E Diel, 1 Nëntor 2026

TI DHE UN GJITHMON BASHK

Letër drejtuar nëna Xhanos në parajsë

E dashur nëna Xhano,
Sot, duke menduar për ty në trevjetorin e ndarjes sonë dhe pamundësinë të të takoj e çmallem, vendosa të të dërgoj këtë letër në parajsë, me shpresë se do të qetësoj sadopak shpirtin tim duke të shkruar fjalët që nuk t’i thashë dot sa të kisha pranë. Ta dish, nëna Xhano, sa më shumë kohë kalon, aq më shumë më merr malli. Ndoshta sepse… Nuk e di po, e ndiej që prej tre vjetësh më mungon një nga motivet e ardhjes çdo vit në Shqipëri.
Ylli im,
Ti gjithmonë ke qenë pranë meje… në momentet kur më mungonte dhe më duhej aq shumë familja, në momentet e këqija kur desha një krah për t’u mbështetur e për të qarë, në momentet e mira të mbushura me gëzim dhe dëshirë për të jetuar.
Ja pse ti je pjesë e kujtimeve të mia dhe do të jesh gjithmonë aty ku të jem unë… Sot e kësaj dite UNË JAM sepse TI KE QENË.
“Fëmijët duhen respektuar edhe pse janë fëmijë”, thoshe ti, dhe hapje zemrën e madhe dhe na fusje brenda, pastaj na dëgjoje, na besoje, na mësoje. Të gjitha këto të kanë bërë ty shumë “të veçantë”, sidomos për mua.
Një fëmijë që jeton gjithë vitin në Spanjë duke studiuar në shkollë, kur vjen vera dhe kthehet në Shqipëri për të takuar familjen dhe shoqërinë, nuk pret gjë tjetër, veçse të tërbohet. Duhet të jesh shumë “e veçantë” që të arrish ta ulësh mbesën pranë teje dhe, sidomos, ta mësosh. Nëse sot mundem të të shkruaj këtë letër, kjo ndodh vetëm sepse ti vendose të kishe durimin që të më bëje ato diktime aq të gjata!
Mbaj mend atë vit të tërë që ne u bashkuam akoma më shumë. Unë isha vetëm gjashtë vjeç atëherë. Ti ishe gjyshja ime kur më duheshin më shumë se kurrë përkëdhelitë e ledhatimet dhe u bëre mami im kur më duheshe më shumë se kurrë afërsia dhe ngrohtësia për të mësuar germat e para të alfabetit. Ti gjithmonë ke gjetur të mesmen e artë për të më përkëdhelur dhe për të më mësuar, ndërkohë që më ke lënë mua të zgjedh dhe të marr vendimet në jetë. Ti gjithmonë më ke dhënë dashuri pa fund dhe gjithmonë ke kërkuar vetëm të shohësh gëzim në sytë e mi, pa kërkuar asgjë si shpërblim prej meje. Sot e kësaj dite mendoj, si mund të ta shpërblej unë një mirësi të tillë? Ndërkohë që brenda meje mbetet ende pikëpyetja e madhe. Nëna, ka akoma mbi tokë njerëz si ty?...
Në librin tënd me kujtime, ti nëna Xhano tregon dhe për ditën që unë ika në Spanjë. Për fat të keq, sa herë që e lexoj atë moment, shkruar gjatë deri në detaje, qaj me lot, sepse më duket moment shumë i vështirë, por pastaj fshij lotët dhe ndërsa mendoj se ajo histori i përket dikujt tjetër, për vete ruaj vetëm momente të bukura si çdo fëmijë që ka pasur një fëmijëri të lumtur dhe një familje të shkëlqyer, ku ti nëna Xhano, jo vetëm ke marrë pjesë, por edhe e ke formuar atë. Ti e di, unë gjithmonë e kam dashur shumë Shqipërinë, megjithëse jeta më mbrapa më çoi në Spanjë ku unë vetëvendosa të rrija përfundimisht. Por, ata tre muajt e verës që kemi kaluar për pesëmbëdhjetë vite bashkë, kanë qenë dhe mbeten për mua momentet më të lumtura të rinisë sime, pasi ti më lejoje të luaja dhe gëzoja moshën time dhe më flisje aq fjalë të mrekullueshme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Tani, nga largësia e viteve dhe eksperienca e jetës, të jap shumë të drejtë.
E shtrenjta nëna Xhano,
Shumë faleminderit për çdo gjë që më ke mësuar në bisedat e pafund që kemi bërë të dyja… Mundohem të të kujtoj në ndonjë moment, në kuzhinë apo dhomë kur rrinim bashkë, të nxehur apo duke më bërtitur. E kam të pamundur! Ti gjithmonë më ke transmetuar ëmbëlsi, dashuri dhe sot kujtoj vetëm momente të magjishme. Të siguroj se do të jesh pranë meje përgjithmonë. Shumë faleminderit, sepse sot e kësaj dite unë jam pjesë e pesë familjeve më të mira në botë, edhe falë teje. Të falënderoj me zemër, që sot jam një person i lumtur dhe ti je pjesë e gëzimit tim.
Ti dhe unë gjithmonë bashkë,
Denise Keko - Andoni - Garcia - Keçi - Navarro

Madrid, 22 dhjetor 2010

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›