Krishti i Lin Delisë
Në Muzeun Dioqezian të Passaut në Gjermani hapet ekspozita ndërkombëtare “Fytyra e Krishtit” me punët e disa prej emrave të shquar të pikturës. Mes tyre edhe 7 punë të piktorit shqiptar Lin Delija
Ai kishte një vizion të vetin mbi imazhin e Krishtit. Në 20 qershor në Muzeun Dioqezian të Passaut në Gjermani hapet ekspozita ndërkombëtare “Fytyra e Krishtit” me punët e disa prej emrave të shquar të pikturës. Mes tyre edhe Lin Delija, piktori shqiptar, i cili kaloi një pjesë të mirë të jetës së tij në Itali. Në ekspozitë paraqiten 7 punë të piktorit, i cili zgjodhi Antrodokon për të pikturuar temat e “shenjta”. Mësohet se projekti i ekspozitës lindi nga një ide e Papa Paolo IV që në vitin 1974 me rastin e sinodit të tretë të peshkopëve mbi temën e ungjillizimit, propozoi një ekspozitë me temën “Ungjillzimi dhe arti”, ku konkurruan 86 artistë bashkëkohorë italianë e të huaj me piktura, vizatime dhe grafika mbi portretin e Krishtit.
Ekspozita prezantonte një sfidë domethënëse në interpretimin e temës ikonografike thelbësore për krishtërimin sipas ideve dhe gjuhës artistike bashkëkohore. Një pjesë e tyre u përfshi në Koleksionin e Artit shpirtëror të Brescias, që priti veprat e dhuruara nga artistët. Në vitin 2004 me ekspozitën “Fytyra e Krishtit”, e prezantuar nga shoqata “Arti dhe shpirtërorja”, kësaj bërthame punësh iu shtuan dhjetëra punë të artistëve të tjerë bashkëkohorë, me idenë për të vazhduar refleksionin artistik mbi mundësinë e përfytyrimit të Birit të Zotit. Nisma më e fundit, e ekspozimit nga Muzeu Dioqezian i Passaut në Gjermani, rimerr me forcë këtë temë, duke ofruar këtë herë kontributin e artistëve që vijnë nga vende të ndryshme të Evropës, si Gjermania, Italia, Franca, Anglia, Austria, Çekia e Hungaria. Ekspozita vendoset në sallat e pallatit peshkopal të ‘600-ës, sot qendra e muzeut Dioqezian, me idenë e vendosjes nën emrin e së shenjtës, gjuhën antike dhe moderne.
Në plan të parë në Bibliotekë do të vendosen veprat e bërthamës origjinale të ekspozitës së Vatikanit të vititi 1974, mes të cilave vepra të piktorëve Corrado Cagli, Domenico Cantatore, Aldo Carpi, Carlo Carrà, Pericle Fazzini, Renato Guttuso, Oskar Kokoschka, Giacomo Manzù, Georges Rouault. Atyre u shtohet seria e re portreteve të Krishtit të piktorit shqiptar Lin Delija mbi temën “Shtatë fjalët e Krishtit në kryq”. Shtatë pikturat janë shkëputur nga koleksioni “Roncaglia Campanelli” i Osimos, një udhëtim artistik, human dhe religjioz i artistit, që zgjodhi Italinë dhe Antrodokon si atdheun e tij të dytë
Sipas kuratores Carmela Perucchetti në këtë seri delijane gjenden “ e verdha e qiellit që pas pak errësohet, e kuqja e “dhunshme”, e kuqja e frymëmarrjes finale e “gjithçka u krye”, e gjelbra e frikës. Të gjitha këto ngjyra janë ndërfutur me një mjeshtëri të rrallë dhe në një mënyrë të mrekullueshme në hapësirat e pikturës. Nuk është një vizatim i pikturuar: vizatimi është baza, që ngjyra më pas transformon e transfiguron. Nuk është një pikturë ekspresioniste, figurat janë ato të natyrës, është ekspresivitet”. Shoqata kulturore që mban emrin e artistit dhe që prej kohësh bashkëpunon me institucionin breshian, do të prezantohet nga Armando Nicoletti, përfaqësues i Komunës së Atrodokos.
Në katin e dytë, në sallën e hyrjes dhe në sallonin e madh të festave, do të ekspozohen punët e artistëve evropianë bashkëkohorë, që iu përgjigjën me entusiazëm, ftesës për të marrë pjesë në këtë ngjarje të veçantë në lojin e saj.
a. mile