E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debate në Kryesi të PD për sherrin Balla-Berisha

Antena brenda familjes

Kryesia e PD pati dje një takim joformal për të diskutuar reagimin e përbashkët që duhet të kishin për sherrin Balla-Berisha. Në fillim të mbledhjes zoti Berisha paraqiti pikëpamjen e tij, sipas së cilës provokatorët nuk mund të shpërblehen dhe nuk shpërblehen kurrë. Ata vetëm poshtërohen dhe ky është mision, jo hakmarrje. Pasi e shpjegoi gjatë teorinë e misionit kundër provokatorëve, ai përmendi rastin e fundit si një detaj të një mozaiku të tërë provokimesh ndaj familjes së tij, e cila në të vërtetë nuk ka lidhje me buxhetin shtesë. Pasi mbaroi fjalën zoti Berisha, kryetari i grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi, theksoi se ai vetë kishte dashur të reagonte në media, por ky takim ishte i nevojshëm. “Ata duhet ta kalonin në mënyrë më sportive këtë provokim, - tha, - dhe unë do t’ua them këtë publikisht.”

- Bravo të qoftë! Ja, kjo ashtë e tana, - ndërhyri kryetarja Topalli. - Ai plehi do një mësim të mirë. Ta marr vesh që nuk tërhiqena.Ne duhet me fol, se duket sikur faji asht yni. Ne duhet me e damkos atë. Kjo asht e tana.

Debati po merrte udhë të mirë dhe entuziaste, por përveç Kryesisë së ngushtë nuk po fliste njeri tjetër. Flamuri që zakonisht gjatë mbledhjes së Kryesisë vizaton zogj në një copë letër për t’u dukur sikur mban shënim fjalët e kryetarit, dje nuk po bënte asgjë, se Berisha foli shkurt.

- Të them dhe unë dy fjalë, - tha. - Ai pleh donte një mësim të mirë, por unë mendoj se ishte gabim i rëndë që kjo punë iu la doktorit. Jo, më vjen keq, mos më ndërprit, se dua të kritikoj doktorin në këtë pikë. Unë e kam vënë re se gjithmonë gjërat më të vështira ne ia lëmë doktorit. Kjo është e turpshme. Unë nuk e di si ju rrihej ju në sallë, ndërkohë që doktorit ai pleh i përmendte familjen. Iu desh doktorit të linte kafen dhe të futej në sallë dhe t’i bënte atë që i bëri. Kjo është skandaloze. Unë nuk e kuptoj se si mund të ndodhë kjo në grupin tonë. Dhe mendoj se fajin kryesor e keni ju, zoti kryetar (më fal që po të flas me post), pasi ju duhet të shpërndani ngarkesën dhe të ndani rolet në Kuvend. Sa ishte Bamiri, ishit të justifikuar, pasi dihej që ai nuk donte të përzihej në sherre me kundërshtarët. Tani kjo situatë nuk ka pse përsëritet. Unë mendoj se rolet duhen ndarë dhe atë që bëri doktori, duhet ta bënte një deputet i joni dhe doktori duhet ta qetësonte. Kurse tani është bërë qesharake, se doktori merr gjithë barrën e punës dhe ne të tjerët e qetësojmë, bilé dhe e qortojmë që është i ashpër. Kjo është e patolerueshme.

Së dyti, mendoj se dhe parafolësit po përpiqen mos të kapin thelbin e problemit. Problemi nuk është se ç’do themi tani, por si duhet të ishim organizuar. Tani i ka thënë doktori të gjitha, nuk kemi ç’themi më. Thjesht duhet t’i përsërisim dhe t’i mbrojmë.

Së treti, kam vërejtje për zotin Patozi dhe ndonje tjeter nga kryesia, të cilët e lanë vetëm zotin Olldashi dhe zotin Paloka, kur shkuan ta godisnin Ballën. Ai donte një mësim të mirë atë natë, por ju e toleruat shumë.

Dua ta mbyll fjalën time me keqardhjen që s’jam në Kuvend se ia tregoja unë qejfin atij plehu. Me këtë grup që kemi, doktor, nuk kemi gjë në terezi, prandaj unë mendoj se duhet bërë kujdes për listën dhe grupin e ri parlamentar, se kjo iku.

Pas fjalimit të Flamurit, në Kryesi u vendos heshtja.

- Flamur, ke të drejtë për disa gjana, po jo për mua. Unë e kam marr me vetëdije rolin kryesor në këtë histori. Nuk bëhet me ushtar ajo. Nuk ësht kollaj të sulmosh Duhet të jesh i pastër dhe të mos kesh frik. E kam bërë vet ndaj gjithë kriminelëve sulmin, kur isha në opozitë. Vet e kam sulmu Delijorgjin si trafikant armësh, vet e kam sulmu Taçin si trafikant nafte, vet e kam sulmu Fatos Nanon, Edi Ramën dhe janë gjunjëzuar. Janë detyru me më bë mik pastaj. Për të tjerat ke të drejt. Dhe listën do ta shikojmë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›