Krimi në familje
Fenomeni i dhunës në shoqërinë shqiptare, që po njeh një rritje me progresion gjeometrik, ka shënuar kulmin e tij me rastet e krimit brenda familjes, ku raste makabre dhe rrëqethëse pothuajse kanë ndodhur me frekuencë të përditshme vitin që shkoi. Megjithëse ky fenomen, i stimuluar sidomos nga vitet e gjata të tranzicionit paskomunist, mund të mos ketë njohur ndonjë përshkallëzim të ndjeshëm nga viti në vit, efektet mediatike me anë të teknikave dhe teknologjisë më të përparuar, tashmë mund të përcjellin më me shpejtësi të teleshikuesi apo lexuesi i të përditshmeve, ngjarjet që ndodhin nga një cep i vendit në tjetrin. Pikërisht kjo ka shtuar edhe ankthin, edhe frikën se diçka po ndodh me këtë shoqëri që po degradon me shpejtësi, ashtu sikundër edhe "vrarjen" e mendjes, se kush mund të jenë disa nga mënyrat për ta shpëtuar shoqërinë shqiptare nga përhapja e një krimi që sa vjen e shtohet.
Natyrisht, përpara se të kurohet një sëmundje, duhen studiuar me kujdes simptomat e saj. Cilat janë burimet? Kush janë shkaqet më të shpeshta që degjenerojnë në konflikte të nxituara dhe pasohen me plagosje, lëndim apo vrasje të të afërmve të tu? Cila është gjeografikisht shpërndarja më e madhe e krimit në familje dhe ku ndodh më shpesh, në fshatra apo qytete? Janë zakonisht klasa e mesme dhe e pasur e popullsisë apo ajo në kufirin e varfërisë, që preken më shumë nga virusi i këtij krimi që rrezikon të shndërrohet në epidemi? Këto janë disa nga pyetjet bazë që duhen analizuar për të arritur në disa konkluzione paraprake, të cilat më pas mund të ndihmojnë në gjetjen e kurës për të luftuar këtë krim, frenimi i të cilit preket pak nga ndryshimet në legjislacionin penal, sikundër kanë treguar anketat sociologjike, qoftë edhe duke i shumëfishuar vitet e dënimit. Megjithëse ka shumë dimensione, nga i cili mund të trajtohet ky fenomen, qëllimi i këtij shkrimi është ta shohë nga një këndvështrim të veçantë, atë të tragjikes apo tragjizmit me të cilin ky krim është i mbështjellë dhe të analizojë nëse ky konceptim mund të hedhë sadopak dritë mbi këtë aspekt shqetësues me të cilin ballafaqohet sot shoqëria shqiptare.
Mervin Frost, një autor britanik i cili i përket Shkollës Angleze të Mendimit Politik (the English School), duke u bazuar në Aristotelin, e ka përshkruar tragjedinë si "një marrëdhënie speciale mes një akti të ndërmarrë për arsye etike dhe konsekuencave të tij të dhimbshme apo negative" (shih Frost, 2003). Megjithëse ky autor në studimin e tij i referohet kryesisht marrëdhënieve ndërkombëtare, kjo vlen për shumë dimensione të tjera të studimit të fenomeneve shoqërore. Ndërsa Ricard Lebou (Lebow, 2005) i ka etiketuar ngjarjet tragjike si "rrëfime që ilustrojnë një varg ndodhish, që lidhin një vendim etik me pasojat e tij të paparashikuara". Ajo që i ndërlidh këto dy procese, është mbiquajtur nga Grekët e Lashtë agon, apo ndeshje, kontestim mes aktorësh (që mund të jenë individë, grupe etj.). Në një moment të caktuar, kur aktorët që kanë marrë një vendim të caktuar realizojnë konsekuencat fatale të veprimit të ndërmarrë, ku shpesh objekti i adhurimit të tyre përfundon i shkatërruar nga po ata vetë, ata mbulohen me një lloj ndjenje faji të pariparueshme dhe pikërisht, ky është dhe sensi i ironisë (tragjike) që Aristoteli e ka quajtur peripeteia. Ndërsa filozofi Artan Fuga, në librin e tij "Rrota e Mundimit," (Fuga, 2007), duke perifrazuar Frojdin e ka quajtur këtë fenomen si një luftë mes "thanatosit" (impulsit për shkatërrimin apo asgjësimin e tjetrit) dhe "erosit" (apo kultit të dashurisë për tjetrin).
Parë nga ky këndvështrim, mund të arrihet të konkluzionin fillestar që megjithëse shpesh mund të duket se burimi i konfliktit që mund të çojë në vrasjen e të afërmit tënd është një rrip toke, në fakt, është frustrimi psikologjik dhe xhelozia që individë të paplotësuar, sidomos ku kushtet e një gare kapitaliste të pabarabartë, kanë shkaktuar diferencime të statusit social-ekonomik, ndjejnë. Pavarësisht se fqinji/i afërm i tij apo edhe pjesëtarë të familjes mund mos të kenë një diferencim të thellë ekonomik nga ai vetë, aq më pak të jenë shkaktarë në ndonjë mënyrë të gjendjes së tij të rënduar ekonomike-shoqërore apo shpirtërore, "arsyeja" e shtyn atë të gjejë fajtorë për gjendjen e tij dhe, natyrisht, qenia njerëzore shpesh priret t'i gjejë fajtorët jashtë vetvetes. Natyrisht, këtu nuk duhen anashkaluar vetëvrasjet apo tentativat për t'i dhënë fund jetës së vet, të cilat gjithashtu kanë njohur një rritje jo të vogël kohët e fundit. Kjo qasje sugjeron që "shpërthimi" i tyre irracional duhet studiuar edhe nga aspekte emotive, të shkaktuara shpesh nga shkaqe aq diverse sa gjendja e rënduar ekonomike, nga njëra anë, deri te vetmia, nga ana tjetër e spektrumit.
Vetëm pak ditë më parë u botua në shtypin e përditshëm historia e një çifti të moshuarish, të cilët, megjithëse mjaft në gjendje ekonomikisht dhe në dukje pa asnjë shqetësim kryesor, vranë veten te shtëpia e vajzës, një ditë pas Vitit të Ri, duke u helmuar. Shkaku? Vetmia, e cila me ikjen e djalit të vetëm nga shtëpia për të krijuar familjen e tij dhe ikjen së shpejti të vajzës në Greqi me bashkëshortin, ndikoi në mënyrë fatale në psikikën dhe gjendjen shpirtërore të çiftit të të moshuarve. Por me të drejtë mund të shtrohet pyetja, se kush mund të jenë disa nga mënyrat për të kuruar këtë sëmundje të shoqërisë, nëse ka ndonjë formulë të tillë? Natyrisht, brenda një kornize të tillë është e pamundur të trajtosh një problem sociologjik kaq të qenësishëm, aq më tepër që kjo del jashtë sferës së kompetencës së artikullshkruesit. Gjithsesi ajo që vlen të theksohet është se pavarësisht shkaqeve të ndryshme të këtij fenomeni, që shpesh merr pamjen e një tragjedie shoqërore, burimet e këtyre shkaqeve mund të luftohen me mjete pak a shumë të njëjta. Stimulimi i socializimit sa më të madh, sidomos nëse arrihet më përhapjen e edukimit gjatë gjithë jetës (ajo që në anglisht njihet si life-long learning) do ishte një nga kurat më efektive mendoj dhe me më pak efekte anësore. Nëpërmjet edukimit mund të arrihet, përveç socializimit dhe fitimit të dijes, edhe kundërbalanca aq e nevojshme e "hubrisit", që grekët e lashtë e kanë përdorur për të cilësuar shpesh kokëfortësinë, të nxitur nga pasionet drejt "sophronus" që është përmbajta e imponuar mbi dëshirën, pasionin për të bërë diçka që mund të shkojë kundër rregullave dhe ligjit të moralit dhe ruajtja e vetë-kontrollit të ndriçuar nga një sens i fortë i arsyes. Pak i rëndësishëm është pendimi pas krimit të kryer. I rëndësishëm është parandalimi dhe ky mund të arrihet vetëm nëse shoqëria arrin të nxisë arsyen dhe logjikën në radhët e pjesëtarëve të saj. Ky është dhe minimumi që mund të bëhet, pasi përmirësimi i kushteve social-ekonomike është diçka që nuk varet vetëm nga shteti apo shoqëria dhe kërkon kohë më të gjatë për t'u realizuar.