjithashtu, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berisha, i propozoi Presidentit të Republikës, zotit Bamir Topi, emërimin në postin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës të zotit Fatos Beja, Dr. i Shkencave Filologjike, si dhe emërimin në postin e ministres së Shëndetësisë të Prof. As. Dr. i Shkencave zonjën Anila Godo dhe lirimin nga kjo detyrë të zotit Nard Ndoka”, - tha zëdhënësja e kryeministrit. Ndërkohë, Ndoka këmbëngul për të qenë në qeveri, ndërsa kundërshtarët e tij, Gurakuqi dhe Lesi, kanë hedhur propozimin që ata të marrin postin e nënkryetarit të Kuvendit, post që është refuzuar, me sa duket, nga Ndoka. Ky i fundit vazhdon të ketë takime me eksponentë të PD që duket se nuk do e çojnë askund.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›