Letër Fatmir Sejdiut

Letra ime për ju, President Sejdiu, mund të
konsiderohet e virgjër për nga kërkesat, tendencat dhe malicioziteti, krahasuar
me letrat që kohëve të fundit i keni pasur nëpër duar dhe nëpër këmbë
Nga
Berat Buzhala*
Fillimisht dëshiroj ti kërkoj falje mikut tim
nga e përditshmja Zëri, Beqë Cufajt, që po i përzihem në fahun e tij dërgimin
e letrave të hapura. Por, përpara meje ketë mënyrë të komunikimit, në këtë vit
ende shumë të ri, e kanë zgjedhur plot personalitete të tjera, prandaj po besoj
se një letër më shumë a më pak nuk e ndotë më shumë a më pak ambientin
politikomedial të këtij vendi.
Tashmë disa letra janë nisur, disa të tjera po nisen, e tektuk ndonjë ka
mundur të mbetet nën pragun e selive të partive politike. Ndoshta në mëngjes
kur Lideri shkon në zyre, i gjen ato. Varet prej tij, nëse do ti lexojë, apo
do ti fërfëllojë në shportën më të afërt.
Qëllojani kujt po i drejtohem?
Sigurisht që kjo do të konsiderohej pyetja më e lehtë në secilin kuiz për
fillestarët e politikës.
Në ketë stinë postzgjedhore letra i drejtohen vetëm partisë së Presidentit
Fatmir Sejdiu. Ndryshon vetëm përmbajtja e letrës. Varësisht prej zorit që e
kanë shkruesit. Dikush provon që përmes një letre të vetme të vijë në pushtet,
e dikush përmes një letre të vetme shpreson që do të arrijë politikisht më
shumë sesa ka arritur për 20 vjet me radhë. E shohin politikën si një lojë
Gërvisht dhe Fito.
Letra ime për Ju, President Sejdiu, mund të konsiderohet e virgjër për nga
kërkesat, tendencat dhe malicioziteti, krahasuar me letrat që kohëve të fundit
i keni pasur nëpër duar dhe nëpër këmbë. Konsiderojeni të sinqertë dhe
dashamirëse, se si ju mund ta shpëtoni partinë prej recesionit pa pasur nevojë
që paraprakisht të pajiseni me paterica politike, qofshin ato pro-europiane apo
anti-europiane.
Por, paraprakisht duhet të më premtoni (po bije fjala), se do ta bëni një akt
burrëror, ose presidencial: Mblidheni afër vetës Kryesinë e partisë, shikojeni
në sy njëri tjetrin dhe pranojeni humbjen e zgjedhjeve lokale. Nuk keni nevojë
që ta bëni ketë gjë publikisht, sepse nuk iu lejohet. Pastaj, hapni të gjitha
letrat që kohëve të fundit u kanë ardhur në zyre dhe shqyrtojini nga një nga
një. Por, përpara se ti lexoni ato, është mirë ta dini motivin e dërgimit të secilës
letër.
Pra, pse një lider politik ua dërgon një letër ultimatum ku mungonte vetëm
edhe fjalia monumentale prej filmit Godfather: Unë do tia bëj atij një
ofertë që nuk mund të refuzohet.
Ose, pse një lider tjetër politik, partia e të cilit qartazi po shihet se
tashmë e ka blerë biletën njëkahëshe, në depresion e sipër, propozon forma
elegante të bashkëpunimit si ato të CDUCSU?
Kurse, tash po dëgjoj edhe zëra që disa kufoma politike kanë shprehur dëshirën
që duke e shfrytëzuar disponimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për tu hapur
për kuadro të reja, të gjejnë azil në vagonin tuaj.
Krejt kjo ofensivë e ka vetëm një kuptim: Të gjithë këta bashkë e konsiderojnë
LDKnë parti që në të ardhmen mund të ngjallet, por që për momentin i ka humbur
jo fija, por lëmshi.
E pranoj që ofertat e tilla ndonjëherë janë shumë tunduese. Jemi njerëz prej
mishit dhe prej gjakut dhe dëshirojmë që rruga deri tek suksesi të jetë shumë e
shkurtër. Mundësisht njëditore. Mundësisht ti zgjidhim problemet me vetëm një
nënshkrim të një letre që të tjerët na servojnë paradite, dhe ne e nënshkruajmë
pasdite.
Por, rrëfime të tilla më ngjajnë shumë me e-mailat që vijnë prej Nigerisë ose
Zimbabvesë, ku dërguesi i e-mailit të fton që 10 milionë dollarë, trashëgim
prej babait të vdekur, ti ndajë përgjysmë më dikë, sepse ai e ka një problem
me bankën dhe me regjimet diktatoriale. (Derisa po shkruaja ketë shkrim, me
erdhi një ofertë joshëse prej z. Francis Aliu, nga Burkina Faso, që dëshiron
ti ndajë më mua 10.5 milionë dollarët e një klienti të bankës së tij që paska
vdekur).
Këta mashtrues elektronikë paraprakisht e kanë vetëm një kërkesë të vogël: që
ti tua depozitosh 300 mijë euro, e mandej fillon ndarja e hises së vërtetë.
Pak a shumë kjo formë e bashkëpunimit dhe partneritetit i ofrohet edhe LDKsë.
Zgjedhjet e përgjithshme, sipas të gjitha gjasave, nuk do të mbahen ketë vit.
Siç do të thoshte gjatë fushatës zgjedhore Joe Biden, zv.president i SHBAve,
duke cituar babanë e tij - për një person, apo për një komb, pse jo edhe për
një parti, nuk është e rëndësishme sa herë rrëzohet, por sa shpejt
ngritet.
Z. President, LDKja në dy palë zgjedhjet e fundit është rrëzuar. Mirëpo, është
në dorën tuaj se në çfarë rruge dëshironi ta ngritni në këmbë: me aventura
njëditore, apo me punë të vërtetë në të gjitha nivelet. Jeta na ka mësuar të
gjithëve, z. President, se në ketë botë askush nuk është i pazëvendësueshëm.
Fatkeqësisht as ju, e as anëtarët e Kryesisë, e posaçërisht nuk janë
sabotatorët, që oksigjen të jetës së tyre i kanë skemat piramidale
politike.
Prandaj, ju z. President, gjatë aktiviteteve tuaja shkrirëse brenda LDKsë,
këto ditë më së shumti kujdes duhet të keni jo prej atyre që i nisin letrat,
por prej atyre që i keni brenda partisë dhe i negociojnë këto letra.
Nëse LDK dëshiron që një ditë të jetë partia e parë në vend, atëherë këtë nuk
mund ta bëjë duke importuar figura të shpenzuara politikisht (Teuta Sahatçija,
Agim Çeku), as duke u dorëzuar përpara presionit nënshtrues të AAKsë, por as
duke i varur shpresat krejtësisht në familjen Rugova. As Ukë Rugova, e askush
në këtë botë nuk e ka në dorë çelësin e fitores për partinë tuaj.
LDK duhet të shikojë brenda vetes që të gjejë figura të reja, duke hequr dorë
njëherë e mirë prej parazitëve dydekadësh që bëjnë sehir në Kryesinë e saj. Ky
proces fillimisht duket i dhimbshëm, por nuk ka rrugë tjetër që do ta shpinte
LDKnë me optimizëm drejt zgjedhjeve të ardhshme.
Prandaj, z. President, mos e pritni fushatën zgjedhore, sepse atëherë jeni
lehtë të shantazhueshëm. Tash është momenti, që duke i injoruar të gjitha
letrat, ta filloni procesin e reformimit të brendshëm.
Nëse mendoni që me fytyra të vjetra të shkoni në zgjedhje të reja, do të
rrëzoheni edhe për të tretën herë.
Këtë herë - përfundimisht.
(*) Kryeredaktor, Express