Krishtlindja, Topi: Shëndet, mbarësi dhe ditë të bardha

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi të publikuar në faqen zyrtare të Presidencës, shpreh urimet më të përzemërta për të gjithë besimtarët e krishterë shqiptarë. Duke u uruar gëzim, dashuri dhe paqe Topi shton se besimi tek Zoti dhe tek vlerat më të larta humane do t`ua ndriçojë e lehtësojë udhën.
“Kam kënaqësinë e veçantë që, me rastin e Festës së Krishtlindjes, të shpreh urimet e mia më të mira e të përzemërta për Ju dhe, përmes Jush, për të gjithë besimtarët e krishterë shqiptarë kudo jetojnë e punojnë!
Lindja e Krishtit, për besimtarët e krishterë anë e mbanë botës, është një ngjarje, e cila, për madhështinë e saj dhe mesazhin e shpresës dhe të përtëritjes, që për më shumë se dy mijë vjet u ka përcjellë popujve, përkujtohet solemnisht. Nën kambanat e kishës, dritën e qirinjve dhe lutjet e besimtarëve, ky kremtim i shenjtë përjetohet çdo herë, si burimi i një jete më të ndritshme e më të lehtë, që mbart frytet shpirtërore të dashurisë, gëzimit, paqes, durimit, mirëdashjes, besimit, zemërbutësisë. Ato janë një thesar i çmuar njerëzor, të cilin për çdo vit, besimtarët e mirë dhe të ndershëm, përpiqen ta trashëgojnë, ta përcjellin e ta ndajnë në tolerancë e harmoni me njëri-tjetrin. Këto virtyte dhe paqja e Perëndisë janë me bollëk në zemrat e besimtarëve shqiptarë. Në këtë ditë feste ne urojmë që ato të mbizotërojnë jo vetëm në shtëpitë e besimtarëve, në tempujt e shenjtë, por edhe tek të gjithë njerëzit me vullnet e shpirt të mirë në të gjithë botën. Në kushtet e qytetërimit modern, shumë njerëz e humbasin drejtimin e tyre shpirtëror dhe moral, por, për ata që sinqerisht kërkojnë dritën e së vërtetës, besimi tek Zoti dhe tek vlerat më të larta humane do t’ua ndriçojë e lehtësojë udhën”-përfundon mesazhi i Presidentit.