E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të gjitha rrugët të çojnë tek aktrimi

 

Kush e mban mend nga ndonjë konkurs bukurie, apo videoklip, sot e sheh si aktore. Niada Saliasi interpreton rolin e Djanës në filmin “Gjallë” që sapo ka nisur xhirimet. Kush është vajza bjonde që shfaqet në filmin më të ri të Minarollit

Një police të bukur më pak dhe një aktore të bukur më shumë. Nëse nuk do të kishte studiuar në Akademinë e Arteve, do ishte futur në Akademinë e Rendit. “Të dyja kanë në themel investigimin”, - thotë ajo. Niada Saliasi nuk i përket asaj kategorie vajzash, që mund të përkufizohen “flokët e gjata, mendtë e pakta”. Është me këmbë në tokë dhe nuk “fluturon” pas së pamundurës. Niada Saliasi, studente e vitit të katërt në Akademinë e Arteve të Bukura, në degën e aktrimit, është një prej aktoreve protagoniste në filmin “Gjallë” të Artan Minarolli, që vetëm pak ditë më parë nisi xhirimet. Ajo luan rolin e Djanës, një studenteje tiranase, që dashuron Kolin, një të ri nga veriu, i cili fatkeqësisht është një viktimë e mundshme e gjakmarrjes. Nuk e ka të vështirë të hyjë nën petkat e Djanës. Në fund të fundit do të luajë moshën e saj. Nuk ka asgjë që të mos e njohë në karakterin e studentes. Kur regjisori Artan Minarolli e pyeti se cilin rol do të preferonte, atë të Dianës, apo Fatimes, vajzës nga fshati Baldushk, Niada zgjodhi të parin. Fatimja do të ishte një sfidë shumë e madhe për të. Ishte roli i parë në një film artistik dhe nuk do të donte të digjte gjithçka ende pa filluar. Sot, ia njeh limitet vetes, nesër nuk e di. Edhe pse është optimiste, madje edhe e guximshme, për vajzën e lerë dhe rritur në Tiranë, pinjolle nga një derë artistësh, do të ishte tepër të pretendonte, që të mund të realizonte portretin e një vajze fshati. “Ky rol ose do të më hedhë në treg, ose do të më hedhë në greminë”, - thotë Niada, e cila në kushtet e mungesës së menaxherëve, i duhet të menaxhojë vetë veten. Është ende herët për të thënë se si do të dalë filmi, por vetëm fakti, që është zgjedhur për të luajtur në një film të Minarollit, është tashmë shumë për të. I kujtohet si të ishte sot dita e audicionit. Minarolli kishte kohë që bënte audicione në Akademinë e Arteve. Atëherë ishte në vitin e dytë. Hodhi vetëm një sy në sallën Black Box, ku zhvilloheshin provat dhe u largua. Këtë herë nuk guxoi. “Komisioni qëndronte në sallë, ndërsa unë do të isha në skenë. Kjo distancë më stepi. Kisha frikë se mund të isha tepër teatrale”. Kjo nuk ndodhi në audicionin e dytë. “Atëherë i kisha flokët gështejë dhe regjisori më shihte në një tjetër rol”, - thotë vajza, teksa tregon flokët bjondë, që e kthyen në rolin e Djanës. Thotë se nuk është e thjeshtë të luajë përpara një stafi të madh, ku një pjesë e mirë janë të huaj. Ka xhiruar dy skena, në një prej të cilave ka edhe një pjesë erotike. Nuk e fsheh se ishte në siklet. Ajo e veshur hollshëm, përpara një trupe të madhe xhirimi (shumica burra). “Ishte çaku i parë dhe duhet të isha gjatë gjithë kohës e karikuar, që gjithçka të shkonte mirë. Dublat e filmit janë të përcaktuara dhe nuk doja të isha unë ajo që gaboja”. Fatmirësisht, Kreshnik Xhelilajn, që luan rolin e Kolit, e ka shok klase dhe ia njohin pikat e “dobëta” njëri-tjetrit. “Madje në rolin e parë që kam luajtur, Kreshniku ishte burri im”, - thotë Niada. Por ndryshe nga “Një duzinë trëndafilash të kuqerremtë”, këtë herë nuk bëhët fjalë për një histori xhelozie. Dje ishte dita e saj e pushimit dhe sot do t’i rikthehet sërish sheshxhirimit. Punët duket se po shkojnë mbarë, por përpara se ta shohim në ekranin e madh, në rolin e Djanës, mund ta shohim në një tjetër rol, në atë të Almës në serialin televiziv me regji të Ylli Pepos “Dhimbje dhe dashuri”. Në këtë serial prej 10 pjesësh, Niada luan rolin e një vajze që duhet të kalojë një rrugë të vështirë, që nga tradhtia e të dashurit, tek trotuarët e Italisë, deri në vetëvrasje. Ndërkohë që ka marrë pjesë në të tjera projekte televizive, bashkëpunime mes Televizionit Publik Shqiptar dhe producentësh maqedonas. Sigurisht janë edhe punët në Akademinë e Arteve, mes të cilave edhe “Një tramvaj me emrin dëshirë” me regji të Timo Fllokos, për të cilin ajo ka një vlerësim të veçantë. Dhe thotë se nëse ky film do të ketë sukses, apo do të ketë një të ardhme si aktore do t’iu jetë mirënjohëse pedagogëve të saj Vilson Gjoça, Timo Flloko, Niko Kanxheri, si dhe regjisorit Minarolli.

Por Niada nuk është rastësisht në rrugën e kinemasë. E lindur në një familje artistësh brez pas brezi, mbesë e aktores Liza Vorfi, Niada hyn natyrshëm në botën e artit. Do të ishte e ëma, ajo që do ta shtynte më së shumti në këtë rrugë. Vajza tregon se dikur ajo dëshironte të bëhej aktore, por pa mundur. Dhe sot e sheh ëndrrën e saj të mishëruar tek e bija. Përpara se të mbërrinte në destinacion, Niada ka provuar edhe ca eksperienca të tjera, si Miss Albania, apo edhe si figurante në ndonjë videoklip. Sigurisht, sot, vajza sybajame qesh kur i kujton këto “çapkënllëqe” prej adoleshenteje, por nuk pendohet për asgjë. “Të gjitha këto janë ca rrëkeza, që furnizojnë lumin. Një mundësi më shumë për të njohur njerëz, për të krijuar kontaktet e duhura dhe për të arritur në stacionin final”, - thotë ajo, ndërsa shton se nuk dëshiron t’i shpëtojë nga jeta asnjë moment pa mësuar diçka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›