Zbardhet projekti i krijimit të Partisë Bashkimi PS-PSD
Socialdemokratët i kanë paraqitur socialistëve Projekt-Platformën mbi të cilën do të realizohet bashkimi
Maksimizimi i fitores në zgjedhjet e 2009 dhe garantimi më pas i një qeverisjeje të qëndrueshme dhe të suksesshme përbëjnë pikësynimet kryesore mbi të cilat ka marrë jetë nisma për bashkimin e Partisë Socialiste dhe asaj Socialdemokrate, në një forcë të vetme të së majtës, me emrin “Bashkimi PS-PSD”. Në funksion të këtij qëllimi, pavarësisht shmangies së vëmendjes për shkak të tragjedisë së Gërdecit dhe ngjarjeve të tjera politike që e pasuan atë, PS e PSD kanë nisur sërish punën për përafrimin e qëndrimeve dhe hartimin e një dokumenti konkret mbi bazën e të cilit do të realizohet hap pas hapi dhe njehsimi i dy partive nën një formacion të vetëm politik. Hapin e parë e kanë hedhur socialdemokratët, të cilët prej disa ditësh i kanë paraqitur socialistëve për diskutim, dhe më pas për pasurim me mendime të tjera, një material pune, në formën e projekt-platformës së ardhshme të Bashkimit PS-PSD.
Drafti
Projekt-Platforma e Bashkimit, e paraqitur nga socialdemokratët, kërkon të sanksionojë angazhimin e partive të majta dhe më konkretisht të PS-së dhe PSD, për të krijuar një bashkim politik e organizativ i cili do të finalizohet me shkrirjen e dy partive në një Parti të vetme, si përfaqësuese e së Majtës Evropiane dhe Internacionales Socialiste në Shqipëri. Ajo përcakton fazat kryesore të realizimit të këtij procesi të domosdoshëm të ndërmarrë nga dy partitë nënshkruese, bazuar në miratimin e forumeve të tyre më të larta drejtuese. Platforma e Bashkimit PS-PSD synon të realizojë rikonfigurimin e politikës shqiptare duke krijuar dy kampe të qarta konkurruese, përfaqësuese të së Majtës dhe të Djathtës, si një tipar i domosdoshëm ky i çdo demokracie të konsoliduar perëndimore. Kjo lind si një nevojë pasi, siç vlerësohet në këtë dokument paraprak, politika shqiptare, ashtu si në shumicën e vendeve në tranzicion, ka përjetuar fenomenin e krijimit të një numri të madh partish, me dhe pa elektorat, ndarjen dhe fraksionimin e tyre, veprime të cilat kanë patur pasojat e veta në moskonturimin e grupimeve të qarta e të qëndrueshme, në evidentimin e peshës reale të çdo partie a grupimi politik dhe sidomos në moskristalizimin e dy alternativave të qarta programore konkurruese midis të Majtës dhe së Djathtës. Gjithashtu, Draft-Platforma kërkon të vendosë një moral të ri në politikë, nëpërmjet krijimit të grupimeve të qëndrueshme të bazuara mbi vlera, programe dhe qëllime të përbashkëta që respektojnë dhe realizojnë kontratën me zgjedhësit.
Synimi
Tendenca e mosrespektimit të aleancave, i prishjes dhe ndarjes së tyre sipas konjunkturave e interesave të grupeve apo individëve të veçantë, dhe jo për arsye programore e principesh, kalimi i partive apo individëve nga një krah në tjetrin pa respektuar mandatet e marra nga partia dhe zgjedhësit përbëjnë fenomenet më negative të politikës aktuale, të cilat drafti i bashkimit kërkon t’i korrigjojë edhe në spektrin e majtë politik. Pasi evidenton zhgënjimin që ka pasuar një sjellje të tillë të forcave politike edhe në spektrin e majtë dhe humbjen e besimit tek elektorati, projekt-platforma nëpërmjet unifikimit të strukturave të këtyre dy forcave politike, kërkon të përcjellë tek anëtarësia dhe elektorati në veçanti, mesazhin e bashkimit si një domosdoshmëri për fitoren dhe qeverisjen efektive të së majtës në vijim. Drafti i paraqitur, është i organizuar në tre pjesë kryesore, ku jepen qëllimi, baza e arsyeve dhe mënyra se si do të realizohet një bashkim i tillë në praktikë. Megjithatë, ky vazhdon të mbetet një draft, për aq kohë sa socialistët nuk kanë dhënë “OK” e tyre edhe për çështjet konkrete që trajtohen në të. Drafti i paraqitur nuk përjashton më pas bashkimin me këtë formacion politik edhe forcave të tjera politike që kanë programe të përafërta.
Në draftin e paraqitur, PSD paraqet dhe faktorët që e favorizojnë bashkimin e PS-së me PSD-në
PSD: Platforma, produkt i përvojës 10-vjeçare
Platforma e Bashkimit konsiderohet nga PSD si produkt i një reflektimi real dhe si rrjedhojë e tërë përvojës së fituar nga dy partitë, në periudhën e gjatë të tranzicionit dhe në marrëdhëniet midis tyre si aleate. Socialdemokratët vlerësojnë se ajo mbështetet mbi tiparet kryesore të kësaj përvoje dhe karakteristikat e vetë partive, të cilat do të përmblidheshin në arsyetimin se dy partitë e së Majtës shqiptare kanë të njëjtin synim afatgjatë, integrimin e vendit në strukturat Euro-Atlantike nëpërmjet realizimit të një qeverisjeje të bazuar në programin e të Majtës Europiane. Si të tilla, PSD thekson se, programet bazë të dy partive përfaqësojnë alternativë me principe të njëjta. Një tjetër element që duket se e bën këtë bashkim më të lehtë dhe të domosdoshëm, është se PS dhe PSD janë anëtare të së njëjtës familjeje politike ndërkombëtare, asaj të Internacionales Socialiste, dhe me kandidimin e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian ato do të jenë të dyja pjesë e të njëjtës parti, asaj të PSE (Partia Socialiste Europiane). Bashkimi duket se bëhet më i domosdoshëm edhe për faktin se ato janë forca politike që kërkojnë mbështetjen e të njëjtit elektorat, pothuajse me të njëjtat programe. “Votuesit e majtë e më gjerë, janë të lodhur dhe kritikë ndaj çarjeve të së majtës, të cilën e shohin si alternativën më shpresëdhënëse, si të aftë për të ofruar një politikë të re. Ata mbështesin e madje bëjnë presion për realizimin e një bashkimi real dhe program afatgjatë të së Majtës, i cili do të kishte përkrahjen e shumicës dërmuese të shqiptarëve”, bëhet e qartë në Projekt-Platformën e paraqitura nga PSD. Pavarësisht ulje-ngritjeve të herëpashershme, PS dhe PSD kanë një aleancë gati 10-vjeçare midis tyre, e cila nuk është prishur asnjëherë, në opozitë dhe mazhorancë. Ato kanë përballuar së bashku tetë fushata elektorale dhe koalicioni dhe bashkëpunimi midis tyre vlerësohet në platformë se ka qenë baza e fitoreve të zgjedhjeve nga 1994 deri në 2003, duke qeverisur për 8 vjet me radhë Shqipërinë. Përvojë e cila kërkon të shfrytëzohet nga këto dy forca në ngritjen e një Aleance vlerash dhe ripërtëritjeje për të Majtën në Shqipëri. Gjatë gjithë periudhës 1996-2006 dy partitë, PSSH dh PSD, kanë mbajtur qëndrime të përbashkëta në afirmimin e vlerave të demokracisë, në mbrojtje të institucioneve demokratike, në respektimin e lirive e të drejtave themelore, si dhe për proceset integruese te Shqipërisë, për frenimin dhe denoncimin e qeverisjeve të së Djathtës, dhe nuk ka patur kontradikta parimore midis tyre, duke evidentuar tiparin progresiv të së Majtës.
PS-PSD, negociata për kryetarin dhe përfaqësimin
Projekti për bashkimin e Partisë Socialiste me Partinë Socialdemokrate vazhdon të mbetet ende larg finalizimit të tij. Kjo për shkak të disa termave që PSD ka përfshirë në Projekt-Platformën e propozuar, të cilat duket se janë të papranueshme për socialistët. Burime pranë grupit të punës të PS-së (Grupi i punës i PS-së për realizimin e bashkimit përbëhet nga Valentina Leskaj, Pandeli Majko dhe Arben Malaj) bëjnë të ditur se procesi ka hyrë në një fazë negociatash me përfaqësuesit socialdemokrat për një sërë çështjesh, të cilat në draft ose janë të paqarta, ose nuk respektojnë peshën reale të dy forcave që do të bashkohen. Kështu, çështja kryesore për të cilën duket se dhe diskutime po hanë më shumë kohë, ka të bëjë me raportet me të cilat këto dy forca do të përfshihen në strukturat dhe organet e reja të përbashkëta partiake që do të krijohen. Pra, duket se për socialistët është i papranueshëm propozimi që bëjnë socialdemokratët në draft, për krijimin e strukturave me raporte përfaqësimi 6 socialistë dhe 1 socialdemokrat. Një tjetër çështje që projekt-platforma nuk jep zgjidhje të qartë, është ajo për mënyrën se si do të drejtohet kjo forcë e re e bashkuar. Sipas të njëjtave burime, konfirmohet se drafti i paraqitur nga PSD nuk përcakton nëse kryetari i këtij formacioni të ri politik do të zgjidhet nga mënyrë të drejtpërdrejtë nga anëtarësia, ashtu siç është zgjedhur kreu aktual i PS-së, apo do të jetë produkt i një konsensusi paraprak, ku drejtimi të bëhet nëpërmjet rotacionit të dy kryetarëve aktualë. Në projekt-platformën e paraqitur nga PSD përcaktohet vetëm krijimi i Komitetit Koordinativ i përbërë nga Kryetarët, Zëvendëskryetarët dhe Sekretarët e Partive, por pa shpjeguar mënyrën se si ky formacion i përbashkët do të drejtohet.
Tabelë
Etapat e bashkimit
Miratimi i Platformës së Bashkimit nga forumet qendrore të të dy partive.
Hartimi i Programit të Përbashkët, bazuar në programet përkatëse të të dy partive dhe në atë të PSE.
Krijimi i institucioneve drejtuese e koordinuese të bashkimit PS-PSD me karakter konsultativ
Krijimi i Komitetit Koordinativ i përbërë nga Kryetarët, Zv/kryetarët dhe Sekretarët e Partive, si edhe organizimi i mbledhjeve të përbashkëta të Kryesive përkatëse.
Krijimi i një Grupi Parlamentar të përbashkët i cili do të funksionojë bazuar në një Rregullore të përbashkët në përgatitjen e seancave parlamentare, në marrjen e vendimeve dhe organizimin e debatit në Kuvend.
Krijimi i institucioneve drejtuese e koordinuese në nivel lokal nëpërmjet një Udhëzimi të përbashkët partiak.
Fillimi i ristrukturimit të strukturave organizative për të lehtësuar bashkimin final.
Tabelë
Afati i realizimit
Sanksionimi juridikisht se PS-PSD do të sillen “de fakto” si një subjekt zgjedhor që do të ketë program dhe kandidatë të përbashkët, sipas një përfaqësimi të mirëkuptuar figurash 6 me 1.
Hartimi i Programit të Përbashkët Elektoral dhe Qeverisës nëpërmjet krijimit të grupeve të përbashkëta të punës.
Zhvillimi i Konventës së përbashkët zgjedhore, në të cilën do të shpaloset Programi i përbashkët dhe lista e Kandidatëve të Bashkimit PS-PSD.
Paraqitja në Konventë e Aktit Përfundimtar të Bashkimit PSSH-PSD.
Shkrirja e postit të Kryetarëve në të gjitha nivelet, të anëtarësisë, të forumeve drejtuese, duke mbajtur si kriter bazë që çdo post në PSD, konvertohet në një nivel më poshtë në strukturën e bashkuar PS-PSD.
Çdo forum i përbashkët, krijohet nga shkrirja e forumeve përkatëse në raportin 6 me 1.