E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veshja në kohën e Lidhjes

  Ekspozita

Një periudhë historike nuk mund të kuptohet pa stilin e veshjes. “Moda” e viteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, u prezantua mbrëmë në një ekspozitë e veçantë të hapur në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Një koleksion veshjesh popullore, nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, të përdorura gjatë vitit 1878, krijojnë një panoramë më të gjerë të kësaj periudhe. Në ekspozitë paraqiten 18 fotografi dhe 10 vitrina, ku janë paraqitur këto kostume. Fotografitë, të cilat mbajnë kryesisht firmën e Marubëve paraqesin veshje të ndryshme dhe materialet e përdorura për realizimin e tyre. Aty është qytetarja shkodrane, malësori, etj. Krahas veshjeve, janë paraqitur edhe stolitë përkatëse që shoqërojnë ato. Kështu, dy kostumet, që përdoreshin dikur nga burrat e fesë katolike, në Shkodër dhe një kostum tjetër i burrit nga zona e Labërisë, shoqërohen nga brezoret, mbajtësja e cigareve, varëse, rripa dhe pipa. Po kështu edhe në stendën kushtuar gruas, janë paraqitur disa rripa bronxi me gurë të çmuar dhe me forma nga më të ndryshme, çanta të punuara me fije argjendi, si dhe stoli të tjera si varëse dhe byzylykë, të gjithapunime të rralla, të punuara me dorë nga mjeshtrit e kohës. Gjeografia që përfshin ekspozita është e gjerë. Ekspozohen aty kostumet e grave të Malësisë së Madhe, të Lumës, Gjirokastrës, Drenicës, Çamërisë, Leskovikut, Zadrimës e Lunxherisë, secila e veçantë në llojin e vet. Ekspozita e kostumeve u hap në vazhdën e aktiviteteve që po zhvillohen në kuadër të muajit të Kulturës Shqipëri-Kosovë si dhe me rastin e 130- vjetorit të krijimit të Lidhje së Prizrenit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›