Berisha: Rama nuk del në media se humbet vota. Suksesi ekonomik i Shqipërisë e dëshpëron. Mediat të transmetojnë një realitet tjetër
Kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, ka premtuar sërish se nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike, pavarësisht situatës së rëndë hidrike në digat e hidrocentraleve.
Fjalën e tij kryesore Berisha ia ka kushtuar Konferencës së Mynihut, duke treguar mbresat dhe diskutimet që ishin bërë aty. Berisha është ndalur veçanërisht tek ekonomia, duke thënë se Shqipëria është i vetmi vend në Europë, që ka pasur rritje në këto katër vitet e fundit.
Sipas Berishës, suksesi ekonomik e dëshpëron shumë Ramën, i cili nuk ka guximin, tha Berisha të dalë në media, pasi humbet vota.
Berisha ka këshilluar edhe mediat që të transmetojnë një realitet tjetër, pasi sipas tij, ato janë duke transmetuar realitetin që u imponon Edi Rama.
Do të bëhet gjithçka për qytetarët e bllokuar nga bora, duke filluar nga ushqimet, deri tek energjia. Ju siguroj që ne do të blejmë energji, pavarësisht se ajo është shtrenjtuar shumë, në mënyrë që që vendi të mos vuajë për energji elektrike. Kjo do të përballohet nga shpenzimet e buxhetit të qeverisë. Pavarësisht reshjeve të shumta të shiut, digat e hidrocentraleve janë në nivelet më të ulëta historike. Kjo situatë është shumë problematike, por ne do të mbështesim KESH-in për importimin e sasive të nevojshme të energjisë, ndonëse konsumi i energjisë ka arritur nvele të jashtëzakonshme, në krahasim me disa vite më parë.
Unë po kthehem nga Konferenca e Mynihut, e 48-ta që zhvillohet. Kjo është konferenca më e rëndësishme që organizohet për sigurinë dhe ishte jashtëzakonisht e veçantë. Ishte hera e parë që në këtë konferencë merrnin pjesë bashkë edhe sekretarja e Shtetit, Hilari Klinton, edhe Leon Paneta.
Strategjia e sigurisë dhe mbrojtjes së SHBA-së dhe NATO-s në tërësi do jetë e drejtuar kryesisht nga Azia dhe Pacifiku. Ekonomia e parë në botë është ajo e BE-së, kurse si shtet ajo e SHBA-së. Por, ngritja e Azisë është shumë e madhe. Kapa një realitet, që disa studiues duan ta quajnë si bota post-perëndimore.
Dy çështje morën vëmëndjen më të madhe, kriza ekonomike dhe siguria, të cilat u debatuan nga panelistë të elitës botërore.
Pata rastin të takoj dhe bisedoj përzemërsisht me presidentin e Azerbajxhanit, ku do të shkoj këtë javë edhe për një vizitë zyrtare në këtë vend mik.
Pati një interes të jashtëzakonshëm për diskutimet mbi krizën ekonomike. Në ekspozenë e tij, kryeministri italian Monti njohu të pranishmit me përpjekjet e qeverisë së tij, për rrugët e daljes nga kriza. Në këtë debat, konkluzioni më kryesor ishte se masat e ashpërsisë nuk nxorën nga kriza. Përkundrazi, kanë peshën dhe përgjegjësinë e tyre në një recesion të pashmangshëm. Tashmë kërkohet një qëndrim i ri për të nxitur rritjen ekonomike. Pos hpenzove pa kriter, në katastrofë shkon, por problemi kryesor është balancimi i masave të ashpra me politika të tjera.
Ekonomia shqiptare, në krahasim me globalen, është një ekonomi e vogël, por ia arriti në mënyrën më të shkëlqyer që të përballojë krizën ekonomike. Kjo është e vetmja ekonomi në Europë, që në katër vitet e fundit ka patur 18% rritje ekonomike. Kjo rritje ekonomike është certifikuar nga të gjitha institucionet ndërkombëtare. Rritja ekonomike ka bërë që të rriten rrogat dhe pensionet, ndryshe nga vendet e tjera, që i kanë ulur. Ne kemi pasur një miliard dollarë investime.
Ai zotëria që rri ciu-ciu, duke qenë se i kanë thënë mos dil në media se humbet vota, por bëj ciu-ciu, ka një fantazi dhe e vuan shumë suksesin ekonomik të vendit. Suksesi ynë ekonomik e dëshpëron, sepse thotë që kemi një milion të papunë.
Rama la qytetin pa rrugë, duke bllokuar për dy vjet edhe qendrën, të cilën nuk e mbaronte dot. E la infrastrukturën e kryeqytetit si të vendeve të Botës së Tretë, duke pasur mbi 5 mijë punonjës në Bashki, ndërkohë që gjithë ministritë kanë rreth katër mijë punonjës.
Ky zotëri ndërtoi vetëm 12 kilometra rrugica, ndërkohë që ne kemi bërë mijëra kilometra rrugë, si Rruga e Kombit, ku ai nuk i linte deputetët e tij që të kalonin. E dini ju mor zotëri, që ky nuk i lejon deputetët e tij të kalojnë në rrugën Murat Toptani.
Nuk merret me realitetin, por me fantazitë që krijon dhe me fabrikën e tij të trillimit. Manipulon në mënyrë trashanike mediat që i kontrollon. Por, prapë dua ta pranoj: që kur bashkia u vendos mbi baza të reja, gjërat po shkojnë në proporcione normale në të gjitha fushat.
Mediat duhet që të transmetojnë një realitet të ndryshëm, jo realitetin që ka në mendje Edi Rama ”, deklaroi Berisha.