Amnistia fiskale, 3 miliardë euro do të hyjnë në sistem
Paratë që do të ligjërohen nga amnistia fiskale, pritet të kenë një vlerë të konsiderueshme, që pritet të jetë rreth 30 për qind e PBB-së. Amnistia fiskale do të kryhet dhe kjo është konfirmuar tashmë edhe nga qeveria. Këtë fakt e ka pranuar publikisht ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili pranoi se qeveria po bën gati një projektligj për amnistinë fiskale. Por cila do të jetë vlera e parave që do të futen në sistem nga zbatimi i kësaj amnistie? Ekspertë të ekonomisë kanë dhënë shifra të përafërta për paratë që priten të hyjnë në sistem në vlera rreth 3-4 miliardë dollarë, por ministri i Financave, Ridvan Bode, ka deklaruar publikisht në një emision në Televizionin Publik Shqiptar: “Paratë që mund të ligjërohen nga amnistia fiskale, do të jenë rreth 20 apo 30 për qind e PBB-së ose në vlerë monetare rreth 2 apo 3 miliardë euro”.
Në një situatë si kjo, kur ekonomia shqiptare është prekur nga kriza globale, fakt ky që është pranuar edhe nga ministri Bode, shtimi i likuiditetir me një vlerë të konsiderueshme, duket se në këtë rast i vjen në ndihmë dhe qeverisë dhe jo vetëm biznesit që pastrohet nga borxhet dhe ligjëron asetet. Ministri Bode ka sqaruar se amnistia fiskale do të bëhet në një kohë të përcaktuar, por që do të jetë e shkurtër, gjatë së cilës do të bëhet deklarimi i parave që nuk janë bërë publike (nuk janë taksuar). Këto para do të taksohen, por ende nuk është përcaktuar niveli i taksimit, ai do të qartësohet gjatë hartimit të projektligjit. Pas kësaj periudhe kontrollet dhe penalitetet ndaj biznesit sigurisht që do të jenë shumë më të rrepta. Amnistia në bazë të draftit që po hartohet nga ekspertët e financave, por bazuar dhe në kërkesat e biznesit, nënkupton faljen e detyrimeve apo kamatëvonesave, si dhe legalizimin e aseteve. Ndërsa lidhur me konkurrencën në treg, ministri i Financave ka deklaruar se amnistia fiskale do të rrisë konkurrencën e ndershme, pasi ata që dikur konkurronin duke pasur para të fshehura, tashmë do të përballen me rregullat që vë tregu. Ministri i Financave ka qenë vetë ai që i ka dhënë përgjigjen pozitive kërkesës së vazhdueshme të biznesit për amnisti fiskale. Ministri Ridvan Bode tha dy ditë më parë se është pro amnistisë fiskale, madje se tani është momenti për një amnisti fiskale. Pas deklaratave të përfaqësuesve të Tatimeve dhe Doganave, edhe kreu i Financave, Ridvan Bode, ka deklaruar dje se qeveria është pro një amnistie fiskale për bizneset. Kërkesa ka qenë dhe është përsëritur sërish nga anëtarët e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, të cilët, në takim me zyrtarë të Ministrisë së Financave, deklaruan dje: “Kjo amnisti presupozon legalizim asetesh, amnisti për detyrime që kanë të bëjnë me borxhin tatimor, apo doganor të paqartë, apo shuarjen e detyrimeve tatimore për pasurinë e vënë në vite, në kohën kur kuadri ligjor dhe administrativ tatimor nuk ishte as i plotë dhe as i konsoliduar”. Situata ekonomike e ka vënë qeverinë ne vështirësi likuiditeti dhe i gjendur përballë kësaj situate, Ridvan Bode ka pohuar se qeveria do të pranojë kërkesën e biznesit për amnisti fiskale. Pas shumë kërkesash, qeveria duket e gatshme që të amnistojë biznesin në detyrimet e prapambetura, çka do të sillte edhe një legalizim të aseteve të tyre. Amnistia fiskale, nga disa ekspertë të ekonomisë është vlerësuar si pozitive, për vetë efektet që pritet të përcjellë, ku përfitues do të jenë qeveria, biznesi, por dhe vetë shoqëria shqiptare. Shtimi i likuiditetit do të rrisë aktivitetet e biznesit dhe për pasojë kjo do të shërohet edhe me krijimin e vendeve të reja të punës. Nga ana tjetër, taksimi që do t’u bëhet këtyre parave në momentin e deklarimit, do të shtojë të ardhurat në buxhetin e shtetit, por nga ana tjetër minimizon dhe informalitetin.
Amnisti fiskale kanë aplikuar shumë vende në rajon dhe kjo ka rritur ndjeshëm likuiditetin në sistem. Vetëm vitin e kaluar në Itali, nga amnistia fiskale, sistemi përfitoi rreth 100 miliardë euro.