E Shtunë, 31 Tetor 2026

Esse e hartime...

Ende vërehet një ngarkesë e madhe e toneve të demagogjisë dhe e sofistikimit të prirjeve ideologjike a ndjeshmërive partiake, në një kohë kur problematikat që përjetohen në vendin tonë kanë nevojë për një preokupim realist, tekefundit për zgjidhje teknike e ligjore. Prej vitesh, tek ne vazhdon të dominojë show politik, imponimi i sofizmave, e thënë figurativisht, hartimet; kurse është momenti për të shkruar esse. Ngjarje të reja dhe të vjetra sjellin lëndë të mjaftueshme për të gatuar idenë në fjalë. Vizita e kryeministrit Berisha në tunelin e rrugës Durrës-Kukës, me brohoritë, sulmet apo nënqeshjet e rastit, aspak nuk përcolli ndonjë mesazh që të të kujtonte respektimin e detyrimeve ndaj institucioneve, përballjen në mënyrë modeste me publikun. Ndërkaq, jemi edhe përpara e në mes të një konflikti tjetër qesharak, atij të plehrave. Dhe prapë nuk ofrohet përveçse demagogji. Mungesa e sensit realist, po shndërrohet në një makth për përditshmërinë e këtij vendi. Hesaplarjet politike kanë zaptuar hapësira të gjera dhe kjo është një gjë sa e hollë, po aq edhe e trashë. Besojmë se lexuesit të vëmendshëm mund t'i kujtohet, përpara disa kohësh, një delegacion i KE-së sugjeroi të rishikoheshin disa ligje; pastaj ky delegacion u kthye në Evropë, nga ku dërgoi një letër në të cilën deklarohej, pak a shumë, se do të duhej të monitoroheshim sërish nga KE. Më pas, një raport aspak optimist prej andej. Konfliktualiteti politik. Vonesa e reformave, (asaj zgjedhore dhe asaj të drejtësisë). Pronat. Mediat. Tema të stërpërsëritura. E, megjithatë, pati zëra se ky Raport ishte i mirë, se monitorimi është kërkuar nga vetë Shqipëria(!) S'kalon shumë kohë dhe kemi një sondazh të një institucioni tjetër prestigjioz, që godet sërish tek realiteti i korrupsionit dhe i ryshfetit. Në këto dhe raste të tjera, janë ngritur menjëherë furtunat demagogjike, pro dhe kundër toneve të raportimit; ajo që ka munguar ka qenë pikërisht dhe vetëm sensi i realitetit dhe paanësia.
Të shikosh të vërtetën në sy, të kontrollosh gjendjen emocionale, të ecësh me kujdes dhe duke i parë gropat që ke përpara, gjëra të tilla pak vlerësohen nga "të përzgjedhurit" e politikës dhe të administratës. Të mbërthyer në akuza dhe kundër-akuza të vazhdueshme, të okupuar për punësimin e militantëve, të lidhur keqas me aferat e veta, ata nuk kanë asnjë shans të gjejnë qetësinë e duhur për të verifikuar ç'po ndodh në këtë vend. Ja pamja tjetër. Ka disa arritje, sepse ka njerëz në biznese që punojnë; një studim i fundit i EBRD (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim), vëren rritjen në ekonominë shqiptare; për pasojë, GDP për frymë konsiderohet prej saj përmbi 5 mijë dollarë (USD). Por treguesi në fjalë, është vetëm një prej "eshtrave" që do të duhej të ndërtonin (simbolikisht, po themi) trupin e dobët të këtij vendi dhe gjithaq perfomancën e brishtë të ekonomisë së tij.
E ndërkohë drejtues të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, kanë pohuar se përgjatë vitit 2007, në krahasim me vitin 2006, investimet e huaja direkte janë rritur 70 për qind (!) Ne jemi të prirur t'i besojmë shifrat dhe informacion që del nga zyrat e administratës sonë. Por ndërkohë, Raport dhe sondazhet që zumë goje më sipër, pikërisht sa iu takon investimeve të huaja, na radhisin diku në fund të listës së vendeve të Evropës Juglindore, çka tregon se ata kanë përparuar me hapa më të shpejtë, më të sigurt, dhe se vendi ynë nuk është ende, si ta themi, "i përzgjedhuri" i sipërmarrjeve të huaja. Në këtë vijë komunikimi aspak të besueshëm, shpeshherë edhe nga opozita nuk mungojnë hartimet e fryra, të denja për një realitet kozmik. Duket e çuditshme, bie fjala, një deklaratë e drejtuesve të PBDNJ-së, që ndërsa kërkojnë me të drejtë rikompozim të qeverisë, i gjejnë dobësitë e kësaj të fundit tek dy prej ministrive, ai i Financave dhe ai i Ekonomisë(!) Kur flitet për sens politik, për sens realist, aktorët që dalin në publik me mungesa të theksuara kësoj, nuk janë të besueshëm.
Pikërisht në limitet e afatit të veprimtarisë së Komisionit Hetimor për rrugën Durrës-Kukës, Kryeministri e gjeti me vend t'i shmanget çdolloj pyetjeje në lidhje me hetimet për segmentin Rrëshen-Kalimash. Duke u fshehur pas shprehjeve të stërpërsëritura tashmë, mbi "madhështinë" e kësaj rruge, (kujtoni madhështinë e veprave të kohëve të socializmit), kreu i qeverisë nuk e pa aspak me vend të thoshte ndonjë fjalë në lidhje ecurinë e këtyre hetimeve; pse pengohen, kush i pengon, a duhet të merret dikush me këtë temë apo do të vazhdojmë me lojën "derr në thes", e kështu me radhë. Nuk ka asnjë lidhje midis rëndësisë së padiskutueshme dhe nevojës së padebatueshme për këtë rrugë, në daçi edhe madhështisë së saj, dhe respektimit të ligjeve, parimeve, institucioneve.
Kur nuk ka sens realizmi, modestie, nuk ka edhe gjykim të ftohtë, por ka me bollëk hartime. Të tilla ka pasur edhe në lidhje me atë deklaratën e Pavarësisë, që u përdor për përfitime demagogjike dhe pastaj përfundoi në burim humori(!) Modestinë dhe madhështinë, nganjëherë i ndan një fije. Përfaqësuesit e pushtetit të sotëm kanë premtuar, midis të tjerave, një qeverisje në dietë. Atyre iu ka munguar ndërkaq modestia e verifikimit të këtij zotimi "madhështor". Edhe komuna më e fundit, e gjen mënyrën për të shtënë në dorë ndonjë "xhip", (edhe qeros, edhe fodull), ndërkohë që varfëria bëhet sehir. Një sinjal të sensit të vetëpërmbajtjes dhe të njëlloj realizmi politik duket se ka dhënë këto ditë Presidenti i vendit, z. Bamir Topi, duke kërkuar (nga institucioni që merret me ruajtjen dhe shoqërimin e drejtuesve të shtetit) më pak bujë e më pak teprime dhe show me eskortat që rëndom çrregullojnë qarkullimin rrugor. Sjelljet dhe fjalimet, që lehtësisht mund të ndahen në hartime (të ekzaltuara) dhe ese (të përkora), sjellin dyzime në përjetimet e publikut, por sidomos të partnerëve tanë strategjikë. E gjithë kjo, sado që përgjithësisht mbetet në kufijtë e etikës, na kujton se në përballjen me sfidat e sotme, më pak se gjithçka, hyn në punë demagogjia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›