Kriminelët recidivistë duhet të ndëshkohen
“Mos më vrisni mbrapa. Gropën e hapi vetë. Presidiumi i Kuvendit Popullor mirë ka bërë. Nuk i kemi bërë gjë kujt”, - u shpreh në fjalën e fundit martiri Sokol Zef Sokoli nga Nikaj-Mërturi i Tropojës, kur u ekzekutua barbarisht në moshën 28-vjeçare, më dt. 09.06.1984, në orën 24:00 në periferi të qytetit të Shkodrës, brenda territorit të antenave të radio “Shkodrës”.
Shpirtrat e mijëra martirëve, të cilët u ekzekutuan barbarisht pa gjyq apo me farsa gjyqësore politike, natën në errësirë të plotë me plumb pas koke, vetëm e vetëm për fjalën e lirë, besimin e tyre tek Zoti, prirjet properëndimore të tyre, vetëm pak ditë, pasi Gjykata Kushtetuese në unanimitet të plotë rrëzoi ligjin për spastrimin e institucioneve kushtetuese, të prokurorive, gjykatave, të politikës dhe të të gjitha institucioneve publike shqiptare nga kthetrat e përgjakura të kriminelëve të regjimit komunist shqiptar, u trazuan dhe nxorën në dritën e diellit varrezën e fshehtë në rrëzë të malit të Dajtit, për t’u kujtuar shqiptarëve se demokracia dhe krimi nuk mund të bashkëjetojnë, se krimi dhe kriminelët duhet të zbulohen dhe të ndëshkohen, se nëse nuk ndodh kjo, nëse nuk bëhet drejtësia, demokracia shqiptare është seriozisht e rrezikuar.
Krahas hezitimit për të demaskuar dhe dënuar krimet më monstruoze që regjimi komunist shqiptar kreu ndaj shqiptarëve të pafajshëm për më se 45 vjet, një dukuri tepër shqetësuese për të mos thënë monstruoze, prej 20 vjetësh po vazhdon në Shqipëri. Pasioni i llahtarshëm për t’u dhënë poste, tituj, dekorata e nderime atyre njerëzve që jo vetëm nuk bënë asgjë për lirinë dhe demokracinë e shqiptarëve, por që me veprimet dhe mosveprimet e tyre bënë gjithçka për ta shtypur atë, duke gjurmuar, spiunuar, arrestuar, torturuar, hetuar, dënuar dhe ekzekutuar në mënyrat më barbare mijëra shqiptarë të pafajshëm. Prandaj, në kuadrin e nismës që ka marrë qeveria shqiptare për ngritjen e Institutit të Kujtesës Kombëtare si dhe të Task-Forcës për gjetjen e vendvarrosjes dhe të identifikimit të kufomave të mijëra shqiptarëve që janë ekzekutuar dhe akoma nuk u është gjetur varri, të merren masa serioze dhe të vendosura për përgatitjen e bazës juridike për t’ua hequr të gjitha postet, gradat, titujt e nderet atyre që me plotë kuptimin e fjalës nuk mund të quhen ndryshe veçse kriminelë recidivistë.
“Emisarët komunistë nuk kanë shfaqur as pendesën më të vogël për atë që kryen me mizori mesjetare. Janë monstra të tilla që kurrsesi nuk mundet t’i zërë gjaku”. Kadareja i madh shkruan për këto monstra se “janë nga raca që flenë me ndërgjegje të përgjakur”.
Një gjë e tillë s’ka të bëjë vetëm me kompleksin e mospërjetimit të fajit, por është tregues arrogance dhe i humbjes së plotë të ndjeshmërisë njerëzore sa të shtynë të mendosh që mungesa e pendesës e këtyre monstrave me fytyrë njerëzore, është forma më e dukshme e mosreflektimit, është përpjekje kriminale për të fshirë çdo gjurmë që ka të bëjë me krimet e kryera prej tyre duke abuzuar çmendurisht me pushtetin.
I natyrshëm është gabimi njerëzor, por është krejt ndryshe kur kryhet nga ligësia, aq më tepër kur shkaktohet nga ligësia në emër të pushtetit. Ndërsa pendimi ka të bëjë me diçka krejt hyjnore, është hyjnor në vetvete. Vetë fjala pendesë është jashtëzakonisht hyjnore, prandaj ekziston si kolonë e moralit njerëzor, si ndjenjë lehtësuese për jetën në vijimësi, si një lirim prej mëkatit dhe demonëve të së keqes.
Sot në Shqipëri demokracia është seriozisht e rrezikuar nga kriminelët që dje u kanë vënë litarin në fyt martirëve të lirisë dhe sot pa pikë turpi japin leksione demokracie nëpër podiume të ndryshme.
Gjithë shoqëria shqiptare sot më shumë se kurrë ka nevojë të shkundet, të zgjohet dhe të mbrojë liritë demokratike kundër çdo lloj kërcënimi që i vjen nga çfarëdo drejtimi e i fshehur pas turlilloj maskash. Vetëm kështu shoqëria jonë do të jetë në gjendje të fitojë drejtpeshimin që prej shumë kohësh i ka munguar. Martirët e kanë qetësinë e tyre atje ku përjetësisht pushojnë. Është shoqëria shqiptare ajo që nuk e ka e nuk po e gjen akoma qetësinë, prandaj për këtë duhet të luftomë të gjithë.