Certifikatat e Gjelbra e bëjnë Shqipërinë tërheqëse
Gjatë vitit 2007, çmimi i certifikatave të gjelbra në bursën energjetike italiane qe rreth 95 euro për MWh
Ujërat e Drinit
Ekosistemi i lumenjve Drin dhe Bunë, si dhe liqenit të Shkodrës, në atë formë që ka sot, është relativisht i ri. Dokumentet e institucioneve të Kishës Katolike, raportojnë një ndodhi të gjysmës së dytë të shekullit në 19, kur Drini, i cili deri në atë kohë derdhte të gjithë ujërat e tij në Lezhë, hapi një dalje të re drejt Bunës, Drinashin. Hapja e derdhjes së Drinit në Bunë, e shkaktuar nga një dimër veçanërisht i ashpër me reshje të bollshme, shkaktoi ndryshime të forta për të gjithë zonën. Liqeni i Shkodrës pësoi një rritje niveli të konsiderueshme dhe qindra hektarë toka u zunë nga uji, për shkak se Drini derdhi prurje të gurta me bollëk në Bunë. Qyteti i Shkodrës, i cili deri në atë kohë qe i përqendruar rreth kalasë së Rozafës, filloi të zhvendosej dy kilometra më në veri, ku gjendet sot. Lumi i Kirit, që sot derdhet në Drin, dikur derdhej drejtpërsëdrejti në liqen. Projekti i Hidrocentralit të Bushatit, do të shkaktonte një fenomen pothuaj të kundërt. Me devijimin e pikës së derdhjes së Drinit në Bunë, niveli i liqenit të Shkodrës mund të ulej me disa metra, duke liruar qindra hektarë tokë.
Qeveria Shqiptare pritet të japë me koncesion një prej projekteve të shumta të hartuara që nga koha e regjimit komunist. Hidrocentrali i Ashtës, në rrjedhën e poshtme të lumit Drin, pritet të krijojë një kompani me të ardhura vjetore prej rreth 20 milionë eurosh në vit, me çmimet aktuale të energjisë elektrike në rajonin tonë. Hidrocentrali qe planifikuar fillimisht të kishte një kapacitet prej 80 MW, por nuk u realizua dot kurrë për shkak të shqetësimeve ambientale dhe ndikimit që do të kishte mbi liqenin e Shkodrës. Sipas projektit aktual, të hartuar me ndihmën e Korporatës Financiare Ndërkombëtare, Ashta do të prodhojë rreth 250 milionë kWh në vit. Kostoja e projektit është ende e paqartë.
Por kompania e re do të ketë mundësi gjithashtu të shesë edhe Certifikatat e Gjelbra, të cilat kanë një vlerë tregtare të konsiderueshme.
Certifikatat e Gjelbra
Certifikatat e Gjelbra janë tituj ligjorë që tregtohen në disa vende të BE-së, si në Itali e Gjermani dhe që blihen nga kompanitë ndotëse të ambientit. Certifikatat e gjelbra janë tituj që shiten nga prodhuesit e energjisë elektrike të rinovueshme dhe ambientale, si energjia e erës e ajo e ujit. Por në rastin e hidrocentraleve, në shumë vende nuk pranohen për certifikata të gjelbra hidrocentralet me digë, por vetëm ato me rrjedhje të lirë. Hidrocentrali i Ashtës në fakt do të jetë i tillë. Sipas të dhënave të bursës italiane të energjisë, mercatoelettrico.org, certifikatat e gjelbra kanë kushtuar gjatë vitit të kaluar rreth 95 euro për MW/h. Kjo do të thotë se kompania ndërtuese e hidrocentralit me rrjedhje të lirë, përveç energjisë elektrike, do të shesë edhe certifikata të gjelbra. Është e pasigurt nëse ndërtimi i Hidrocentralit të Ashtës do të qe ekonomikisht rentabël pa certifikatat e gjelbra. Hidrocentralet kanë një kosto ndërtimi prej 1 mijë, deri në 2 mijë euro për kilovat/fuqi të instaluar. Energjia e prodhuar në hidrocentrale varet veçanërisht shumë nga lartësia rënëse e ujit. Kjo nuk është e mundur në hidrocentralet me rrjedhje të lirë.
Tre kompani të interesuara
Në tenderin që pritet të mbyllet këtë javë, tre kompani të huaja kanë shprehur interes për Hidrocentralin e Ashtës. Sipas njoftimit zyrtar për shtyp, “përzgjedhja e fituesit do të bazohet në kritere të përcaktuara dhe të shpallura në mënyrë transparente që në publikimin e dokumenteve të tenderit. Këto kritere bazohen, së pari, në çmimin më të lirë të energjisë elektrike që do ofrohet për tregun dhe sistemin shqiptar, si dhe në kritere të tjera teknike”.
Hidrocentrale të tjera në tender
Qeveria ka nxjerrë në katalogun e saj të publikuar për të interesuarit, edhe gjashtë hidrocentrale të tjera mbi kaskadën e Vjosës, si dhe ka reklamuar dy hidrocentrale për të cilat sakaq janë nënshkruar kontrata koncesionare, por që është e pasigurt nëse do të ndërtohen ndonjëherë. Më i rëndësishmi është Hidrocentrali i Skavicës, me fuqi të instaluar prej 350 MW dhe që mund të prodhojë deri në 1.3 miliardë kilovat/orë në vit. Ai ka një kosto ndërtimi prej 550 milionë eurosh dhe rezulton një hidrocentral shumë ekonomik, me kosto prodhimi energjie prej rreth 3 cent të euros për kWh.
Kaskada e Vjosës, tek e cila janë projektuar që të ndërtohen shtatë hidrocentrale me fuqi të përbashkët prej 500 MW, mendohet se mund të prodhojë rreth 2.2 miliardë kilovat/orë në vit.
Linja do të shërbejë për impiantet Eolike që mund të ndërtohen në Karaburun
Pulja miraton Interkonjeksionin me Shqipërinë
Qeveria e rajonit të Puljas miratoi dje vendimin për të shprehur interes të posaçëm për projektin e një linje të Interkonjeksionit energjetik mes Shqipërisë dhe Italisë, projekt i kompanisë “Moncada Energy Gruop”. Sipas një lajmi të publikuar në një agjenci lokale lajmesh, linja e interkonjeksionit 400 kilovolt, duhet të lidhë stacionin elektrik të Brindizit me nënstacionin e Babicës në Vlorë, si dhe do të shërbejë për të dërguar në Itali energjinë e prodhuar nga impiantet Eolike që kjo kompani ka ndër mend të ndërtojë në Karaburun.
Linja e Interkonjeksionit pritet të zgjatet për 300 kilometra dhe do të kushtojë 240 milionë euro, por shumë ekspertë kanë dyshime nëse kjo gjë do të realizohet ndonjëherë. Kompania “Mondiaca” nga Sicilia, deklaron se do të shpenzojë 3 miliardë euro për të lidhur Italinë e Jugut me Tunizinë dhe Shqipërinë. Bashkimi Europian ka vendosur një prioritet disa vite më parë për të integruar Ballkanin, por veçanërisht Mesdheun Jugor, me rrjetin e saj energjetik, si hapi i parë i krijimit të një rrjeti të përbashkët Europë-Afrikë. Disa kompani italiane janë në garë për të përfituar nga subvencionet nga kjo politikë. “Mondiaca”, ka fituar në Shqipëri autorizimin për ndërtimin e një Parku gjigant të Energjisë së Erës në Karaburun. Sipas agjencisë “Ansa”, do të jenë impiante të energjisë së erës me fuqi të instaluar prej 500 MW, që do të kushtojnë 750 milionë euro. Ky është një projekt pesë herë më i madh se i gjithë aktiviteti ekzistues i kësaj kompanie, e cila ka aktualisht në punë rreth 105 MW kapacitete për prodhim energjie. Shqipëria ka eksperiencë të gjerë me kompani italiane që kanë aktivitet të kufizuar, por marrin përsipër investime të përmasave të mëdha.
Shifra dhe projekte
Hidrocentrali
Kosto mln
Fuqia MW
Prodhimi GWh
Të ardhurat mln*
Ashta
n/a
40-70
240-270
19.2-21.6
Skavica
550
350
1350
108
Kaskada e Vjosës
n/a
500
2200
176
* Llogaritur me çmimin aktual të importit prej 80 euro për MW