E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthimi i kontrolluar i Sali Berishës

Kryeministri, Sali Berisha, po përpiqet të bindë opinionin publik se shpërthimi i tij në Kuvendin e Shqipërisë mesnatën e së hënës ishte i vetëdijshëm dhe legjitim. Me një deklaratë të pabesueshme ditën e djeshme, ai e argumentoi shpërthimin e tij gati epileptik si një përgjigje legjitime ndaj provokatorëve të tipit Balla-Braçe. Si për ta bërë dhe më të besueshme tezën e tij, ai kishte angazhuar dhe zëra të tjerë brenda shumicës të thoshin të njëjtën gjë. Ky është një zhvillim i ri i krizës së mesnatës së të hënës në Kuvend, i cili deri më dje mund të kalonte dhe si një fenomen njerëzor, shkaktuar nga lodhja dhe humbja e nervave. Ajo që dje artikuloi zyrtarisht Berisha dhe ndihmësit e tij kryesorë, na bën të besojmë se shpërthimi ka qenë i vetëdijshëm dhe i kontrolluar dhe çfarë është më e keqja, është perceptuar prej tij si ndëshkim ndaj provokatorit Balla.

Nëse i marrim një për një këto detaje të bilancit donkishotesk që prezanton kryeministri pas këtij skandali, do të shikojmë diçka tjetër, më të frikshme se shpërthimi i tij. Së pari, nëse shpërthimi ka qenë i kontrolluar dhe i vetëdijshëm, atëherë kemi të bëjmë me një zhvillim të pabesueshëm. Por, të gjithë ata që e njohin nga afër Berishën, e dinë mirë se ai nuk është fjalori i tij, nuk është as zakoni i tij. Një fjalor të tillë ai nuk pranon as ta dëgjojë nga të tjerë dhe jo ta thotë vetë. Zakonisht njerëzit që përdorin fjalë të tilla në tavolinë apo mes miqsh, mundet që në një moment humbjeje ekuilibri prej emocioneve t’i thonë dhe publikisht. Por kryeministri ynë nuk e ka këtë fjalor të tij. Për këtë arsye, fakti që ai është sforcuar ta mësojë ta përdorë këtë fjalor dhe të ruajë rastin ta thotë në Kuvend, është një detaj që na bën të besojmë se targeti i tij real nuk është zoti Balla, por ata që sulmojnë familjen e tij. Duke qenë i vetmuar në betejën e tij për të mbrojtur familjen nga rreziku që i vjen prej asaj, që tashmë mund të quhet legjendë urbane, zoti Berisha ka penalizuar me vetëdije në Kuvend ekipin e tij në krye të PD. Duke qenë se ata nuk i kanë dalë asnjëherë në krah vullnetarisht të debatojnë dhe të hedhin poshtë zërat për implikimin e familjes së tij, ai ka bërë një inkriminim të vetëdijshëm të tij në nivel ordiner dhe detyroi dje ekipin e tij të dilte ta mbronte. Pra, ata që nuk kanë kurajë të dalin të mbrojnë familjen e tij nga akuzat që i bën media, i detyroi dje të dilnin të mbronin shfaqjen e tij të vetëdijshme skandaloze për t’i turpëruar të gjithë. Hakmarrja e tij ndaj ekipit të vet duket se është më e egra që ai ka dëshmuar ndonjëherë në përdorimin e tyre. Shumë herë më lehtë dhe më mirë atyre do t’u dilte të shfaqeshin çdo ditë në kamera dhe të përgënjeshtronin çdo zë kundër vajzës apo djalit të tij se sa të dilnin pro gjuhës dhe standardit të Berishës të hënën në mesnatë. Jam shumë i sigurt se vetë fëmijët e Berishës dhe gruaja e tij nuk janë avokatë të tij në atë shpërthim që mjerisht paska qenë i kontrolluar.

Së dyti, nuk di ku ta shikoj ndëshkimin e provokatorit Taulant Balla. I vetmi njeri i vetëndëshkuar atë natë ka qenë Sali Berisha. Nuk gjej asnjë site interneti, asnjë sondazh, asnjë blog dhe asnjë qytetar në rrugë të më thotë që: “Mirë ia bëri atij Taulant Ballës!”, me gjithë rezervat që mund të kenë për mistrecllëqet e tij provokative politike. Nuk di se si mund të jetë ndëshkuar ai si provokator me atë gjuhë. Përkundrazi, ai ka dalë 100 për 100 i shpërblyer si provokator, pasi arriti të paraqesë një kryeministër të dizekuilibruar në opinion publik. Ai ditën e hënë ka marrë vërtet statusin e një provokatori brilant, por kurrsesi të një provokatori të ndëshkuar. I ndëshkuari i madh i mesnatës të së hënës është Sali Berisha. Ai është sot kryelajmi i medias shqiptare dhe fatkeqësisht botërore, dhe shpërthimi i tij po instalohet me shpejtësi si rekord i paarritur në asnjë parlament të botës. Për këtë arsye, bilanci që ai prezantoi dje është krejt i kundërt. Provokatori, nëse ka qenë i tillë, është shpërblyer dhe viktima është Sali Berisha. Tashmë, meqë ai është viktimë e padiskutueshme e këtij provokimi, po kërkon të viktimizojë gjithë PD dhe t’i vërë në rresht të thonë “sa mirë që ia bëri Taulant Ballës”. Kjo është e tepërt, shumë egoiste dhe shumë mizore ndaj një ekipi që së paku i ka që qëndruar luajal, siç ka pas dëshirë ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›