E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bisedime pa dëshirë!

Qëndrimi Evropian ndaj krizës shqiptare,
është i shprehur në rrugë zyrtare, tek Rezoluta e Asamblesë së KiE, dhe nuk
delegohet në deklarata zyrtarësh të veçantë që janë tifozë të njërës apo tjetrës
palë

Mero
Baze*

Tryeza e presidentit Bamir Topi me
përfaqësuesit e dy partive kryesore në vend, e cila pritet të mbahet nesër,
është një ngjarje që nuk është diktuar nga vullneti politik i palëve.
As Sali Berisha dhe as Edi Rama, nuk janë gati dhe të gatshëm të ulen
të bisedojnë për krizën politike dhe detajet e saj me njëri tjetrin.

Tryeza e Presidentit, duke qenë se është një projekt
ndërkombëtar, po shërben më shumë për të testuar aleancat politike
ndërkombëtare të të dy palëve, se sa për të zgjidhur krizën.

Edhe një ditë para tryezës, qeveria ka
shmangur nga publiku ofertën e saj për zgjidhjen e krizës, duke nxitur individë
të partive të djathta evropiane të mbështesin futjen e opozitës në Kuvend, pa e
zgjidhur krizën.

Ky angazhim erdhi pas takimeve të suksesshme
të delegacionit të opozitës në Strasburg ku morën garanci nga disa zyrtarë të
lart të së majtës evropiane për nevojën e hapjes së kutive në procesin e
hetimit.

Por spekulimi me qëndrimet evropiane një ditë
para tryezës nuk vlen për të identifikuar realisht qëndrimin evropian, por vullnetin
e munguar të palëve të bisedojnë me opsionet e tyre.

Qëndrimi Evropian ndaj krizës shqiptare, është
i shprehur në rrugë zyrtare, tek Rezoluta e Asamblesë së KiE, dhe nuk delegohet
në deklarata zyrtarësh të veçantë që janë tifozë të njërës apo tjetrës palë.

Rezoluta e KiE që do të jetë baza e këtyre
bisedimeve, sanksionon qartë ekzistencën e krizës, rolin e presidentit Topi
nevojën e hetimit të zgjedhjeve dhe kthimin e opozitës pas kësaj në parlament.

Fakti që ky qëndrim evropian u tentua të modifikohej
nga zoti Berisha përmes amendamenteve, lexoi vullnetin e tij kundër këtij
qëndrimi evropian. 

Presionet publike një ditë para tryezës janë
vazhdim i leximit të dëshpëruar të rezolutës së KiE dhe projektit ndërkombëtar
për zgjidhjen e krizës në Shqipëri.

Duke qenë se palët shkojnë zemërthyer në
tryezën e Presidentit dhe me qëndrime shumë të ndara nga njëri tjetri, kjo
tryezë nuk do të vlejë nesër për ti dhënë fund krizës, por për të testuar sa
larg zgjidhjes së saj jemi në këto momente.

Nxitimi për të kërkuar një Evropë tjetër, të
ndarë për këtë çështje, ndryshe nga Këshilli i Evropës, është spekulim i
turpshëm, të cilit duhet ti jepet fund, qoftë dhe për shkakun se të dy palët
po ulen në tryezë jo me dëshirë, por me urdhër dhe mbikëqyrje të Evropës.

(*) Dërguar nga autori, qëndrimet janë
personale

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›