Kripen subjektet qe peshkojne koranin
Zbatimi i urdhrit të ministrit të Mjedisit, “Për ndalimin e peshkimit të koranit në Liqenin e Ohrit dhe grumbullimin e vezëve të tij për inkubim”, ka qenë shkaku që ka nxitur inspektimet e ushtruara në inspektoriatet e peshkimit në vendin tonë.
Përfaqësues nga Ministria e Mjedisit raportuan dje se nga kontrolli i kryer në Liqenin e Ohrit rezultoi se 3 subjekte peshkimi po zhvillonin aktivitet të paligjshëm peshkimi. Sipas tyre, këtyre subjekteve iu sekuestruan 2 varka, 1 motor foribord, rreth 2000 ml rrjeta peshkimi dhe 300 ml litar plumbi. Gjithashtu janë proceduar 9 persona ku 3 persona janë anëtarë të OMP Pogradec. Këtyre personave u janë sekuestruar 1 motor, 7 arka me grepa, 2 rrjeta korani. “Në ndihmë të realizimit të këtyre kontrolleve është vënë në punë dhe kamera vëzhguese inspektuese, e cila zbulon të gjithë rrjetat në veçanti ato që peshkatarët përdorin për gjuetinë e peshkut sterfe, peshk koran me dimensione të vogla”, sqarojnë burime nga Ministria e Mjedisit.
Nga kontrolli në Inspektoratin e Peshkimit Vlorë rezultoi se ka dokumentacion të rregullt, janë mbajtur planet dhe realizimet mujore, janë të evidentuar 201 subjekte të peshkimit detar, 8 ekonomi akuakulture në det dhe 70 peshkatarë që ushtrojnë aktivitet në ujërat e brendshëm në një sipërfaqe ujore prej 2500 ha, janë plotësuar logbooket e anijeve të peshkimit, janë evidentuar subjektet e palicencuara dhe është bërë bllokimi i 27 mjeteve të peshkimit detar që nuk kanë paguar taksën për vitin 2010”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Mjedisit.
Në Inspektoratin e Peshkimit Sarandë kontroll/inspektimi u krye kryesisht në ekonominë e peshkut “Prita e rrëzës” ku u konstatua se porta e impiantit pritës ishte e mbyllur, materialet e peshkimit ishin të instaluara për aktivitet peshkimi. Ky fakt është në kundërshtim me Urdhrin e Ministrit të Mjedisit mbi pezullimin e aktivitetit të peshkimit në zonën strikte të mbrojtur “Butrinti Park Kombëtar”. Për këtë përfaqësuesit e Ministrisë së Mjedisit pohojnë se janë marrë masa administrative me gjobë deri në 300 000 lekë. “Në Inspektoratin e Peshkimit Lezhë-Kurbin kontrolli rezulton se ka dokumentacion të rregullt, ndërsa subjektet e palicencuara janë bllokuar”, sqaroi dje zyrtarisht Ministria e Mjedisit.