E Diel, 1 Nëntor 2026

2 ngjarje të hënën në Tiranë, tritol dhe atentate në rrugë

Një sasi e madhe eksplozivi është vendosur mbrëmjen e djeshme në makinën me të cilën udhëtonte i riu që i shpëtoi atentatit të katër ditëve më parë në rrugën Komuna e Parisit, ku gjeti vdekjen kalimtarja e pafajshme Megi Jokiçi. Objektivi i atentatit është Aleksandër Gocaj, i cili pesë ditë më parë u plagos lehtë në krah, por tritoli është vendosur në makinën e të dashurës së tij, Adelina Thaçi. Eksplozivi është zbuluar rreth orës 22 e 15 minuta.

Burimet e policisë pohuan mbrëmë se poshtë makinës është vendosur një sasi nga 400 deri në 600 gramë tritol. Makina ndodhej e parkuar poshtë pallatit, në katin e pestë të të cilit banon vajza, në rrugën Hamdi Cenoimeri, vetëm pak metra larg shkollës Myslym Keta. E dashura e Gocajt po hipte në makinë nga krahu i pasagjerit dhe ka kaluar në pjesën e pasme të saj. Në këtë moment ka parë një send të dyshimtë poshtë makinës dhe menjëherë ka njoftuar policinë. Efektivët e komisariatit numër 6 kanë konstatuar se bëhej fjalë për eksploziv dhe kanë kërkuar ndihmën e xhenierëve të RENEA-s. Në pritje të ekspertëve ata kanë kryer evakuimin e zonës. Banorët e një shtëpie përdhese dhe të një pallati janë detyruar të dalin nga shtëpia. Ndërkohë policia ka rrethuar një zonë tepër të madhe rreth makinës pasi ekzistonte mundësia e një shpërthimi me përmasa të mëdha. Xhenierët e RENEA-s bënë çaktivizimin e eksplozivit përmes një mekanizmi elektrik që shpërthen vetëm kapsollën. Burimet e policisë thanë se makina ku ishte vendosur eksplozivi është me targa gjermane KCJ 337 dhe ishte në përdorim të të dashurës së Gocajt. Kjo ngjarje ka theksuar dyshimet se pikërisht Gocaj ishte objektivi i atentatit të pesë ditëve më parë. Lidhjen mes makinës ku u vendos mbrëmë tritoli dhe ngjarjes tek Komuna e Parisit e ka konfirmuar edhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. Në kohën kur ndodhën ngjarjet, Nishani ndodhej në një emision live në TV dhe ka thënë se makina ishte e një të afërmeje të objektivit të atentatit. D.Biçaku

***
TIRANË-Një makinë tip Benz është qëlluar nga armët e zjarrit në Unazë pranë Drejtorisë së Policisë, rreth orës 22:00 ndërsa nga ngjarja ka mbetur i plagosur një person. Sipas uniformave blu, është plagosur një shtetas i cili u dërgua me urgjencë në spitalin ushtarak.

I plagosuri është qytetar i Bajram Curri-t dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Atentati ndodhi karshi makinës me targaTR 6343 R ndërsa është qëlluar nga ana e shoferit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›